LAJMI I FUNDIT:

Mbase kanë nevojë për ushtrime: Përse fëmijët ecin në gishta dhe kur duhet të shqetësoheni?

Mbase kanë nevojë për ushtrime: Përse fëmijët ecin në gishta dhe kur duhet të shqetësoheni?

Me siguri keni vënë re që shumica e fëmijëve ecin në gishta, shkaqet janë të shumta

Nuk është e thënë që gjithmonë ka ndonjë problem shëndetësor – fëmijët shpesh do të ecin në gishta vetëm për t’u argëtuar.


Mirëpo, nëse vini re ndryshime të caktuara kur është fjala për ecjen e fëmijës, do të jetë mirë që të kërkoni këshillën e pediatrit, transmeton Telegrafi.

Bisedoni me mjekun nëse vëreni pjesën më të madhe të këtyre simptomave:

1. Fëmija ec në gishta në pjesën më të madhe të ditës.
2. Fëmijës u shtangen muskujt.
3. Lëvizjet e fëmijës nuk janë të koordinuara.
4. Ecja në gishta të vetëm njërës këmbë.
5. Fëmija pengohet ose zë në thua kur ec.

Nëse fëmija vazhdimisht ec në gishta, ka mundësi të ketë problem të caktuar fizik, siç është tetiva e shkurtër e Akilit, e cila pamundëson lëshimin e gjithë shputave në tokë, shputa të sheshta, probleme me muskujt e shputave dhe këmbëve apo ligamenteve, të cilat e bëjnë të pamundur ecjen e fëmijës me këmbët e ulura dhe reduktojnë lëvizshmërinë e vetë kyçeve.

Ecja me gishta që është e shpeshtë dhe nuk zvogëlohet në raste shumë të rralla mund të jetë shenjë e një çrregullimi motorik. Ju nuk duhet të nxirrni vetë përfundime të tilla për arsyen e thjeshtë se shumë fëmijë e përvetësojnë këtë zakon në një fazë të zhvillimit të tyre.

Atrofia e muskujve është një shkak shumë i rrallë, por i mundshëm i ngritjes së gishtave të këmbëve dhe ndodh si rezultat i dobësimit të fibrave muskulore.

Nëse vendosni të shkoni te një mjek dhe ai vendos që ecja në gishta nuk është as zakon dhe as fazë e zhvillimit, atëherë trajtimi në kohë, si terapia fizike, mund të përmirësojë aftësitë motorike, të forcojë muskujt, si dhe të parandalojë dëmtimin e mëtejshëm të muskujve që ndikojnë në lëvizje.

Mjeku mund t’ju tregojë ushtrimet që do të bëni me fëmijën në shtëpi ose mund t’ju drejtojë te një fizioterapist; mund të përfshijë në terapi këpucë të veçanta ortopedike për fëmijën ose disa mjete ndihmëse ortopedike.

Nëse një fëmijë ka një problem fizik të tillë si një tendin e shkurtër e Akilit, trajtimi mund të fillojë me terapi fizike.

Fëmija juaj mund të përfitojë gjithashtu nga një mbajtës i kyçit të këmbës dhe një shtrojë që e mban këmbën në një kënd 90 gradë dhe mbahet vazhdimisht derisa fëmija të korrigjojë ecjen e tij. Mund të hiqet gjatë larjes ose gjatë ushtrimeve të ndryshme. /Telegrafi/