LAJMI I FUNDIT:

Merkel fton për dialog dhe respektim të të drejtave në Hong Kong

Merkel fton për dialog dhe respektim të të drejtave në Hong Kong

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha sot se duhet të respektohen të drejtat dhe sundimi i ligjit në Hong Kong, duke u bërë thirrje të dy palëve të shmangin përshkallëzimin dhe të përpiqen ta zgjidhin situatën përmes dialogut, pas disa javë protestash antiqeveritare dhe përplasjeve me policinë.

“Është e nevojshme të bëhet çmos për të shmangur dhunën dhe të gjendet mundësia për një zgjidhje përmes dialogut,” tha Merkel në Berlin.


“Qeveria gjermane po punon për të nxitur dialogun, por në bazë të ligjeve në fuqi në Hong Kong, të cilat sigurojnë lirinë e mendimit dhe shtetin e ligjit”, shtoi ajo.

Merkel theksoi se të drejtat e qytetarëve të Hong Kongut, të garantuara me kthimin e kësaj ish-kolonie britanike në Kinë në 1997, nuk duhet të vihen në dyshim.

Hong Kongu është pjesë e Kinës, por drejtohet nga parimi “një vend – dy sisteme”.

Sot, Kina forcoi retorikën e saj kundër protestuesve, duke ngritur madje frikën e ndërhyrjes së mundshme ushtarake.

Byroja e Marrëdhënieve të Pekinit me Hong Kongun ka raportuar se veprimet e protestuesve nuk janë “ndryshe nga ato të marra nga terroristët”, pasi mbrëmë një oficer policie në veshje civile dhe një reporter i agjencisë kineze të lajmeve shtetërore, sipas pohimeve, u sulmuan nga protestuesit.

Një zëdhënëse e qeverisë gjermane më herët tha se Berlini po monitoron situatën në Hong Kong me “shqetësimin në rritje”. /kp/Telegrafi/