Ambasadorja e re e Mbretërisë së Bashkuar në Maqedoni është Maya Sivagnanam dhe ajo do të marrë detyrën e saj në gusht të këtij viti, njoftoi Ambasada në Shkup.

Ajo do të zëvendësojë ambasadorin aktual Matthew Lawson, i cili ka qenë në këtë pozicion që nga viti 2022.


Sipas biografisë së saj, Sivagnanam ka 25 vjet përvojë si diplomate profesionale dhe ka mbajtur disa poste në karrierën e saj, përfshirë shërbimin në Ambasadën Britanike në Ankara, Turqi.

Ky është shërbimi i saj i parë si përfaqësuesja më e lartë diplomatike në një vend dhe Sivagnanam do të jetë gruaja e dytë pas Rachel Galloway që do të mbajë pozicionin e ambasadores britanike në Maqedoni.

Ajo ishte gjithashtu zëvendësdrejtoreshë e Samitit të Komunitetit Politik Evropian, i cili u mbajt në Londër vitin e kaluar./Telegrafi/