LAJMI I FUNDIT:

Mbi 20 aktivitete për të shënuar “Ditën e Evropës” në Kosovë

Mbi 20 aktivitete për të shënuar “Ditën e Evropës” në Kosovë

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka paraparë mbajtjen e më shumë se 20 aktivitete zbavitëse, edukative dhe kulturore për të shënuar 9 Majin, “Ditën e Evropës”.

Në një komunikatë për media, nga zyra e BE-së kanë bërë të ditur se aktivitetet do të mbahen në qytete të ndryshme të Kosovës.


“Ftohen qytetarët që të zgjedhin në mes të lojës për kupën e Evropës UEFA 2016, basketbollit dhe vrapimit; koncerte nga bendi suedez ‘Vita Bergen’ dhe bendi kroat ‘Lollobrigida’; ekspozita e fotografive të kryeqyteteve evropiane të kulturës 2016; kuizi shija e Evropës, vogëlsirat e saj, me kuzhinat e vendeve të ndryshme të BE-së, këndi i fëmijëve; dhe shumë aktivitete të tjera, sipas programit të bashkëngjitur. Aktivitetet qendrore do të nisin më 9 maj 2016 në ora 13.30 në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë”, thuhet më tej në komunikatë.

Aktivitete do të mbahen edhe në Mitrovicën Veriore. Kremtimi Ditës së Evropës këtë vit ndodhi në të njëjtën kohë me hyrjen në fuqi (më 1 prill 2016) të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të BE-së dhe Kosovës, dhe pas propozimit të Komisionit Evropian për udhëtimin pa viza të qytetarëve të Kosovës.