LAJMI I FUNDIT:

Mbretëresha

Mbretëresha

Nga: Daut Dauti

‘The Crown’ (Kurora) është seria e cila është duke ngjallur interesim të madh dhe deri më tani është më e shikuara në Netflix.


Është dramë që përbëhet nga katër seri që kanë nga tetë apo nëntë episode. Siç shihet nga titulli, fjala është për jetën e mbretëreshës britanike, Elisabeth II, e bazuar në fakte historike.

Pra, këtu paraqitet jeta e ‘zakonshme’ familjare në pallat, por duke e mbajtur obligimin e mbretëreshës në politikë si rol primar.

Që nga viti 1952, kur Elisabeth merr fronin në moshën 25-vjeçare, duke e shfrytëzuar fuqinë e saj prerogative, ka luajtur rol të madh në politikën britanike dhe atë botërore. Ajo sot është 94-vjeçare dhe ka emëruar në pushtet dhe përcjellë nga pushteti 14 kryeministra britanikë, duke filluar me Winston Churchillin e deri sot me Boris Johnsonin. Por, ajo është kryesuese edhe e shteteve të Komonueltit që shtrihen nga Kanada, Afrika, Azia, Australia e deri në Zelandë. Duke i pasur këto shtete parasysh, ajo deri sot ka emëruar 170 kryeministra.

Fuqia e saj është e madhe. Kushtetuta i jep pushtet të pakufishëm, por mundësia e ekzekutimit, siç shohim edhe në këto seri, është tejet e kufizuar. Prandaj, roli i saj në këto seri është ilustruar me të gjitha ngjarjet kryesore që kanë ndodhur në Britani dhe në botë pas Luftës së Dytë botërore e deri në fillim të viteve të ‘90-ta.

Janë interesante bisedat që zhvillohen në takimet e kryeministrave me mbretëreshën. Duhet dalluar kontaktin zyrtar të saj me tre kryeministra. Churchilli është shumë i rëndësishëm dhe është mësuesi i saj i parë dhe kryesori në politikë. Prandaj, ajo zhvillon një dashuri për Churchillin – politikanin konservator dhe gjigantin e politikës britanike dhe botërore.

I dyti është kryeministri laburist, Harold Wilson, i cili, me ardhje në pushtet, sjellë frikë në pallat për shkak se kabineti i tij favorizon abolimin e monarkisë. Për Wilsonin, mbrojtësin e klasës punëtore, janë shpërndarë edhe thashetheme se është spiun rus. Siç zbulohet, asgjë nuk është e vërtetë. Mbretëresha spiunin rus e ka brenda në pallat (Anthony Blunt). Wilson del ndër kryeministrat më të dashur, më të suksesshëm e më patriot të mbretëreshës dhe kjo është befasi e këndshme. Paraqitja publike e Wilsonit është e një politikani të aftë, i cili e ka të qartë se si fitohet përkrahja e publikut – votuesit.

Kryeministri, gjegjësisht kryeministrja e tretë karakteristike, është Margaret Thatcher. Të gjithë kanë menduar se tashti dy gratë me pushtet do të bashkëpunojnë mirë. Por, del e kundërta. Thatcher është tejet e papërshtatshme. Ajo nuk ka njohuri dhe as ndjenja për Komonueltin siç i ka mbretëresha. Janë dy gra me ndërtime të ndryshme të pikëpamjeve. Konflikti mes këtyre dy grave të pushtetshme është permanent. Thatcher është bijë e një dyqanxhiu e cila katapultohet (tërësisht me meritë) në majen e aristokracisë dhe pushtetit britanik. Ajo nuk i kupton protokollet e monarkisë dhe ky është shkak që anëtarët e familjes mbretërore e shpotisin dhe me snobizmin e tyre e shikojnë nga lart. Por, Thatcher e ka të qartë atë që dëshiron ta arrijë. Bija e dyqanxhiut e ndryshon (për të mirë e për të keq) partinë konservatore dhe tërë Britaninë. Vizioni i saj ka sukses. Nëpërmes Thatcherit shohim se sa i ëmbël është pushteti dhe sesi politikanët ia ngulin thikat njëri-tjetrin në shpinë. Ajo dëshiron të qëndrojë në krye të qeverisë edhe pas 11 viteve kur askush më nuk e do. Prandaj, qanë si fëmijë në momentin kur partia e saj e detyron të largohet nga “10 Downing Street”.

Shkuarja e Thatcherit nga pushteti bëhet me ardhjen e Dianas në skenë, gruas e cila në mënyrë tjetër sjell ndryshime në monarkinë britanike. Në fakt, i tërë filmi përshkohet me relacionin politik të Pallatit me Qeverinë, duke mos i lënë anash vështirësitë e monarkisë për ndryshim dhe përshtatje me realitetin në shoqërinë britanike që prore lëvizë. Ndryshimi është kusht për mbijetesë dhe mbretëresha e ka kuptuar këtë fakt të rëndësishëm. Suksesi i mbretëreshës është sukses i një numri të madh të këshilltarëve të saj dhe politikanëve. Kjo është mënyra se si politika britanike funksionon duke e pasur monarkinë kushtetuese në qendër.

Ata që dëshirojnë të kenë njohuri për rolin e monarkisë në politikën britanike dhe botërore, duhet t’i shikojnë këto seri. Lajmet bëjnë me dije se vetë mbretëresha i ka shikuar dhe është ndarë e kënaqur me seritë. Aktrimi, regjia, skenografia dhe gjithçka tjetër kanë treguar rezultat të shkëlqyeshëm.