LAJMI I FUNDIT:

Masakra e Mitrovicës në sytë e shkrimtarit serb

Me 14 Prill 1999, në Rrugën e Kovaçëve në lagjen Bair në Mitrovicë, ndodhi masakra e forcave serbe ndaj 30 banorëve të kësaj lagjeje. Viktimat konsideroheshin të zhdukur deri gjysmë viti pas ndodhjes së masakrës.

Për qytetin e Mitrovicës, rasti më i dhimbshëm është ai i familjes së Shefqet Pllanës nga banesa e të cilit u nxorën katër veta: dy djemtë, dhëndri dhe kunati. Trupat e tyre, së bashku me trupat e viktimave të tjera, u gjetën në një varrezë masive gjysmë viti më pas, kur xhandarmeria franceze, në bazë të hetimeve paraprake e konstatoi ditën e vrasjes së tyre.

Për vendin e ekzekutimit të këtij masakra kishte vetëm supozime.

Qyteti i Mitrovicës këtë e mësoi tek kur Drejtori i RTV Mitrovicës u kthye nga Selia e NATO-s në Bruksel, kur ambasadori i atëhershëm holandez në NATO, Pieter Feith, ia kishte dhuruar romanin “Ura mbi Ibër” të shkrimtarit serb Nikolla Paqariz.

Kur një pjesë e mëposhtme e romanit “Ura mbi Ibër” u lexua përmes valëve të Radio Mitrovicës, çdo gjë u bë e qartë.

Nikolla Paqariz, është i lindur në Prishtinë më 1959, kurse jeton vitet e fundit në Mitrovicë. Tri vite me radhë i ka botuar tri libra: përmbledhje vjershash ”Mëngjesi më thotë se ti je hije”(1998) dhe dy romane “Kalendari kosovar” (1999) dhe “Ura mbi Ibër”.

Romani i fundit “Ura mbi Ibër” pati fatin që të jetë i zhdukur nga libraritë serbe, posa e pa dritën e botimit. Arsyeja është e kuptueshme: është hera e parë që një serb dëshmon për krimet e bashkëkombësve të vet në Kosovë.

Ja se si e përshkruan masakrën autori i romanit në faqet aty diku kah mesi i romanit.

“Në gjysmën e dytë të muajit prill, në pjesën jugore të qytetit, arritën pjesëtarë të ri të njësisë speciale të Ushtrisë jugosllave. Po ashtu arritën njësi rezerve të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) nga Kraleva, Krushevci, Novi Sadi…

Me ta kishin qenë edhe të ashtuquajturat njësi të posaçme PJP, si dhe grupet elite të njësive paraushtarake ”frenkit”.

Këta të fundit mbahen mend për terrorin e paparë ndaj qytetarëve joserbë. I dogjën dhe i plaçkitën shtëpitë shqiptare, e ata të cilët i kundërshtonin në këtë drejtim, i mbytnin pamëshirshëm.

Në lagjen Bair janë djegur mbi 80 shtëpi, të cilat nuk kanë mundur të djegën tërësisht. Mbetën vetëm oxhaqet dhe muret e atyre shtëpive. Dhimbshëm dhe tmerrshëm ishte pamja e tyre. Gratë dhe fëmijët në masë u dëbuan jashtë qytetit. Së pari i dërguan në stadiumin e qytetit, e pastaj i ndanë në grupe dhe i drejtuan në autobusët lokalë të ‘Kosovatransit’, prej nga i dërguan në kufijtë e Shqipërisë dhe Maqedonisë me çmime mjaft të larta. Ata të cilët nuk mundën të shkojnë me autobusë, u nisën në këmbë në kolona të gjata. Gratë, fëmijët dhe pleqtë, i lëshuan shtëpitë e tyre dhe u nisën në drejtime të panjohura. Rrugëve të Kosovës, traktorët dhe rimorkiot ishin mjetet kryesore për udhëtim.

Qyteti ngadalë u zbraz.

Në secilin hap plaçkitje, vjedhje e djegie. Nëse kundërshton – plumbi në ballë. Nuk shiheshin më ditë të ndritshme. Krimet më të mëdha bëheshin në orët e hershme të mëngjesit. Për një krim të tillë, Danillo i kishte treguar Avramit, një natë derisa së bashku kujdestaronin para hyrjes së ndërtesës së tyre.

Kur u nis të vizitonte shkollën në Bair, ku kryente detyrën e drejtorit të përkohshëm, as që paramendoi se çfarë mund të ketë ndodhur aty. Pasi kaloi legjitimitetin e parë në urë, e dyta e priste te kazerma e Ushtrisë jugosllave, ku duhej të tregonte vërtetimin e marrëdhënies së punës në rrethanat e krijuara gjatë luftës.

Duke u nisur rrugës nga bukëpjekësi, e cila gjendej në kthesën ndërmjet Entit për Inkuadrim (shtëpia ku ka lindur Xhafer Deva, sqarim i N. Spahiut) dhe shitores ku bëhej tjerrja e leshit, u ngjit ngadalë në rrugën e gjerë, e cila të çonte te shkolla. Shikoi disa kamionë ushtarakë dhe shumë njerëz tjerë në uniformën e kaltër, të cilët ishin si pjesëtarë të mbrojtjes civile.

