LAJMI I FUNDIT:

Manuali i gjenocidit i Rusisë

Manuali i gjenocidit i Rusisë

Nga: Timothy Snyder, profesor i Universitetit Yale, historian i specializuar në historinë e Evropës Qendrore dhe Lindore, si dhe në krimet e Holokaustit / Marrë nga blogu i autorit: snyder.substack.com
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Rusia këto ditë e nxori manualin e gjenocidin për luftën kundër Ukrainës. Agjencia zyrtare ruse e lajmeve, “RIA Novosti”, e publikoi të dielën e kaluar një program të qartë për eliminimin e plotë të kombit ukrainas. Është ende i qasshëm për t’u parë dhe deri tash është përkthyer disa herë në anglisht.


Siç kam thënë që nga fillimi i luftës, fjala “denazifikim” në përdorimin zyrtar të Rusisë do të thotë thjesht shkatërrim i shtetit dhe i kombit ukrainas. Një “nazist”, siç e shpjegon manuali i gjenocidit, është thjesht një qenie njerëzore që vetëidentifikohet si ukrainas. Sipas manualit, krijimi i shtetit ukrainas – tridhjetë vjet më parë – ishte “nazifikimi i Ukrainës”. Në të vërtetë, “çdo përpjekje për ta ndërtuar një shtet të tillë” duhet të jetë akt “nazist”. Ukrainasit janë “nazistë” sepse nuk e pranojnë “domosdoshmërinë që populli ta mbështesë Rusinë”. Ukrainasit duhet të vuajnë për shkak të besimit se ekzistojnë si popull i veçantë; vetëm kjo mund të çojë në “shlyerjen e fajit”.

Për këdo që ende beson se Rusia e Putinit e kundërshton të djathtën ekstreme në Ukrainë apo kudo tjetër, programi i gjenocidit është rast i mirë për ta menduar sërish këtë pretendim. Regjimi rus i Putinit flet për “nazistët” jo sepse e kundërshton të djathtën ekstreme – gjë që me siguri nuk e bën – por si mjet retorik për ta justifikuar luftën e paprovokuar dhe politikat e veta gjenocidale. Regjimi i Putinit është e djathta ekstreme. Është qendra botërore e fashizmit. Mbështet fashistët dhe autoritarët e ekstremit të djathtë në mbarë botën. Duke e interpretuar kuptimin e fjalëve si “nazist”, Putini dhe propaganduesit e tij krijojnë hapësirë më të madhe retorike dhe politike për fashistët në Rusi dhe gjetkë.

Manuali i gjenocidit shpjegon se politika ruse e “denazifikimit” nuk është e drejtuar kundër nazistëve në kuptimin që normalisht kjo fjalë përdoret. Manuali pa asnjë hezitim pajtohet se nuk ka asnjë provë që nazizmi – siç kuptohet përgjithësisht – ka rëndësi në Ukrainë. Kjo funksionon brenda përkufizimit të veçantë rus të “nazistit”: një nazist është ukrainas që refuzon të pranojë se është rus. “Nazizmi” në fjalë është “amorf dhe ambivalent”; njeriu duhet, për shembull, të jetë në gjendje të shohë nën botën e dukshme dhe të dekodojë afinitetin për kulturën ukrainase ose për Bashkimin Evropian si “nazizëm”.

Kështu, historia aktuale e nazistëve dhe e krimeve të tyre reale në vitet 1930-’40 është krejtësisht e parëndësishme dhe tërësisht e lënë mënjanë. Kjo është plotësisht në përputhje me luftimet ruse në Ukrainë. Asnjë lot nuk derdhet në Kremlin për vrasjen nga rusët të të mbijetuarve të Holokaustit apo për shkatërrimin prej rusëve të memorialeve të Holokaustit, sepse hebrenjtë dhe Holokausti nuk kanë asnjë lidhje me përkufizimin rus të “nazistit”. Kjo tregon pse Volodymyr Zelensky mund të quhet nazist – ndonëse president i zgjedhur në mënyrë demokratike dhe ndonëse është hebre me anëtarë të familjes që luftuan në Ushtrinë e Kuqe e që vdiqën në Holokaust. Zelensky është ukrainas dhe kjo është gjithçka që e nënkupton “nazistin”.

