LAJMI I FUNDIT:

Për gazsjellësin TAP, puna vazhdon në det

Për gazsjellësin TAP, puna vazhdon në det

Gati gjysma e punimeve për ndërtimin e gazsjellësit Trans-Adriatik në Shqipëri ka përfunduar. Këto dy vite përbëjnë fazën më intensive të projektit dhe do të injektojnë në ekonominë shqiptare rreth 800 milionë euro në total.

“Vlera e investimit total të TAP-it, duke filluar nga viti 2016 por edhe më herët, deri në kompletimin e fillimin e operacioneve është në nivelin e 1.5 miliardë eurove. Sigurisht vitet 2017 dhe 2018 janë ato më intensive të projektit dhe është e pritshme që niveli i investimit në secilin prej tyre të jetë diku te 400 milionë euro”, tha Shkëlqim Bozgo, drejtor i TAP-it për Shqipërinë.


Kjo shifër është sa 4% e prodhimit kombëtar. Ndërkohë që numri i të punësuarve drejtpërdrejt të TAP-it në Shqipëri është më shumë se 2.000. Gjurma e gazsjellësit nis në afërsi të Kipoit, në kufirin mes Turqisë dhe Greqisë, kurse në Shqipëri përshkon qytetet Korçë, Berat dhe Fier, e del më pas në det për t’u lidhur me shtetin fqinj, Italinë.

“Pjesa në det nis në vitin 2018 dhe zgjat për disa muaj. Është pjesa më e lehtë, për shkak të zhvillimit teknologjik. Pastaj viti 2019 do të jetë periudha e testimit dhe komisionimit të projektit, sikurse mbushja me gaz”, tha më tej Shkëlqim Bozgo.

Gazi i parë do të transportohet nga fushat e Azerbajxhanit në Europën Perëndimore në vitin 2020.