LAJMI I FUNDIT:

Mbi 40 për qind e qytetarëve mendojnë se taksa 100 për qind duhet të hiqet

Mbi 40 për qind e qytetarëve mendojnë se taksa 100 për qind duhet të hiqet

Mbi 44 për qind prej tyre mendojnë se Qeveria e re duhet ta largojë taksën 100 për qind.

Kështu u tha nga të dhënat e analizës që e ka realizuar Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) dhe Fondacioni “Konrad Adenauer” me temën “Politika ndërkombëtare dhe dialogu Kosovë-Serbi: Perceptimet e qytetarëve kosovarë”.


Hulumtuesi në PIPS, Butrint Berisha tha se taksa 100 për qind ka pasur një aprovim popullor nga njerëzit.

“Qytetarët si duket janë të ndarë goxha në mënyrë të barabartë në raport me këtë çështje, rreth 44 për qind kanë deklaruar që taksa duhet të hiqet me ardhjen e qeverisë së re, ndërkaq rreth 45 për qind kanë deklaruar se ajo duhet të mbetet. Realisht sipas asaj që është parë kur është vendosur tarifa ka pasur një aprovim popullor nga njerëzit, realisht kjo shifër duhet të jetë në rënie dhe një ndër segmentet që ka ndikuar duhet të jetë edhe aspekti i reciprocitetit që është një ide politike që është propaganduar nga dy partitë politike Vetëvendosje dhe LDK edhe në fushatën zgjedhore”, u shpreh Berisha.

Rezultatet e anketës i ka komentuar edhe analisti Armend Muja, duke thënë se sa i takon taksës 100 për qind të vendosur karshi produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës shoqëria ka mendime të ndara.

“Shoqëria është e ndarë në dysh sa i përket taksës po ashtu një nga pikat kryesore që e dërgoi qeverinë në rënie mendojë që ka qenë taksa ishte menduar një herë që ka qenë pozitive, ca parti politike i kishin shpresat që taksa mund të ishte zbatuesi i fitores, e vërtet se kur është vendosur taksa ka pasur 90 për qind përkrahje me një hulumtim tjetër kjo ka rënë në 50 me 50. E vërejta pak gjeografikisht komunat veriore të Kosovës kryesisht nuk e përkrahin taksën, komunat jugore e përkrahin taksën. Komunat si Podujeva, Prishtina, Mitrovica befasisht nuk e përkrahin më me dëshirë rekomandimi i tyre është të heq taksën”, tha Muja.

Anketa “Politika ndërkombëtare dhe dialogu Kosovë-Serbi: Perceptimet e qytetarëve kosovarë” është bërë në 33 komuna të Kosovës dhe ka përfshirë 1,200 respondentë. /KP/Telegrafi/