Massimiliano Allegri ka disa dyshime, dy ditë para finales së Kupës së Italisë kundër Interit, që kanë të bëjnë kryesisht me mesfushën dhe mbrojtjen.La Gazzetta dello Sport raporton se trajneri i Juventusit ka marrë lajme të mira, pasi Luca Pellegrini mund të jetë në gjendje të startojë para Alex Sandros, megjithëse akoma nuk e ka marrë vendimin final.

Rikuperimi i Manuel Locatellit bën që Allegri të mendojë nëse do të luajë me dy apo tre mesfushorë dhe nëse ish-lojtari i Sassuolos do të ketë vend në formacionin bazë.


Si qëndrojnë gjërat deri më tani, Denis Zakaria dhe Adrien Rabiot pritet të startojnë në qendër të mesfushës.

Dyshimi final i trajnerit ka të bëjë me qendërmbrojtësit. Trajneri mendon të startojë me Matthijs de Ligt dhe Giorgio Chiellini, por në këtë rast duhet ta lë jashtë Leonardo Bonuccin – një tjetër vendim që akoma nuk është marrë dhe do të shqyrtohet gjatë të martës.

Finalja e Kupës së Italisë ndërmjet Juventusit dhe Interit zhvillohet të mërkurën (11 maj) në Stadio Olimpico të Romës. /Telegrafi/

telegrafi sport app