LAJMI I FUNDIT:

Maxhuni: Stërvitjet në veri nuk ishin ushtarake por sportive

Maxhuni: Stërvitjet në veri nuk ishin ushtarake por sportive

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, duke u përgjigjur në pyetjen e deputetëve rreth aeroklubit në Mitrovicën e veriut, i cili është dyshuar se ka bërë aktivitete ushtarake, ka theksuar se nuk ka diçka për tu shqetësuar.


Ai në Komisionin për Siguri dhe Punë të Brendshme, ka thënë nga informacionet që ata i kanë siguruar dhe më pastaj po të njëjtat sipas tij i kanë  verifikuar “mund të konstatoj që bëhet fjalë për një aeroklub, që është e regjistruar si organizatë joqeveritare (OJQ)”.

“Qëllimi i saj është të promovoj disiplina sportive. Informacionet që i kemi ne, thonë se ky klub është formuar në bazë të ligjit për bashkëpunim në mes OJQ-ve. Organizata operon në veri të Mitrovicës, dhe drejtohet nga Momqillo Arllov. Origjina e tij vjen nga Republika e Kroacisë dhe se banon në pjesën veriore të  Mitrovicës, që nga viti 1996. Themeluesi i organizatës posedon dokumentacionin – letërnjoftimin e Republikës së Kosovës”, ka shtuar Maxhuni, raporton Telegrafi.

Ai ka sqaruar se “bazuar në statutin e OJQ-së, mjetet që përdoren në aktivitetet e tyre sportive, janë një kategori që quhet ‘përsëritëse’ – që nuk janë armë zjarri”.

“Këto pajisje, për qëllimet e tyre sportive, si municion shfrytëzojnë sfera plastike. Kjo organizatë është e regjistruar në Ministrinë e Administratës Publike, të Republikës së Kosovës. Ka licencën, më pas ka numër fiskal zyrtar, dhe të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të operuar si organizatë dhe si OJQ-të tjera”, ka theksuar Maxhuni.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ka theksuar se në ditën e mbajtjes së aktivitetit, sipas tij, Policia e Kosovës ka qenë prezentë dhe ka monitoruar atë që ka ndodhur  aty.

“Kemi të bëjmë me pajisje imituese të armëve. Më tepër janë lojëra, që shfrytëzohen për qëllim sporti. Aktiviteti i kësaj organizate është mbajtur gjatë muajit gusht, të vitit 2016.  Ky aktivitet është  monitoruar nga Policia e Kosovës”, ka shtuar Maxhuni. /Telegrafi/