“Mbi antisemitizmit” nga Mark Mazower - analizimi i paragjykimeve

Në librin Mbi antisemitizmin: Fjala në histori [On Antisemitism: A Word in History], historiani Mark Mazower shqyrton fenomenin e vjetër të urrejtjes ndaj hebrenjve dhe lindjen e një fjale për ta përkufizuar këtë dukuri.
Nga: Rafael Behr / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Disfata e Adolf Hitlerit nuk ia dha fundin paragjykimin ndaj hebrenjve në Gjermani apo në ndonjë vend tjetër. Por, sipas gjykimit të Mark Mazowerit, Rajhu i Tretë “e diskreditoi antisemitizmin si program pozitiv për dekadat në vijim”.
Është një kthesë frazeologjike, sepse e bën ballafaqimin me Holokaustin, pas Luftës së Dytë Botërore, të tingëllojë më shumë si trend në politikën publike sesa si domosdoshmëri morale. Por, ky është qëllimi. Mazoweri, profesor i historisë në Universitetin e Kolumbias, flet për një shfaqje të veçantë të ndjenjës antihebreje që u ngrit dhe ra brenda një periudhe relativisht të shkurtër.
Fjala kyçe, disonante në kontekstin e një masakre masive, është “pozitive”. Njerëzit nuk pushuan së urryeri hebrenjtë pas vitit 1945, por kuptuan se kishte një kosto elektorale për t’u mburrur me këtë urrejtje. Stili i zhurmshëm dhe krenar i antisemitizmit u përjashtua nga kryeqendrat politike.
Libri i Mazowerit përmban shumë dallime të tilla - kthesa të imta të këndvështrimit që sjellin në fokus nuanca të ndryshme të armiqësisë personale dhe ideologjike. Teza themelore nuk është kontestuese, të paktën jo si historiografi. Masakrat mesjetare, pogromet cariste, vrasjet industriale nga nazistët, përndjekjet sovjetike dhe sulmet terroriste ndaj Izraelit i përkasin një kategorie të vetme për aq sa hebrenjtë identifikohen si viktima. Por, ato janë gjithashtu funksione të konteksteve të ndryshme ekonomike, fetare dhe politike të cilat, nga këndvështrimi i historianit, nuk mund të përmblidhen me një fjalë të vetme.
Para se të arrish te detyra për të krahasuar motivet e paragjykimit, ekziston problemi i përkufizimit të vetë objektivit. Judaizmi është i lashtë, por ka evoluar hebrenjësia si identitet dhe, rrjedhimisht, si një grup karakteristikash për t’u përçmuar. Shumë nga shprehjet e saj aktuale laike do të ishin vështirë të kuptueshme për komunitetet e devotshme fetare në Evropën paramoderne. E, megjithatë, ritualet shekullore të besimit mbeten shtyllë e fortë e lidhjes kulturore edhe për hebrenjtë ateistë sot. Të tilla janë paradokset me të cilat përballet Mazoweri për të sjellë më shumë saktësi në kuptimin e antisemitizmit.
Historia fillon me krijimin e fjalës në fund të shekullit XIX në Gjermani. Koncepti është i stampuar në fiksimet intelektuale dhe politike të vendit dhe kohës - ngritja e nacionalizmit si parim organizues për shtetet evropiane dhe pseudoshkenca shoqëruese e dallimeve dhe hierarkive racore.
Për Mazowerin, është e rëndësishme të dallojë këtë bashkim relativisht të vonshëm të ndjenjës antihebreje si nxitës i aktivizmit politik nga brezat e mëparshëm të armiqësisë. Ai është veçanërisht kritik ndaj prirjes për ta trajtuar antisemitizmin si fenomen po aq të vjetër sa vetë judaizmi - vendosjen e mizorive të shekullit XX në një vijë të pandërprerë urrejtjeje që shkon pas te rrëfimet biblike të mërgimit dhe edhe më tej te skllavëria nën faraonët. Qëllimi i tij nuk është të mohojë listën e gjatë të regjimeve dhe shoqërive që kanë keqtrajtuar popullsinë hebreje, por të kundërshtojë fatalizmin që ngatërron fenomenet moderne politike me tregimet e shkrimeve të shenjta dhe liturgjike të vuajtjes dhe përndjekjes.
Kjo bëhet veçanërisht e rëndësishme - dhe në mënyrë të pashmangshme, e debatueshme - kur kronologjia e Mazowerit arrin te krijimi i Izraelit modern. Ishte sfidë të bësh dallim mes formave të armiqësisë ndaj hebrenjve përpara vitit 1948. Kjo bëhet jashtëzakonisht më e vështirë sapo skena zhvendoset në Lindjen e Mesme.
Në vitin 1920, vendi të cilin shumica e hebrenjve e quanin shtëpi ishte diku në Evropë. Deri në vitin 1950, ishte ShBA-ja. Tani është Izraeli, ku një qeveri nacionaliste radikale paraqitet si mishërimi dhe si e vetmja shprehje legjitime politike e interesave hebraike në mbarë botën. Ky është një rikonfigurim ekstrem i projektit origjinal sionist. Nuk është pikëpamje që mbështetet nga shumë hebrenj të diasporës dhe as nga izraelitët liberalë.
Mazoweri përpiqet të jetë sistematik në paraqitjen e arsyeve të ligjshme për kundërshtimin politik ndaj veprimeve të shtetit izraelit dhe në identifikimin e pikës ku ashpërsia e caktuar në dënim kalon në antisemitizëm. Është e mundur të shprehësh zemërim për vdekjet e civilëve në Gazë, pa rënë në teoritë e vjetra konspirative që e përshkruajnë popullin hebre si një elitë të veçantë globale e të përgjakshme. Është e mundur të kërkosh drejtësi për palestinezët pa kërkuar shkatërrimin e Izraelit.
Turma izraelitësh që protestojnë kundër qeverisë së Benjamin Netanyahut e bëjnë këtë gjë vazhdimisht. Ata nuk janë të gjithë antisemitë që kërkojnë shkatërrimin e vetvetes dhe të vendit të tyre. Por, kjo nuk do të thotë se akuza e antisemitizmit nuk u drejtohet prej ultra-sionistëve fanatikë të cilët, në disa raste, nuk janë as vetë hebrenj. Ka një prirje shqetësuese që supremacistët e bardhë dhe fundamentalistët e krishterë të përqafojnë qëndrime ekstreme pro-Izraelit sepse e shohin Gazën si vijën e parë të një lufte civilizimesh kundër Islamit.
Ndërsa Mazoweri angazhohet me këto debate të ditës, libri i tij merr kthesa më pak të nuancuara, më polemike dhe të përqendruara te ShBA-ja. Është i kuptueshëm qëndrimi i tij në mbështetje të palës progresiste në luftën kulturore që po zhvillohet kundër universiteteve amerikane, nga administrata e Donald Trumpit, por kjo vjen me një kosto në lidhje me rëndësinë që ka për lexuesit në vendet evropiane, ku balanca e forcave dhe argumenteve politike është ndryshe.
Por, sigurisht, është kërkesë e tepruar që një libër për këtë temë, në këtë pikë kthese të historisë, të mund të ndriçojë të gjitha këndvështrimet në mënyrë të barabartë. Është arritje më vete fakti se Mazoweri arrin të sjellë një çast qartësie në një temë të mjegulluar nga zemërimi dhe konfuzioni. /Telegrafi/



















