Në mesin e atyre uniformave, njohu drejtorin e njërës nga shkollat e qytetit. Duke kaluar kah ish shitorja e ‘Jugobicikllës’, në drejtim të depos së ‘Zhitoprometit’ dhe barnatores bujqësore, hasi në pamje të tmerrshme: lumenj të kuq me gjak të njerëzve, e më pas pa edhe kufomat e para. Ishin të shtrira në anën e djathtë të rrugës përgjatë dyqanit për lëmim, dhe servisit për aparate televizive. Nuk i kishte numëruar, vetëm i kishte mbajtur mend shikimet e tyre të ngrira. Disa ishin të kthyer me shpinë kah trotuari, e disa ishin të kthyer anash.

Punëtorët e ndërmarrjes komunale ‘Standard’ dhe pjesëtarë të mbrojtjes civile i vendosën kufomat në bartëset improvizuese dhe i dërguan në kamionët që ishin të parkuar aty. Kufomat u bartën në rrugë të gjatë deri te kthesa në anë të majtë ndërmjet shtëpive të vogla, që çon te shkolla. Ishin ato kufoma kryesisht të meshkujve. Duke i ardhur nga pak vetëdija, në shkollë dëgjoi nga ushtarët për këtë dramë të natës.

Në shkollë ndërkohë kishte ardhur deri te ndërrimi tjetër. Sonte kishin ardhur ushtarë të ri, përkatësisht njësiti i ri nga Krushevci. Pas tmerrit të parë, morri vesh se sonte në këtë pjesë të qytetit ishin ‘frenkit’ dhe diku rreth orës dy pas mesnate, i kishin urdhëruar banorët e kësaj pjese të qytetit, t’i lëshojnë banesat e tyre.

Kolona të mëdha gra, fëmijë dhe të huaj, vepruan ashtu menjëherë, sepse nuk kishte shaka me këto maska të zeza.

Rreth orës 5 të mëngjesit kishin ardhur prapë këta ushtarë dhe kishin vërtetuar a kishte mbetur dikush në banesa. Secilin që e takonin atëherë në banesë apo shtëpi, e vrisnin pa mëshirë. Disa i nxorën nga shtëpitë dhe aty i pushkatonin. Vetëm në këtë rrugë u vranë rreth 30 meshkuj, kryesisht të rinj. Të vrarët e tjerë nëpër shtëpi nuk mund të numëroheshin, por dy kamionë ishin plot kufoma.

Kjo pamje ishte tmerr i vërtetë për një pacifist çfarë ishte Danillo. Për këto veprime të ‘frenkive’, nuk kishte kurrfarë arsyetimi, por nuk guxonte të fliste haptas, se koha ishte e turbullt…

Këso dhe pamje të ngjashme kishin ndodhur edhe në shumë pjesë tjera të qytetit të Mitrovicës. Pjesëtarë të njësisë paraushtarake kishin plaçkitur dyqanet tregtare të zbrazëta dhe argjendaritë duke mos pasur mëshirë ndaj askujt që i kundërshtonte.

Disa net pas kësaj masakre, i mbytën vëllanë dhe motrën Millan dhe Mirjana Periq, te depoja ‘Mokra Gora’, kah rruga kryesore në drejtim të tregut të gjelbër. Këta dy të pafat, rreth moshës 20 vjeçare, ishin nisur atë natë të vizitonin gjyshen, e cila jetonte vetëm në shtëpi afër stacionit të autobusëve. Diku rreth orës 20, i takuan ‘frenkit’ të cilët në gjendje të dehur filluan seancën e përgjakur. Vajzën e re së pari e dhunuan në prani të vëllait, pastaj e vranë, e pak më vonë ia vranë edhe vëllanë. Në vendin e ngjarjes, mbeti një pushkë automatike, për të cilën shpresojmë se do të jetë si gjurmë që aktorët e këtij krimi që nuk mbahet mend të ketë ndodhur ndonjëherë më parë, të dalin para gjyqit.

Seanca e përgjakur e prillit e ‘frenkive’, i kishte marrë edhe jetën e dy myslimanëve lokalë: gruan dhe burrin i kishin prerë në ndërtesën e tyre, e cila gjendej afër jetimores së fëmijëve. Që ironia e fatit të jetë më e madhe, ata ishin kthyer atë ditë për pak çaste në banesë të marrin diçka nga veshmbathja, përndryshe prej fillimit të luftës jetonin tek prindërit e saj në Zveçan”.

Në trend

Më shumë
U tha se kërkoi 600 mijë euro për të prezantuar, Arbana Osmani thyen heshtjen - flet për herë të parë për atë që ndodhi me Big Brother VIP

U tha se kërkoi 600 mijë euro për të prezantuar, Arbana Osmani thyen heshtjen - flet për herë të parë për atë që ndodhi me Big Brother VIP

Magazina
Si “doli” lufta jashtë kufijve të Ukrainës?

Si “doli” lufta jashtë kufijve të Ukrainës?

Botë
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Modelja ndan përvojën e tmerrshme në Maldive, tregon se çfarë u ndodhi gjatë pushimeve të shtrenjta

Modelja ndan përvojën e tmerrshme në Maldive, tregon se çfarë u ndodhi gjatë pushimeve të shtrenjta

Magazina
Zbulohet arsyeja pse Kate Middleton e dha e vetme mesazhin për sëmundjen e kancerit, pa prezencën e Princit William

Zbulohet arsyeja pse Kate Middleton e dha e vetme mesazhin për sëmundjen e kancerit, pa prezencën e Princit William

Magazina
Ka pasuri prej 350 milionë dollarësh, Will Smith: Në moshën 50 vjeçare, kuptova që paratë nuk mund të të bëjnë të lumtur

Ka pasuri prej 350 milionë dollarësh, Will Smith: Në moshën 50 vjeçare, kuptova që paratë nuk mund të të bëjnë të lumtur

Magazina
Kalo në kategori