Mbështetje e madhe për Doku pas vendimit për të qenë pranë familjes - ai u largua nga Kupa e Botës


Ylli i Belgjikës dhe i Manchester Cityt, Jeremy Doku, ka bërë të ditur se është i gatshëm të largohet nga kampi i kombëtares gjatë Kupës së Botës për të qenë pranë partneres së tij në momentin e lindjes së fëmijës së tyre të parë.
24-vjeçari pritet të bëhet baba gjatë muajit korrik dhe nuk e ka fshehur dëshirën për të mos humbur një nga momentet më të rëndësishme të jetës së tij, edhe nëse Belgjika vazhdon rrugëtimin në turne.
“Askush nuk dëshiron ta humbasë lindjen e fëmijës së tij të parë. Është një moment unik në jetë”, deklaroi Doku.
Megjithatë, deklarata e tij nxiti debat në Francë, pasi prezantuesja e “L’Equipe”, France Pierron, e kritikoi vendimin e mundshëm të futbollistit, duke thënë se babai është “i padobishëm” gjatë lindjes së fëmijës. Komentet e saj shkaktuan reagime të shumta, duke detyruar median franceze dhe vetë prezantuesen të kërkojnë falje publike.
Mbështetje e madhe për yllin belg
Doku ka marrë mbështetje nga shumë figura të futbollit. Sulmuesi i Anglisë, Ollie Watkins, i cili është baba i dy fëmijëve, theksoi se lindja e fëmijës së parë është një përvojë e pazëvendësueshme.
“Mendoj se është e gabuar të quhet e neveritshme. Kam parë çfarë ka kaluar gruaja ime dhe e di sa i rëndësishëm është ai moment. Është një bekim dhe e kuptoj plotësisht Dokun”, tha Watkins.
Në mbrojtje të belgut doli edhe Asociacioni i Futbollistëve Profesionistë, i cili theksoi se lojtarët duhet të kenë mundësi të balancojnë karrierën me momentet më të rëndësishme familjare.
“Lojtarët janë njerëz para se të jenë sportistë dhe duhet të mbështeten në situata të tilla”, thuhet në reagimin e organizatës.
Precedentë të ngjashëm në futboll
Doku nuk do të ishte futbollisti i parë që vendos familjen para futbollit. Në Kupën e Botës 2018, Fabian Delph u largua nga kampi i Anglisë për të qenë pranë bashkëshortes gjatë lindjes së vajzës së tij.
Edhe David Silva mungoi në disa ndeshje të Manchester Cityt pas lindjes së parakohshme të djalit të tij, ndërsa David De Gea përfitoi pushim të zgjatur pas ardhjes në jetë të vajzës së tij.

Nga ana tjetër, ka pasur raste kur futbollistët nuk kanë mundur të jenë të pranishëm. Mbrojtësi norvegjez Leo Ostigard e ndoqi lindjen e djalit të tij përmes një videolidhjeje gjatë qëndrimit në Kupën e Botës, ndërsa Ruben Neves pa ardhjen në jetë të fëmijës së tij nga telefoni, për shkak të kufizimeve të udhëtimit gjatë pandemisë.
Për momentin mbetet e paqartë nëse Doku do të largohet nga kampi belg, por federata belge pritet të mbështesë çdo vendim që ai do të marrë në lidhje me familjen e tij. /Telegrafi/







































