LAJMI I FUNDIT:

Mashtrimi me origjinën e produkteve, për tre muaj gjobiten 30 markete në Kosovë

Mashtrimi me origjinën e produkteve, për tre muaj gjobiten 30 markete në Kosovë
Foto: Ilustrim

Mashtrimet nga disa pronarë të marketeve në vend me origjinën e produkteve po i vënë në konfuzion qytetarët konsumatorë. Kjo duke u ndryshuar origjinën produkteve me flamuj nëpër rafte, dhe duke i vënë ato mallra mbi produktet serbe.

Qytetarët e shumtë e kanë vërejtur këtë mashtrim dhe kanë fotografuar produktet e maketeve si dëshmi faktike të mashtrimeve nga ana e tyre, kështu duke i shpërndarë në të gjitha rrjetet sociale sidomos në fushatën “Besa, Besë”. Fushatë kjo për bojkotimin e produkteve serbe.


Ministria e Industrisë, Ndërrmarresisë dhe Tregtisë ka thënë se për këtë lloj shkelje, Inspektorati i Tregut gjatë periudhës janar-mars 2023 ka realizuar 119 inspektime dhe ka shqiptuar 30 gjoba ndaj bizneseve.

Po ashtu sipas kësaj ministrie, gjatë vitit 2022, IT-ja ka realizuar 663 inspektime dhe ka shqiptuar 181 gjoba dhe 40 kërkesa për inicim të procedurës kundërvajtëse në gjykatat kompetente,

“Vetëm inspektorët në sektorin e tregut, i cili sektor është përgjegjës për inspektimin edhe të marketeve, gjatë vitit 2022 ka realizuar 663 inspektime dhe janë shqiptuar 181 gjoba dhe 40 kërkesa për inicim të procedurës kundërvajtëse në gjykatat kompetente, kurse nga muaji janar-mars 2023 janë realizuar 119 inspektime dhe janë shqiptuar 30 gjoba”, thuhet në përgjigjen e MINT-it.

Për më tepër sipas MINT-it, Inspektorati i Tregut, çdo ditë pranon ankesa dhe njoftime të konsumatorëve, po ashtu edhe për mungesë apo ndërrim të etiketës së flamurit të shtetit të origjinës së produkteve.

Për mashtrimet e origjinës së mallrave, masat ndëshkuese janë prej 1 mijë euro deri 10 mijë euro.

“Inspektorati i Tregut çdo ditë pranon ankesa dhe njoftime të konsumatorëve, ndër të tjera edhe për mungesë apo ndërrim të etiketës së flamurit të shtetit të origjinës së produkteve. Vendosja e etiketës, që tregon flamurin e shtetit të origjinës së produktit është obligim me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe ka për qëllim të njoftohet konsumatori në mënyrë sa më të qartë dhe të lehtë lidhur me origjinën e produkteve që blen apo konsumon. Inspektorati i Tregut, në çdo rast kur konstaton se etiketa e flamurit e shtetit të origjinës së produktit nuk është vendosur sipas ligjit apo etiketa është ndërruar me flamurin e ndonjë shteti tjetër. Operatori ekonomik urdhërohet të veprojë sipas obligimit ligjor dhe ndaj të njëjtit shqiptohen masa ndëshkuese”, thuhet në përgjigje me shkrim.

Pas fushatës kundër prodhimeve serbe, Burim Piraj nismëtar i grupit “Besa, Besë”, thekson se nuk ka rritje të deficitit tregtarë, por siç shton ai për shkak të rritjes së çmimeve po figurojnë statistikat e se ka import më të lartë nga Serbia.

Ai ka akuzuar disa pronarë të bizneseve se nuk i vendosin flamuj fare rafteve ku janë të vendosura produktet për t’i shitur produktet serbe, të cilat edhe kanë në fund të afatit të skadencës.

