LAJMI I FUNDIT:

Mehmeti letër prestigjiozes The Economist: Trajtojeni Kosovën si shtetet tjera, do t’iu ofrojmë ndihmën e nevojshme

Mehmeti letër prestigjiozes The Economist: Trajtojeni Kosovën si shtetet tjera, do t’iu ofrojmë ndihmën e nevojshme

Guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti ka kërkuar përfshirjen e Kosovës si shtet, në gazetën prestigjioze The Economist.

Në letrën që i është dërguar drejtuesve të kësaj gazete, Mehmeti ka potencuar faktin se Kosova nuk paraqitet si shtet i veçantë, andaj ka kërkuar nga drejtuesit e The Economist që vendi të trajtohet në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera në seksionet përkatëse të gazetës.


“Republika e Kosovës ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008 dhe që nga atëherë është njohur nga 117 shtete. Në mesin e shteteve që kanë dhënë kontributin kryesor për pavarësinë e Kosovës është edhe Britania e Madhe, e cila ishte edhe ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e vendit tonë. Për më tepër, Kosova është anëtare me të drejta të plota në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe në institucione tjera financiare ndërkombëtare”, ka shkruar Mehmeti.

Sipas tij, BQK është e gatshme që të ofrojë të gjithë ndihmën e nevojshme kësaj gazete.

“Kjo gazetë është një burim i rëndësishëm i analizave mbi biznesin ndërkombëtar dhe çështjet botërore, ku vëmendje e veçantë në vazhdimësi i është kushtuar edhe rajonit të Evropës Juglindore, ku bën pjesë edhe Republika e Kosovës. Institucionet e Kosovës përpilojnë të dhëna kredibile ekonomike e financiare, në përputhje të plotë me standardet përkatëse ndërkombëtare. Ne do të ishim shumë të lumtur të jemi në dispozicionin tuaj për të ju ofruar të gjithë ndihmën e nevojshme për një qasje sa më të shpejtë në të gjitha të dhënat që mund të ju nevojiten rreth ekonomisë dhe sistemit financiar të Kosovës”, ka përfunduar Mehmeti në letrën drejtuar The Economist. /Telegrafi/