LAJMI I FUNDIT:

Mesatarja e vjetërsisë së veturave në Kosovë – 17 vjet

Mesatarja e vjetërsisë së veturave në Kosovë – 17 vjet

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, mori pjesë në panelin diskutues “Ndikimi i veturave në shëndet dhe siguri rrugore”, të organizuar nga KOSID-i, njofton kumtesa nga kjo OJQ, transmeton Koha.net.

Zharku bëri të ditur se sikurse në shumicën e vendeve, edhe tek ne gjendja ekonomike ka ndikuar që përcjellja e teknologjisë së avancuar për ruajtjen e ambientit të jetë në proporcion të zhdrejtë me kërkesat e qytetarëve.


Si pasojë e kësaj gjendjeje, parku i automjeteve ka një mesatare të vjetërsisë prej 17 vjetëve. Përdorimi i këtyre automjeteve ka ndikim negativ në ambientin tonë përmes lirimit të gazrave të dëmshme në atmosferë gjë që ndikon në jetën e përditshme dhe shëndet.

Në Republikën e Kosovës gjatë vitit të kaluar kanë qenë të regjistruara 270.959 automjete. 22.7 për qind prej tyre, gjegjësisht 61.420 janë më të vjetra se 25 vjet që hyjnë në kategorinë e ndotësve të mëdhenj. Vitin e kaluar janë importuar 18.794 vetura.

Në kontigjentin e veturave të importuara për vitin 2015, automjetet të cilat e plotësojnë standardin EURO 3 dominojnë me 50.03 për qind, që mund të konsiderohet situatë e kënaqshme nëse kemi parasysh gjendjen ekonomike dhe fuqinë blerëse të qytetarëve të Kosovës. /Telegrafi/