Mësimdhënësit sot në tërë Kosovën kanë hyrë në grevë njëorëshe, pas vendimit të marrë nga SBASHK.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj gjatë vizitës në shkollën “Asim Vokshi” në Prishtinë, tha se më 20 maj do të protestohet kurse pas kësaj date do të shohin si do të veprojnë më tutje a do të ketë grevë të përgjithshme apo jo.

E njëra nga mësimdhënëset e kësaj shkolle u shpreh se nuk e mbështet grevën e përgjithshme.

“Unë personalisht nuk e mbështes grevën më shumë ditorëshe për shkak të mungesës së mësimit, mendoj se më mirë me zgjedh forma të tjera. Kemi mundësi tash jemi në fundin e vitit ti bllokojmë të gjitha statistikat mos mi dërgu. Mësimi është gjynah me humb për nxënësit”, u shpreh ajo.

Shkollat në grevë njëorëshe, Jasharaj: Deklaratat e Qeverisë që po ju dhimbsen nxënësit janë false, më 20 maj protestojmë Shkollat në grevë njëorëshe, Jasharaj: Deklaratat e Qeverisë që po ju dhimbsen nxënësit janë false, më 20 maj protestojmë

Mësuesja tutje shtoi se kanë kaluar qeveri të ndryshme dhe ne në të njëjtën situatë kemi qenë.

“Faji i qeverisë nuk filluam tre javë por ato pasoja i kemi hekur ne mësimdhënësit dhe nxënësit duke i zëvendësuar ditët e shtunë, tash kemi edhe një javë në fund të vitit shkollor ta zëvendësojmë, të gjitha po i pësojmë ne. Jam mësimdhënëse e viteve të 90-ta, kemi punuar pa asnjë cent, çdo kontribut e kemi dhënë. Arsimi nuk është vlerësuar nga asnjë qeveri. Të gjitha i dimë. Por për hirë të fëmijëve të gjejmë një formë tjetër”, u shpreh ajo, duke shtuar se mësimin me nxënës nuk e kisha bojkotuar asnjëherë.

Çerdhet do të jenë në grevë nga ora 06:30-7:30, ndërsa shkollat fillore varësisht nga ndërrimet, ora e parë do të jetë grevë, kurse universitetet nga ora 10:00-11:00.

Sipas Sindikatës, orët e humbura në grevë nuk do të zëvendësohen dhe nëse Qeveria e Kosovës nuk reagon atëherë nga SBASHK-u thonë se i qëndrojnë skenarit për të hyrë në grevë të përgjithshme. /Telegrafi/