Mashtrimet online në rritje, Prokuroria e Pejës dhe Policia shtojnë koordinimin

Prokuroria Themelore në Pejë ka zhvilluar takim koordinues me Policinë e Kosovës, përkatësisht me Njësitin për Luftimin e Krimeve Kibernetike në Pejë, me qëllim intensifikimin e veprimeve kundër mashtrimeve kompjuterike dhe kriminalitetit kibernetik.
Sipas njoftimit, takimi është mbajtur më 21 maj 2026 dhe është udhëhequr nga kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, së bashku me prokurorët e kësaj prokurorie, ndërsa në fokus kanë qenë rastet e shpeshta të mashtrimeve online dhe krimeve kibernetike të raportuara në territorin e kompetencës së kësaj prokurorie.
Gjatë takimit është diskutuar për intensifikimin e veprimeve hetimore dhe koordinimin ndërinstitucional, me synim trajtimin sa më efikas të rasteve, si dhe identifikimin dhe kapjen e kryerësve të këtyre veprave penale.
Po ashtu, u theksua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës për parandalimin dhe luftimin e krimeve kibernetike, të cilat, sipas njoftimit, po paraqesin sfidë në rritje për sigurinë e qytetarëve.
Prokuroria dhe Policia u bënë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj mashtrimeve në rrjetet sociale, mesazheve të dyshimta në telefon, si dhe formave të tjera të komunikimit elektronik që mund të përdoren për mashtrim apo keqpërdorim.
Në njoftim thuhet se Prokuroria Themelore në Pejë mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve kibernetike dhe mashtrimeve kompjuterike, të cilat janë përcaktuar si një nga prioritetet kryesore në planin e punës për vitin 2026. /Telegrafi/











