Me këtë përkufizim absurd, ku nazistët duhet të jenë ukrainas dhe ukrainasit duhet të jenë nazistë, Rusia nuk mund të jetë fashiste pavarësisht se çfarë bëjnë rusët. Kjo është shumë e përshtatshme për ta. Nëse “nazistit” i është përcaktuar kuptimi “ukrainas që refuzon të jetë rus”, atëherë nga kjo rrjedh se asnjë rus nuk mund të jetë nazist. Meqë për Kremlinin të qenit nazist nuk ka të bëjë fare me ideologjinë fashiste – me simbolet si svastika, me gënjeshtrat e mëdha, me mitingjet, me retorikën e spastrimit, me luftën agresive, me rrëmbimet e elitave, me dëbimet masive dhe me vrasjet masive të civilëve – rusët mund t’i bëjnë të gjitha këto, madje pa pasur nevojë ta pyesin veten nëse janë në anën e gabuar të librit historik. Kështu, i shohim rusët duke i zbatuar politikat fashiste në emër të “denazifikimit”.

Manuali rus është një nga dokumentet më të qarta të gjenocidit që i kam parë ndonjëherë. Bën thirrje për likuidimin e shtetit ukrainas dhe për shfuqizimin e çdo organizate që ka ndonjë lidhje me Ukrainën. E merr si të mirëqenë se “shumica e popullsisë” së Ukrainës janë “nazistë”, që do të thotë ukrainas (është i qartë këtu reagimi ndaj rezistencës ukrainase; në fillim të luftës supozohej se ishin pak ukrainas dhe se ata lehtë do të eliminoheshin; kjo thuhej qartë në një tekst tjetër të botuar në “RIA Novosti”, në deklaratën e fitores së 26 shkurtit). Njerëzit e tillë, “shumica e popullsisë”, pra më shumë se njëzet milionë njerëz do të vriten ose do të dërgohen të punojnë në “kampet e punës” për ta shlyer fajin që nuk e duan Rusinë. Të mbijetuarit do t’i nënshtrohen “riedukimit”. Fëmijët do të rriten të jenë rusë. Emri “Ukrainë” do të zhduket.

Sikur ky manual për gjenocidin të shfaqej në një kohë tjetër dhe në një medium të panjohur, mund të mos e tërhiqte vëmendjen. Por, u publikua mu te mediat shtetërore ruse gjatë luftës shkatërrimtare të Rusisë, të legjitimuar në mënyrë eksplicite nga pretendimi i kreut të shtetit rus se komb fqinj nuk ekziston. U publikua në ditën kur bota mësonte për vrasjet masive të ukrainasve nga rusët.

Manuali i gjenocidit i Rusisë u botua më 3 prill, dy ditë pas zbulimit të parë se ushtarakët rusë në Ukrainë vranë qindra njerëz në Buça, dhe pikërisht kur ky lajm po dilte në gazetat kryesore. Masakra e Buças ishte një nga disa rastet e vrasjeve masive që dolën në pah pasi trupat ruse u tërhoqën nga rajoni i Kievit. Kjo do të thotë se programi i gjenocidit u publikua me vetëdije, madje edhe kur shiheshin provat fizike të gjenocidit. Autori dhe redaktorët e zgjodhën këtë moment të veçantë për ta bërë publik programin për eliminimin e kombit ukrainas.

Si historian që merret me vrasje masive, e kam të vështirë të mendoj për shembujt kur shtetet e reklamojnë në mënyrë kaq eksplicite karakterin gjenocidal të veprimeve të tyre, pikërisht në momentin kur ato veprime bëhen publike. Nga këndvështrimi ligjor, ekzistenca e tekstit të tillë (në kontekstin më të gjerë të deklaratave të ngjashme dhe të mohimit të përsëritur të Vladimir Putinit për ekzistencën e Ukrainës) e bën shumë më të lehtë akuzën për gjenocid. Ligjërisht, gjenocidi i nënkupton të dy veprimet që e shkatërrojnë një grup tërësisht ose pjesërisht, të kombinuara që të dyja me qëllimin për ta realizuar këtë. Rusia e ka kryer veprën dhe e ka pranuar qëllimin. /Telegrafi/