LAJMI I FUNDIT:

Mërgata vazhdon me rekordin e remitencave, për shtatë muaj u sollën mbi 80 milionë euro më shumë në Kosovë

Mërgata vazhdon me rekordin e remitencave, për shtatë muaj u sollën mbi 80 milionë euro më shumë në Kosovë

Pavarësisht krizës ekonomike botërore të shkaktuar nga agresioni ushtarak rus në Ukrainë që nga shkurti i 2022-së, mërgata vazhdon të kontribuojë në dërgimin e parave për familjet e tyre në Kosovë.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovë (BQK) mbi dërgesat nga jashtë, tregojnë se nga muaji janar deri në korrik 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, diaspora jonë ka dërguar 81.5 milionë euro më shumë, shkruan Telegrafi.


Për këtë periudhë, vlera më e lartë ishte gjatë muajit maj me 126.6 milionë euro nga totali prej mbi 751.8 milionë euro.

Duke iu referuar kanaleve të dërgimit, BQK-ja thotë se, 429.6 milionë euro janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parëve, kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale dhe kanaleve alternative.

Për sa i përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës. Nga ky vend kanë ardhur 37.4 për qind e dërgesave, ndjekur nga Zvicra me 18 për qind, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 7.4 për qind, Austria me 4.9 për qind dhe Italia me 4.5 për qind.

Remitencat sipas kanaleve të dërgimit, janar-korrik 2023 | Burimi: BQK

“Ngadalësimin e rritjes së konsumit e ka ndikuar kryesisht rënia e fuqisë blerëse të konsumatorëve, për shkak të rritjes së çmimeve, ndërkohë që burimet kryesore të financimit si remitencat, kreditë e reja konsumuese, konsumi publik, etj., shënuan rritje”, thuhet në raportin e BQK-së për vlerësimin tremujor të ekonomisë.

Vlera e remitencave të pranuara në tremujorin e parë të 2023-së kanë shënuar rritje prej 12.4 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Struktura e remitencave sipas shteteve mbetet e pa ndryshuar: Gjermania që ka një pjesëmarrje prej 38.8 për qind të remitencave të dërguara, ndjekur nga Zvicra me 17.2 për qind dhe SHBA-ja me 7.6 për qind”, vijon raporti “Vlerësimi tremujor i ekonomisë, tremujori i parë 2023“, përcjell Telegrafi.

Sipas BQK-së, ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në Eurozonë mund të ketë pasur ndikim mbi këto dërgesa, si një e hyrë për ekonominë e vendit tonë.

“Duke konsideruar që pjesa me e madhe e remitancave të pranuara kanë origjinë vendet e Eurozonës apo 57.2 për qind e totalit, ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në Eurozonë mund të ketë implikime mbi këtë të hyrë për ekonominë e Kosovës”, përfundon BQK-ja.

Ndërsa, Banka Botërore thotë se pjesëmarrja e remitencave në Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Kosovës është rreth 20 për qind, ku nga shpallja e pavarësisë janë dërguar rreth 13 miliardë euro.

Mbi 1.5 milion mërgimtarë erdhën në Kosovë, brenda gjashtë muajve u realizuan 10 mijë fluturime
Lexo po ashtu Mbi 1.5 milion mërgimtarë erdhën në Kosovë, brenda gjashtë muajve u realizuan 10 mijë fluturime

Shuma e remitencave të dërguara sipas viteve në Kosovë: 2008 – 858 milionë euro, 2009 – 865 milionë euro, 2010 – 825 milionë, 2011 – 814 milionë euro, 2012 – 775 milionë euro, 2013 – 867 milionë euro, 2014 – 901 milionë euro, 2015 – 796 milionë euro, 2016 – 808 milionë euro, 2017 – 911 milionë euro, 2018 – 1.13 miliard euro, 2019 – 1.23 miliard euro, 2020 – 980 miliard euro, 2021 – 1.14 miliard euro dhe 2022 – 1.2 miliard euro.

Për sa i përket vizitës së diasporës në vend, Në gjashtë muajin e parë të vitit 2023, duke e shfrytëzuar Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” kanë ardhur dhe shkuar mbi 1.5 milion mërgimtarë.

Gjatë kësaj periudhe janë realizuar mbi 10,400 fluturime, ku numri më i madh është nga Zvicra, ndjekur nga Gjermania, Turqia dhe Austria.

Numër më i madh i ardhjes dhe shkuarjes së mërgimtarëve është realizuar gjatë muajve prill dhe maj, ku kanë ardhur në total 586,157 udhëtarë me 4,040 fluturime.

Nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë. /Telegrafi/