Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza deklaroi se deri tani askush nuk i ka kërkuar mbështetje kësaj partie, duke theksuar se PDK-ja nuk ka zhvilluar asnjë diskutim për ndarjen e pozitave institucionale.

Para nisjes së seancës konstituive, Hamza tha se fokusi i PDK-së mbetet te programi dhe prioritetet qeverisëse, e jo te ndarja e posteve.


“Po hyjmë në mbledhjen e Grupit Parlamentar. Askush nuk ka kërkuar përkrahje nga ne. Edhe në të kaluarën nuk kanë përkrahur kandidatët e PDK-së. Sa i përket nënkryetarëve të Kuvendit, ne kemi një nënkryetar dhe, si parti e dytë për nga numri i ulëseve, e mbështesim kandidatin e propozuar nga PDK-ja për atë pozitë”, deklaroi Hamza.

Ai ritheksoi se qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar, duke nënvizuar se çdo bashkëpunim duhet të bazohet në dakordim për programin.

“Ne kemi dalë në zgjedhje me një program për ekonominë, drejtësinë dhe energjinë. Nëse nuk ka pajtim për këto prioritete, atëherë është absurde të flitet për tema të tjera”, tha ai.

I pyetur nëse ka pasur bisedime për pozita institucionale, përfshirë edhe postin e presidentit, Hamza u përgjigj shkurt: “Nuk kemi diskutuar fare”. /Telegrafi/