Merz: Ukraina nuk mund të anëtarësohet në BE derisa është në luftë me Rusinë


Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka deklaruar se Ukraina është vendi që duhet të vendosë për përfaqësimin e saj në negociatat e paqes dhe për palët që e mbështesin në këtë proces.
“Ukraina është vendi i prekur dhe në fund të fundit Ukraina vendos se kush qëndron në anën e saj dhe kush zhvillon negociata”, tha Merz.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian nuk është një palë neutrale apo ndërmjetësuese në konflikt, por një mbështetëse e Ukrainës.
“BE-ja nuk është një palë e tretë neutrale dhe nuk është ndërmjetës; ajo është një palë në anën e Ukrainës. Prandaj, Ukraina vendos gjithashtu se kush negocion për të dhe me të”, u shpreh lideri gjerman.
Duke folur për perspektivën evropiane të Ukrainës, Merz tha se një shtet që ndodhet në luftë nuk mund të bëhet menjëherë anëtar i plotë i Bashkimit Evropian.
“Shteti i Ukrainës, ndërsa është në luftë, nuk mund të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Megjithatë, mund të bëhet anëtar i asociuar dhe më vonë të bëhet anëtar i plotë i BE-së”, deklaroi ai.
Ndryshe, Ukraina tashmë ka nisur negociatat për anëtarësim në BE duke hapur kapitullin e parë. /Telegrafi/



































