“Një shëtitje e shkurtër, gjatë rrugës së vjetër të postës, mjafton për të zbuluar krizën e kryeqytetit… Atje, tek një rrugë e errët, e vrenjtur, e ngushtë, dëgjova psherëtimën e malësorit…”, thoshte Nonda Bulka, në rrëfimin e tij “Intervistë me malësorin”.

Pak a shumë të njëjtën e thoshte edhe regjisori i madh polak, Krzystof Kieslowski, në dokumentarin “I’m So-So” (“As mirë, as keq!”).

Për ta pasqyruar jetën ashtu si ishte – në kohën e komunizmit – ai dhe regjisorët e gjeneratës së tij merreshin me ato që ai i quante mikrobotë, me temat si “Spitali”, “Shkolla”, “Fabrika”, “Zyra”… Në këtë mënyrë, të thjeshtë dhe të lehtë, ata pasqyronin anomalitë e tërë sistemit komunist polak; në këtë mënyrë i rrënuan të ashtuquajturat idealet e rrejshme të vëllazërisë, lirisë dhe drejtësisë, sepse asnjë nga këto në komunizëm nuk ishte e vërtet!

Si ia arrinin kësaj?

Gjithçka niste me ide kuazi-propagandistike, insinuatat te autoritetet se do të bëjnë realizime në favor të regjimit. Por, në fakt, realiteti që në fund paraqisnin ata, hallet dhe problemet reale të njerëzve të rëndomtë, ia hapnin varrin regjimit komunist dhe Paktit të Varshavës.

“I kemi bërë filmat më të mirë kundër shtetit, me para të shtetit”, do të thotë më 1990, regjisori Krzystof Zanussi.

Për t’u bindur në këtë, vlen t’i bëhet një analizë e shkurtë filmit “Szlowiek z marmuru” (“Njeriu i mermertë”), të regjisorit të madh polak Andrzej Wajda, të realizuar më 1977.

Wajda kërkon të vërtetën në këtë film, ndërsa e vërteta është se partia e klasës punëtore vepron kundër interesave të klasës që përfaqëson. Ai paraqet realitetin e “shtetit të punës” ku punëtorët që protestojnë për kushte më të mira quhen “elemente huligane dhe antisocialiste”, ose vriten nga Policia.

Filmi i ngjan enigmës së Orson Wellesit te “Citizen Kane” (“Qytetari Kane”). Një studente e regjisë së filmit, Agnieszka, punimin e diplomës ia përkushton dokumentarit të “heroit të harruar të klasës punëtore”, muratorit Wlateusz Birkut, i cili është glorifikuar nga propaganda shtetërore e kohës së Stalinit në një mit nacional, e më vonë në mënyrë misterioze denoncohet dhe zhduket pa gjurmë.

Për ta gjetur përgjigjen, ajo hulumton në të kaluarën: dokumentarët për Birkutin dhe për qytetin e ri industrial të Nova Hutës, si dhe intervistat me njerëzit që e kanë njohur dikur atë. Ajo takon edhe regjisorin Jerzy Burski, i cili kishte marrë pjesë në krijimin e mitit “Birkut”.

Kërkimi i së vërtetës e obligon regjisoren e re të hulumtoj edhe arkivat e ndaluara të regjimit. Kështu, ajo zbulon se parimet e komunizmit binin tërësisht në kundërshti me doktrinën partiake.

Gjatë hetimit, Agnieszka merr vesh se Nova Huta nuk ishte produkt i ëndrrave romantike komuniste, por i punës së rënd të ndërtimtarëve, në kushte primitive dhe pa ushqim të mjaftuar. Për ta realizuar planin e ndërtimit, regjimi – përmes regjisorit të porsadiplomuar, Burski – donte ta krijonte mitin e një muratori i cili me gjashtë ndihmës shtron 20 000 tulla brenda një ndërrimi.

Atëherë ata gjejnë një idealist naiv, fshatarin Birkut, i cili verbërisht përpin propagandën sovjetike dhe pranon të jetë personazh kryesor i kronikës “Ndërtuesit e lumturisë sonë”.

