LAJMI I FUNDIT:

Mërgimtarët nga Kosova edhe këtë verë mashtrohen me bileta të aeroplanit (Video)

Mërgimtarët nga Kosova edhe këtë verë mashtrohen me bileta të aeroplanit (Video)

“Adriafly” e la pa ardhur në Kosovë Rexhep Ukajn, i cili jeton në kantonin e Friburgut të Zvicrës.

Ai tregon se më datën 20 qershor, e ka marrë një sms me ofertën e kësaj kompanie, që mund të bëjnë rezervime të biletave për fluturim drejt Prishtinës me çmime shumë të volitshme, raporton KTV.


I joshur nga kjo ofertë, Ukaj kishte paguar biletat për 5 anëtarët e familjes me një çmim prej 1 mijë e 875 frangash zvicerane.

Data kur Ukaj do të udhëtonte me familje, ishte 21 korriku, por një ditë më herët, ka marrë sërish një sms, ku është njoftuar për anulimin e fluturimit dhe mundësinë e kthimit të të hollave.

I është thënë ta kontaktojë agjencinë në këto adresa elektronike.

Ai kishte kontaktuar edhe në të dy numrat e telefonit, në atë të Gjermanisë dhe të Zvicrës, por askush nuk i ishte përgjigjur.

I gjendur në këtë situatë, Ukaj ka kërkuar ndihmën e shoqërisë për të marrë informacione të tjera.

Rexhep Ukaj ka njoftuar policinë e Zvicrës, dhe pret që kjo çështje të zgjidhet dhe shuma prej 1 mijë e 875 frangash ti kthehet prapë.

Ai thotë se mund të kishte rezervuar bileta edhe në të tjera kompani fluturimesh, por ofertat kanë qenë shumë të shtrenjta.

Rexhep Ukaj u bën thirrje të tjerëve, që nëse janë mashtruar nga kjo kompani, të bëhen bashkë dhe të luftojnë deri në fund për ndaljen e mashtrimeve dhe hajnive të tilla.

Ekipi i Kohavisionit, po ashtu, ka tentuar të komunikojë me zyrtarë të kompanisë së fluturimeve “Adriafly”, por askush nuk e ka hapur telefonin.

Pyetjet e nisura në emailet e kompanisë, janë kthyer mbrapsht, sikur të mos ekzistonin këto adresa fare.