“Produktet me origjinë të vendeve të tjera nuk ka pasur ndryshim të flamujve, pikërisht në produktet serbe po ka të tilla probleme, do të thotë se pronarët e marketeve po i ndryshojnë ato ose edhe punëtorët. Firmat të cilat po i importojnë këto produkte po mundohen në mënyra të ndryshme të bëjnë manipulime që produktet të shiten me origjinë nga Serbia, të cilat janë në fund të afatit të skadencës. Dhe këtë duket se shitësit kanë panik të shitjes së këtyre produkteve… Ka markete që nuk i ka vendosur flamujt fare, ne sa kemi pasur mundësi kemi bërë raportime tek inspektorati i tregut. Nuk ka rritje të deficiti tregtarë, ka rritje imagjinare, sepse janë rritur çmimet, për shkak të rritjes së çmimeve po figurojnë se ka import më të lartë nga Serbia. Nëse e llogarisim me sasi ka më pak në bazë të bisedave që kemi pasur me përfaqësues të doganës, pra sasia është më e vogël, por çmimi është më i madh, po kështu po figurojnë që po rritet, por në fakt ka rënie të produkteve serbe”, tha Piraj.

Deputeti nga radhët e PDK, Hisen Berisha tregon për një fenomen që po ndodhë në pjesën veriore të vendit.

Berisha thekson se në pjesën veriore të vendit disa punëtorë paguhen me nga 20 euro për ndërrimin e tiketave të pijeve serbe, siç thotë ai për t’ju vendosur tiketa me origjinë të Shqipërisë, me qëllim që të rikthehen sërish në shitje në tregun e Kosovës.

Ai thekson se ndërrimi i origjinës dhe simboleve kombëtare është e turpshme.

“Kjo është më e pakta që mund të ndodh, dhe më e turpshmja ndërrimi i simboleve kombëtare për t’i identifikuar ose identitet të rrejshëm produkteve. Por, ajo që është më tragjike, ajo që kam ngritur në Kuvendin e Kosovës, është për mbledhjen e të gjitha produkteve serbe, dërgimi i tyre në pjesën veriore të vendit, dhe aty disa punëtorë që paguhen nga 20 euro i ndërrojnë tiketat e këtyre pijeve. Vetëm në një dorë informacioni i imi, 200 mijë tiketa të pijeve serbe janë ndërruar me 200 mijë tiketa nga Shqipëria, ‘Made in Albania’ që iu kanë vendosur produkteve serbe dhe janë kthyer prapë në Kosovë. Kjo është loja që është bërë brenda Kosovës”, thotë Berisha.

E ky i fundit tha se mungesa e patriotizmit është mos edukimi i vlerave nacionale.

“Kur kam folur për nevojën për ndryshimin e kurrikulave arsimore në lëndën e historisë, ka qenë pikërisht ideja së është dashtë sistemi i vlerave të konsoliduar në Kosovë të kodifikohet ligjërisht dhe kur ke sistem të konsoliduar vlerash dhe edukimi i të rinjve behët ne frymën e vlerave nacionale, dhe mos edukimi i vlerave nacionale do të thotë mungesë e patriotizmit tek rinia. Dashuria ndaj shtetit nënkupton edhe dashurinë ndaj vendit, e cila shtynë për të braktisur produktet e vendeve tjera”, theksoi ai.

Ndërsa, qytetari Shpëtim Kastrati thotë se mashtrimet nga marketet po ndodhin çdo herë. Ai thekson se sa herë që shkon në market ballafaqohet me ndërrime të flamujve nëpër produkte dhe po ashtu çmimi tek arka nuk rezultojnë të jenë njësoj sikur tek rafti.

“Jo vetëm flamujt që po ndryshohen, por po ndryshohet edhe çmimi, tek rafti e vendosin me zbritje kurse te arka e vendosin me çmimin tjetër, se ajo që i ndërrojnë flamujt nuk diskutohet, ajo më ndodh çdo herë sa herë shkojë në markete. Unë nuk po habitem, sepse jemi mësuar, vetëm me mashtrime pothuajse prej që e mbaj mend vetën kemi pasur kësi mashtrime të tilla, me dal ndonjë herë e vërteta mund që të habitem se për të tilla raste jo”, tha Kastrati.

Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), importet nga vendet e CEFTA-së, në muajin mars 2023, arritën në 92.5 milion euro ose 18.2 për qind të importeve të përgjithshme me një rënie prej 0.7 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Serbia me 5.8 për qind, Shqipëria me 5.5 për qind dhe Maqedonia e Veriut me 5 për qind.

Vetëm në muajin mars të këtij viti, Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerë prej 29 milionë e 286 mijë euro.

Të dhënat nga tregtia e jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 5.3 për qind në muajin mars 2023, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2022, përkatësisht në vlerë prej 426.8 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 405.3 milionë euro në vitin 2022. Ndërsa, eksporti mbulon importin me 16.1 për qind. /KP/