Kronika e bënë Burskin regjisor të njohur, ndërsa Birkutin hero, model të ardhshëm të pikturave dhe skulpturave të mermerta socrealiste.

Birkuti dhe ekipi i tij shkojnë në vende të ndryshme për të “ligjëruar teknikën revolucionare” të muratorisë. Por, punëtorët nuk e duan, sepse e shohin atë si pjesë të dredhisë për të rritur padrejtësisht normat e punës. Prandaj, vendosin ta sabotojnë duke vënë tulla të nxehta pranë tij. Birkuti i kap ato. Duart e tij digjen, ditët e tij si murator marrin fund…!

Atëherë ai humb dëlirësinë e tij dhe kupton se sa cinike ishte ideja që e ka bërë atë të jetë legjendë. Ai përjeton zgjim të vetëdijes sociale dhe fillon t’u bëjë pyetje sfiduese autoriteteve komuniste, të cilat më vonë rezultojnë me fundin e tij.

Pas këtij aksidenti, paraqitet figura e vërtet, e heroit real e jo të një heroi fiktiv.

Thomas Carlyle, në veprën e tij “Heronjtë, adhurimi i heronjve dhe heroizmi në histori” (1841), i definon heronjtë si figura politike dhe ushtarake që kanë themeluar apo përmbysur shtetet e mëdha. Përkufizimi i tillë për heronjtë, në kohët moderne, nuk qëndron shumë. Hero sot, në Perëndim, është çdokush që imponon dhe ndihmon në ndryshimet e mëdha shoqërore, politike dhe shkencore.

I tillë bëhet edhe Birkuti. Ai e di se hero mund të jetë çdo person i rëndomtë, por hero i vërtet është vetëm ai që lufton rrethanat e pazakonshme.

Kështu, pas aksidentit aktivizohet në komitetet e punëtorëve dhe autoritetin e tij të mëparshëm e përdor për të përmirësuar kushtet e punës në Nova Huta. Kur shoku i tij Witek arrestohet, Birkut nisë kampanjën e shfajësimit të tij, te Komiteti Qendror në Varshavë. Por, veprimtaria e tij bllokohet. I zhgënjyer, Birkut jepet pas pijes dhe një ditë e hedh një tullë në zyrën e Sigurimit Shtetëror.

Gjatë realizimit të dokumentarit, kuptohet se Birkuti dhe Witeku janë arrestuar më 1952 dhe se janë liruar më 1956. Birkuti mendon t’i kthehet gruas, pas lirimit, por tashmë ajo i takonte dikujt tjetër. Nga djali jashtëmartesor i tij, Maciek Tomczyk, në fund kuptohet se Birkut ka vdekur më 1970, gjatë shuarjes së revoltës punëtore në Gdansk…

Nuk do të ndalemi më shumë te ngjarja e as te stili dhe arti i regjisorit Wajda i shprehur në këtë film, por më shumë te mesazhi. Ai donte që përmes këtij filmi shikuesi ta njohë veten dhe biografinë e tij reale. Po ashtu, përmes heroinës së tij ai na bën me dije se filmbërësit duhet ta tregojnë të vërtetën, ashtu si është, e jo të inskenuar për qëllime karrieriste sipas modelit Burski.

Edhe diçka tjetër e bën të veçantë këtë film. Kinematografia socrealiste donte ta paraqiste zhvillimin revolucionar jo ashtu siç ishte, por ashtu siç donte regjimi. Wajda e bën të kundërtën, dhe kjo pasqyrohet edhe në filmin e tij të ardhshëm, “Człowiek z telaza” (“Njeriu i çeliktë”), të vitit 1981. Në këtë film, personazh kryesor është Maciej, djali i Birkutit nga “Njeriu i mermertë”. Këtu ai është i angazhuar në lëvizjen punëtore të Gdanskit, në një tërheqje paralele dhe pothuaj identike me liderin e Solidaritetit, Lech Walesa (i cili shfaqet në këtë film).

