LAJMI I FUNDIT:

Mesazh politik

Mesazh politik

Duke ndjekur me përpikëri situatën politike që po zhvillohet aktualisht në Maqedoni, konsideroj se kjo agjendë politike po kthehet drejt krizave të ndryshme ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha. Nëse e krahasojmë situatën politike në vend mund të arrijmë të kuptojmë se pushteti është një lloj forme letargjike e interesit publik, që angazhohet më tepër që ta kthejë autoritetin e vet në hierarkinë më të lartë, ndërsa interesat e një grupi të caktuar mund të lihen në varshmërinë e kohës. Kjo mund të dëshmohet qartë dhe mjaft prerë nëse e vështrojmë aktualitetin politik sipas këtij poli: imagjinoni kur kryeministri i një vendi lëshon deklarate somnambule për të ngritur autoritetin e partisë dhe njëkohësisht dhe shtetin partiak drejt interesit vetjak, duke e sjellë rreth e përqark dominimin e tij politik ndaj të gjitha shtresave shoqërore për t’i mbërthyer sipas planit të tij.

Këtu duhet parë më ndryshe vorbullën që praktikon një kryeministër si ky yni. Para së gjithash, ai duhet ta dijë së deklarata të tilla nuk pinë ujë, se dhe komuniteti maqedonas nuk përbëhet aq lehtë prej këtyre deklaratave të hedhura në ajër, por se ky komunitet e di situatën e rëndë politike të vendit të tyre që tashmë ia kanë krijuar me kushte të habitshme, me shpenzimet e majme të parave të tyre, me konteste politike të pazgjidhura, me moszgjidhjet e ndryshme politike dhe ekonomike që e tangojnë vendin si në sferën e jashtme ashtu dhe në atë të brendshme. Megjithatë, tashmë duhet të jetë një kohë tjetër, që komuniteti maqedonas të mos gënjehet nga deklarata të tilla që servohen në publik, por të vetëdijesohen dhe të kuptojnë realitetin politik të tyre më ndryshe dhe me mendje të hapur, pasi bindjet e tilla vendnumëro kanë koston e vete.


Të gjykojnë realitetin ekonomik, social dhe politik të këtij vendi me besueshmërinë e tyre dhe përmes votës të ndëshkojnë gabimet politike, dhe në anën tjetër të rikthejnë një kapitull të ri politik për fatin e këtij vendi duke e parë shoqërinë si dy pole që duhet të bashkëpunojnë për të mirën e tyre të përbashkët. Politika aktuale nuk duhet të jetë inicim i kushteve të këqija, por ta kthejmë filmin në anën tjetër, që ta shohim realitetin me tjetër sy. Se si një kryeministër si Nikolla Gruevski sheh qytetarët e vet, kjo u pa mjaft qartë me anë të deklaratës së tij për thirrjen e hapur ndaj qytetarëve për të marrë 62 deputetë, me qëllim që të rehatohet nga thumbi i shqiptarëve, që realisht ky thumb nuk ekziston si i tillë, por është i krijuar si dëshmi për të luajtur hipokrizinë e radhës.

Kryeministri Gruevski duhet të jetë i ndërgjegjshëm dhe të shërbejë njëjtë për të gjithë qytetarët, pa i ndarë në thasë. Kryeministri i vendit luan me këtë kartë politike, pasi partitë politike shqiptarë ndodhen në tjetrin pol dhe nuk shohin realisht se çfarë po ndodh. Në asnjë vend demokratik të botës nuk mund të gjesh në shprehje një kryeministër që përçan dhe mbjell urrejtje ndaj një komuniteti ose shoqërie që është më ndryshe se tjetri.

Ndërkaq, më duket mjaft e hidhur kur këtyre ditëve po dëgjojmë blofet politike të partive shqiptare në pushtet dhe opozitë, duke u krahasuar ndërmjet veti me cilësimet vetjake në ajër. Realisht, kjo do të ishte një marrëzi për ato që dinë të mendojnë dhe kuptojnë rrjedhojat politike. Blofet e tyre shkojnë aq larg, sa dhe naivitetet e tyre i nxjerrin në shesh, pasi vetëm deklaratat e tyre janë argumente, por jo dhe veprat, që në të shumtën e rasteve qytetarët mbeten kryesisht të zhgënjyer.

Partitë politike shqiptare janë shndërruar në format e ndryshme të hipokrizive, pasi partia në pushtet BDI nuk arriti ta mbrojë platformën e vete politike, duke u thirrur në integrimet euro-atlantike, në sfidat e ndryshme politike të lëna në baltë, ndërsa partia në opozitë PDSH nuk qe edhe aq e angazhuar për të qenë korrektor e pozitës, por mbeti për një kohë në dilema të shumta politike që nuk mundi t’u dalë zot. Shpeshherë, kemi parë që përvojat e tyre politike nuk na kanë shërbyer për t’i përfituar çështjet tona që na takojnë në kulturë, ekonomi, politikë, por më së tepërmi na kanë ngrënë krejt llojin.

Përfundimisht, i gjithë spektri politikë shqiptarë nuk do të krijojë asnjëherë egon për mbrojtjen dhe identifikimin e interesit të përgjithshëm, por më së tepërmi do të jenë të orientuar të luajnë lojëra politike në kurriz të qytetarëve. Por, fundja qytetarët kanë një detyrim madhor në shoqëri: të gjithë duhet të kthjellohen politikisht, të kujtojnë të vërtetat e tyre, dhe të gjykojnë mbi vlerat e tyre duke i ndëshkuar me votë, pasi vetëm kjo formë i kthen partitë politike shqiptarë drejt bindjeve të mëdha. E gjithë regjia politike varet nga besueshmëria e popullit, prandaj këtë regji ta vlerësojmë e ta gjykojmë sa më drejtë që mundemi, pasi e vetmja formë për t’i kthjelluar ata do jemi ne vetë populli.