LAJMI I FUNDIT:

Mali i Zi druan nga hakerët rusë – Rriten sulmet kibernetike kundër institucioneve shtetërore

Mali i Zi druan nga hakerët rusë – Rriten sulmet kibernetike kundër institucioneve shtetërore

Gjatë dy vjetëve të fundit, autoritetet në Mal të Zi kanë regjistruar rritje të sulmeve kibernetike – shumica e tyre kundër institucioneve shtetërore dhe mediave.
Në prag të zgjedhjeve presidenciale më 15 prill, ky vend po merr masa për një tjetër valë sulmesh.

Mali i Zi dhe vendet e tjera në Ballkan frikësohen se ndërhyrja e Moskës do të shtrijë edhe më shumë ndikimin e saj atje.


Zyrtarët në Podgoricë druajnë se vendi i tyre është veçanërisht i cenueshëm, pasi fituesi i zgjedhjeve presidenciale ka gjasa ta udhëheqë Malin e Zi drejt negociatave të hershme të anëtarësimit në Bashkimin Evropian – një veprim që Kremlini e kundërshton fuqishëm.

Bashkimi Evropian, së voni, ka hartuar strategjinë e re të zgjerimit që parashikon anëtarësimin e Malit të Zi në bllok deri në vitin 2025.

“Po bëjmë gjithçka të mundur për të qenë të përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme”, thotë Millica Jankoviq, shefe e Drejtorisë për Administrimin Elektronik dhe Sigurinë e Informacionit pranë Ministrisë së Administratës Publike në Mal të Zi.

“Po bëjmë monitorime të vazhdueshme dhe po përpiqemi t’i njohim sulmet dhe t’i parashikojmë përpara se të ndodhin”, thotë Jankoviq për Radion Evropa e Lirë.

Rritja e sulmeve kibernetike, të cilat analistët e sigurisë i lidhin me Rusinë, ka përkuar me fazën finale të negociatave të Malit të Zi për anëtarësim në NATO, në fund të vitit 2016.

Jankoviq tha se në vitin 2017 janë regjistruar rreth 700 sulme kibernetike.

Udhëheqësit e Malit të Zi po ashtu thonë se Moska ka bërë përpjekje të ndërhyjë në zgjedhjet e përgjithshme në këtë vend më 2016. Zyrtarët rusë i mohojnë akuzat. Por, autoritetet malazeze dhe partitë në pushtet thonë se Rusia ka sponsorizuar edhe një përpjekje për grusht-shtet në ditën e këtyre zgjedhjeve.