LAJMI I FUNDIT:

Mbahet Testi i Maturës në rajonin e Prishtinës, nuk raportohen parregullsi

Mbahet Testi i Maturës në rajonin e Prishtinës, nuk raportohen parregullsi

Rreth 4 mijë e 300 maturantë nga regjioni i Prishtinës, sot i janë nënshtruar provimit shtetëror të maturës.

E për dallim nga dita e djeshme që testet kishin rrjedhur në rrjetet sociale një gjë e tillë sot nuk është vërejtur, përkundër asaj që edhe sot telefonat janë parë në qendrat e testimit.


Po ashtu, është raportuar edhe për një monitorim më të rreptë nga ana e administratorëve gjatë mbajtjes së testit.

Këtë e konfirmon edhe nxënësja nga “The British School of Kosova” Etrita Gashi, e cila me të përfunduar testin ka thënë se nuk kanë pasur mundësi për të bashkëpunuar ndërmjet vete.

“Shumë mirë, pyetjet kenë shumë të logjikshme nëse ke ditë me i analizua. Mundësi për kopjim diçka nuk është se kemi pasur e kemi pasur normale kontrollat të dijshme që duhet me ditë çka me bë dhe thjesht nuk jemi kanë ashtu klasa që me kopjua a diçka… Telefonat i kemi dorëzuar tek kujdestarja e klasës”, tha Gashi.

Edhe nxënësi tjetër nga “The British School of Kosova” Afrim Bajrami, thotë se administratorët kanë qenë më të rreptë dhe se nuk kanë pasur mundësi për bashkëpunim me nxënësit e tjerë në klasë.

“Pyetjet nuk kenë shumë të vështira, testi ke mirë i formuluar veç është dashur me u përgatit… Nuk na kanë lanë me livrit”, tha ai.

Përkundër asaj që MASHT kishte marrë vendim që në qendrat e testimit nxënësit dhe administratorët të mos futeshin me telefona, një gjë e tillë nuk është respektuar në gjimnazin “Sami Frashëri” në kryeqytet. Në këtë shkollë gjatë kohës së testimit telefonat janë parë në një tavolinë në hyrje të klasës.

Drejtori i kësaj shkolle, Fetah Zejnullahu ka thënë se i kanë njoftuar nxënësit se nuk do të lejohen të hyjnë me telefonë, por që ai tha se prapë ka pasur maturantë që kanë ardhur me ta.

Përkundër kësaj, Zejnullahu ka thënë se nuk ka pasur asnjë problem gjatë mbajtjes së testit.

“Ne i kemi njoftuar me atë vendim, mirëpo ka pasur nxënës të cilët kanë pasur telefona në shkollë. Por, nga ana e administruesve çdo nxënës është kontrolluar dhe për momentin të gjithë telefonat janë në tavolinë të larguar nga nxënësit dhe nxënësit kanë filluar testin pa telefona…Deri më tani nuk ka pasur ndonjë vërejtje te ndonjë nxënës”, tha drejtori Zejnullahu.

Në anën tjetër, proces të rregullt dhe pa probleme e ka quajtur procesin e testimit të maturantëve të regjionit të Prishtinës drejtori i Arsimit në Prishtinë, Jonuz Salihu.

Megjithatë, ai shprehet se procesi i monitorimit është i komplikuar dhe nuk është e lehtë që të inspektohet çdo administrator.

“Rajoni i Prishtinës ka filluar mirë puna, monitorimi që po e bëjmë ne po duket se çdo gjë është në rregull. Megjithatë, kjo është punë bukur e komplikuar dhe nuk është lehtë me inspektua çdo administrator, por me ta ne kemi punuar dhe i dinë masat që merren ndaj tyre që nuk e monitorojnë procesin mirë dhe ligji është i pamëshirshëm aty ka edhe gjoba mandatore dhe gjoba bukur të mëdha për xhepin tonë. Si duket njerëzit tanë pa i prekur në xhep vështirë që disiplinohen dhe ligji ka me veprua sigurisht ndaj gjithë atyre që e shkelin procesin”, tha Salihaj.

Kurse, sa i përket posedimit të telefonave gjatë testimit nga maturantët, ai thotë se duhet të bëhet bllokimi i valëve për të siguruar proces 100 përqind transparent.

“Administratori është ai që merr vendimin, nëse ai e ka kontrollin ndaj telefonave nuk po shoh që është ndonjë problem. Zgjidhja e këtij procesi mund të bëhet vetëm me instalimin e zhurmuesve me thënë të drejtën, unë e kam thënë edhe para ministrit dhe zgjidhja afatgjate është në salla të posaçme gjatë kohës së testimit të kemi bllokues të valëve. Zhurmuesit nuk janë ku me ditë sa të shtrenjtë dhe zgjidhja e procesit do të bëhet vetëm në këtë mënyrë, atëherë 100 përqind jemi të sigurt sepse nuk ka mundësi me pas qasje gjatë këtyre tri orëve askush në telefon. Ju e dini që ne kemi shumë njerëz të shkathët me kopjua dhe për neve kopjimi është diçka që deshifrohet shumë lehtë dhe e kemi problem me e ndal këtë si proces, sepse fëmijët tanë për fat të keq janë specialistë për të kopjuar. Për këtë fajet i ka sistemi e jo fëmijët”, tha ai.

Madje Salihaj thotë se është për atë që të aplikohen të gjitha masat që ky proces të jetë i besueshëm, pasi sipas tij pa u rrit besueshmëria ky test nuk ka kuptim.

KosovaPress gjatë gjithë ditës ka provuar të kontaktojë me Ministrinë e Arsimit dhe me Komisionin Shtetëror të Maturës për të marrë një përgjigje se si ka shkuar i gjithë procesi, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Ndërsa, nesër testimit të maturës shtetërore do t’i nënshtrohet rajoni i Prizrenit dhe i Gjakovës. Në total provimit shtetëror të maturës do t’i nënshtrohen 29 mijë e 816 maturantë./KP/