Wajda kërkon sinqeritetin, dhe atë në një shoqëri represive që vazhdimisht synonte të ruaj fiksionet për një shoqëri ideale socialiste. Ai merr pjesë në ngritjen e vetëdijes nacionale, edhe pse arrestohet dhe anatemohet nga regjimi komunist. Por, ai nuk mund të jetë i paanshëm, sepse siç ka thënë George Bernard Shaw: “Indiferenca është esenca e mizorisë”.

Këtë, në mënyrën më të mirë e shpjegon edhe Kieslowski në kryeveprën e tij, filmin “Przypadek” (“Rastësia”), të vitit 1981; me tri versione të jetës së personazhit kryesor, që burojnë nga zhvillime të ndryshme të një momenti të vetëm. Në rastin e parë ai bëhet aktivist politik dhe zhgënjehet; në rastin e dytë i takon ilegales dhe keqkuptohet; në rastin e tretë është neutral dhe vdes!

Wajda, Kieslowski dhe Zanussi, janë protagonistët kryesorë të së ashtuquajturës Kinemaja e Ankthit Moral. Duke i njohur këta regjisorë, dhe punën e tyre, njeriu bindet lehtë në shterpësinë ideore të krijuesve të Kosovës, të cilët në një shoqëri tranzicioni, të porsadalë nga lufta, me mija anomali dhe probleme, nuk arrijnë ta bëjnë asnjë vepër kinematografike që do ta nxiste publikun ta shohë atë dy herë (ose së paku një herë me vëmendje deri në fund).

Arsyetimet e tyre për dështim, dhe deklaratat se filmi i mirë bëhet me buxhet disa milionësh, i ngjajnë dokumentarit të vitit 1979, “Gadajace glowy” (“Kokët që flasin”), të Kieslowskit.

Më shumë se 100 njerëz pranojnë tri pyetje, disa ditë para incizimit (për të pasë kohë për të menduar). Kur ke lindur? Kush je ti? Cilat janë dëshirat e tua? Ky ishte thelbi i dokumentarit. Por, përgjigjet e tyre pasqyronin konfuzionin politik dhe intelektual. Shumica flisnin për lirinë universale, zhvillimin e demokracisë dhe të tolerancës ekzistuese! Ata nuk e dinin se çka kërkonin, nuk dinin se cilat janë dëshirat që mund të realizohen e që duhet të realizohen, e as nuk ishin të aftë për të marrë vendime.

Por, një plakë 100-vjeçare është e sinqertë. “Dua të jetoj më shumë”, thotë ajo.

Nga njerëzit e tillë inspiroheshin regjisorët e Kinemasë së Ankthit Moral. Nga njerëzit e rëndomtë ata krijuan vepra të mëdha.

Por, të ndalemi prapë te “Njeriu i mermertë”. Më 1962 Wajda diskuton me regjisorët e njohur të asaj kohe, Jerzy Stawinski dhe Jerzy Bossak, për synimet e tij për të bërë një film që do të tërheq vëmendjen e publikut polak. Papritmas, ai e gjen temën. Ajo fillon me një anekdotë, të cilën Jerzy Bossak e kishte lexuar në një gazetë: një murator shkon në zyrën e punësimit, por atij nuk i ofrohet puna në një fabrikë hekuri në Nova Huta, sepse ata tani kishin nevojë vetëm për mjeshtër çeliku. Një nga nëpunësit e njihte fytyrën e tij. Ai ishte lider i klasës punëtore, muratori yll i rendit të shkuar stalinist.

Rrëfimet e tilla, të ngjashme si kjo, botohen me vite të tëra në mediat e Kosovës. Por, ja që njerëzit e rëndomtë, si muratorët, janë shumë të vegjël për regjisorët tanë.

NASA ndoshta është burim i mirë për ambiciet e tyre.

Ama, këtu nuk ka Kinema të Ankthit Moral, e as Kinematografi, por vetëm Ankth.

(Ky shkrim, me titullin “Njerëzit e mermerit dhe të çelikut”, është botuar më 2007, me rastin e 30-vjetorit të kryeveprës së Wajdas, “Njeriu i mermertë”, dhe 30-vjetorit të Kinemasë së Ankthit Moral)