LAJMI I FUNDIT:

Mbjelljet pranverore duhet të përfundojnë në pjesën e parë të majit

Mbjelljet pranverore duhet të përfundojnë  në pjesën e parë të majit

Fermerët në vendin tonë nga viti në vit po i shtojnë sipërfaqet e mbjella me kultura pranverore. Drejtori i Departamentit të Politikave Bujqësore dhe Tregtisë në Ministrinë e Bujqësisë, Isuf Cikaqi, tregon se faza e mbjelljeve pranverore tashmë ka filluar, dhe sipas tij, ato duhet të përfundojnë deri kah gjysma e muajit maj.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vendin tonë janë planifikuar që sivjet me kultura pranverore të mbillen rreth 100 mijë hektarë. Si çdo vit tjetër edhe sivjet dominon kultura e misrit. Drejtori i Departamentit të Politikave Bujqësore dhe Tregtisë në Ministrinë e Bujqësisë, Isuf Cikaqi, tha për Radio Kosovën se mbjelljet kanë filluar dhe shpreson se ato do të përfundojnë brenda afatit optimal.

“Kur po flasim për mbjelljet pranverore, sipas statistikave, parashihet të mbillen 100 mijë hektarë. Dominon kultura e misrit, pastaj vjen patatja me 7 mijë hektarë”, tha Cikaqi

Ndërkaq Imer Rusinovci, profesor në Fakultetin e Bujqësisë, thotë se lëvrimi i këtyre sipërfaqeve, është dashur të bëhet në vjeshtë. Rusinovci rekomandon për të gjithë bujqit që të fillojnë përgatitjet për mbjelljet pranverore, sidomos për të mbjellat me sipërfaqe të mëdha siç është misri dhe patatja, të cilat dominojnë në strukturën e tokës bujqësore në vend.

“ Aktualisht ndodhemi në periudhën kur fermerët duhet të zbatojnë me përpikëri përpunimin plotësues”, tha Rusinovci.

Ndërkaq, Selmon Shala, bujk nga Peja, thotë se sivjet ai ka planifikuar të mbjellë tre hektarë me patate. Sipas tij, reshjet e fundit nuk kanë ndikuar në procesion e të mbjellave, për arsye se toka në rajonin e Pejës është e kullueshme. Shala thotë se kulturën e patates ai e prodhon për tregun e brendshëm.

“Kemi planifikuar tre hektarë me patate, ndërkaq një hektar me misër, por ende nuk është koha, ndërkaq pataten e mbjellim për treg të brendshëm, këtu në rajonin e Pejës”, tha ai.

Sa i përket furnizimit me farë dhe plehra artificiale tregu kosovar është mjaft mirë i furnizuar me to, por bujqit ankohen për çmime të larta. Ndryshe afati i të mbjellave pranverore është më i gjatë se ai i të mbjellave vjeshtore. Ato nisin në fillim të muajit mars, me mbjelljen e tërshërës dhe patates së hershme dhe vazhdojnë deri në fund të muajit maj me mbjelljen e perimeve në fushë të hapur./RTKLive/ /Telegrafi/