LAJMI I FUNDIT:

Mehmeti kërkon nga Presidenca që të mos dekretohet guvernatori i ri i BQK-së: Procesi për këtë pozitë ka pasur parregullsi

Mehmeti kërkon nga Presidenca që të mos dekretohet guvernatori i ri i BQK-së: Procesi për këtë pozitë ka pasur parregullsi
Foto: Arkiv

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 56 vota e kanë zgjedhur Ahmet Ismailin si guvernator të ri të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), derisa kundërkandidati i tij, Lulzim Ismajli ka marr vetëm katër vota.

Mirëpo, sipas ish-guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmeti procesi i rekrutimit për këtë pozitë ka pasur parregullsi.


Mehmeti për Telegrafin ka konfirmuar se i ka dërguar letër presidentes Vjosa Osmani, i cili ka kërkuar që të mos e dekretojë guvernatorin Ismaili.

“Marrë parasysh detyrat dhe përgjegjësitë e guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, pasi që duhet ta udhëheqë njërin nga dikasteret më të rëndësishme të vendit, luteni shumë që para ndërmarrjes së hapave për dekretimin e personit të propozuar të kërkoni sqarime për mënyrën e përzgjedhjes së tij dhe shkeljet që janë bërë gjatë fazave paraprake dhe të ndaloni këto parregullsi, pasi që e them me bindje të plotë që përveç shkeljeve ligjore dhe mosrespektimit të rregulloreve për rekrutim, është bërë edhe shkelje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës e që është akti më i lartë juridik i shtetit”, thuhet në letrën e Mehmetit.

Ahmet Ismaili zgjidhet guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës
Lexo po ashtu Ahmet Ismaili zgjidhet guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës

Ai shton se shkeljet kanë ndodhur duke filluar nga Bordi i BQK-së, pabarazia dhe mosndërmarrja e hapave të duhur nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere me rastin e evidentimit të shkeljeve.

“Shkeljet që kanë ndodhur gjatë procedurës rekrutuese, duke filluar nga ajo që Bordi Drejtues i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës ka shpallur konkursin e dytë për pozitën e njëjtë pa nxjerrë vendimin për anulimin e konkursit të parë, po ashtu diskriminimi dhe pabarazia që ka ndodhë në fazat e procedurës, e vlen të përmendet edhe mosndërmarrja e hapave adekuatë nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere me rastin e evidentimit të shkeljeve flagrante dhe mospërfilljes së procedurave të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi e po ashtu tërheqja nga monitorimi i procesit i Komisionit Britanik, duke më lënë pa zgjidhje tjetër, ju drejtohem juve si niveli më i lartë i vendit që të mos e bëni dekretimin e propozuar për Guvernator të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës pasi që dekretimi i tij prej anës suaj do të ngarkonte edhe ‘shkeljen’ e radhës në këtë proces”, shton ai.

Në bazë të Ligjit për Bankën Qendrore të Kosovës, guvernatori si kryeshef ekzekutiv i këtij institucioni është pjesë e Bordit dhe kryesues i Bordit Ekzekutiv.

Sipas procedurave, emri i guvernatorit të BQK-së do të shkojë për dekretim të presidentja Osmani.

Përsëritet konkursi për guvernator të BQK-së
Lexo po ashtu Përsëritet konkursi për guvernator të BQK-së

Më 7 prill 2023, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i kishte rekomanduar Kuvendit që procesi të kthehej në pikën zero. Ky rekomandim nuk ka shkuar në seancë për votim. Pavarësisht kësaj BQK-ja kishte shpallur konkursin e dytë për guvernator të BQK-së.

Ahmet Ismaili dhe Lulzim Ismajli të dalë nga konkursi i dytë që ishte i hapur deri më 21 qershor.

Prej 29 marsit, Bashkim Nurboja ishte emëruar ushtrues detyre i guvernatorit të BQK-së. /Telegrafi/