LAJMI I FUNDIT:

Mashtrimi me Call Center, SPAK çon për gjykim pesë persona të arrestuar në operacionin e “EuroJust” – shkaktuan miliona euro dëme

Mashtrimi me Call Center, SPAK çon për gjykim pesë persona të arrestuar në operacionin e “EuroJust” – shkaktuan miliona euro dëme

Pesë shqiptarë, të ndaluar në vitin 2022, në një operacion nga “EuroJust” për mashtrimet përmes Call Center-ave, janë dërguar për gjykim nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.

Ndaj shtetasve A.K, I.P, M.Ç, E.B dhe E.C, rëndojnë veprat penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në dëm të disa personave, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.


Në operacionin e “EuroJust”, ku ka marrë pjesë edhe Shqipëria, u hetuan disa kompani në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Ukrainë, Gjeorgji, të cilat drejtoheshin ose koordinoheshin nga “Milton Group”.

Nga të dhënat hetimore të dërguara nga Autoritetet Gjyqësore Gjermane, në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, administruar në fashikullin e procedimit penal, kanë rezultuar lidhje të shtetasve shqiptarë me “Milton Group”.

“Milton Group” ka organizuar veprimtarinë kriminale të mashtrimit kompjuterik online, në mjaft shtete të Europës Perëndimore.

Nga autoritetet gjermane është urdhëruar kontrolli i platformave mashtruese tregtare “Absolut Global Markets”, “AurumPro” dhe “Finaxis” dhe disa platformave të tjera identike si “SNP Broker”, “CapitalMarketsBanc”, “FXNobel”, “Cryptokartal”, “Centrobanc”, “GoldmanBank” dhe “TopTradePro”.

Kjo duket qartë nga hetimet financiare të kryera ndaj kompanive, si dhe nga vlerësimet e gjurmëve të ndryshme teknike, përfshirë IP me adresa identike.

Bazuar në provat teknike, ka rezultuar se grupi kriminal ka operuar me dhjetëra platforma mashtruese gjatë viteve të fundit.

Dëmet e shkaktuara në platformat “AurumPro”, “Fianxis” dhe “AGMarkets”, (me 67 kallzime penale në zyrën qendrore kibernetike në Bavari), llogariten me një dëm të përgjithshëm prej 1.8 milionë Euro. Në platformën CentroBanc, ka 35 kallëzime penale, me një dëm total prej 1.7 milionë Euro. Për platformën CapitalMarketsBanc, ka 40 ankesa, me një dëm të konstatuar prej 1.6 milionë Euro. Për platformën Cryptokartal ka 31 kallëzime penale, me një dëm të përgjithshëm, prej 1 milionë Euro. Përveç Rajonit të Bavarisë ku janë këta të dëmtuar, edhe shumë prokurori të tjera publike në Gjermani kanë ankesa për të dëmtuar të tjerë në këto platforma, të cilat janë në pritje, kështu që dëmi i përgjithshëm supozohet të jetë shumë më i lartë. Disa nga të dëmtuarit nga Rajonet e tjera federale tashmë janë regjistruar në platformat e tjera “Centrobanc”, “CapitalMarketsBanc” dhe “Cryptokartal”.

SPAK njofton se në Shqipëri janë kontrolluar qendrat e thirrjeve apo ambiente në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë. Janë sekuestruar rreth 300 pajisje kompjuterike, laptop, usb, hard disqe, prova të tjera digjitale dhe dokumente të shumta, portofole kriptovalutash në vlerën afërisht 15.000 USD dhe cash 90.000 Euro, dokumente identifikimi të shtetasve lituanezë dhe gjeorgjianë, karta banke lituaneze etj.

Nga hetimi rezulton se në këtë aktivitet të kundërligjshëm, janë të përfshirë edhe persona të tjerë shqiptarë dhe të huaj, për të cilët vazhdojnë hetimet. /Tch/Telegrafi/