Lëvizja Vetëvendosje ka përshëndetur aksionin e organeve të rendit për të hetuar ne lidhje me projektin e ndërtimit në lagjen Lakrishte nga Ndërmarrja Publike Banesore (NPB), duke këmbëngulur se projekti është korruptiv dhe antiligjor.

Përmes një konference për media, deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, deklaroi se janë shkelur të gjitha procedurat ligjore që duhet ndjekur për dhënien në shfrytëzim të pronës publike, ndërsa mbrojti bastisjen e policisë në zyrat e NPB-së duke shtuar se ashtu parashihet në kodin e procedurës penale.

Sipas LVV, hartuesit e këtij projekti në vlerë prej 120 milionë eurosh, duhet të përgjigjen para drejtësisë ndërsa shtoi se lufta kundër keqpërdoruesve të pronës publike duhet të jetë e pa kompromis.

Reklama

“Lufta kundër korrupsionit dhe kundër keqpërdoruesve të pasurisë e pronës publike duhet të jetë e pa kompromis. Për një kohë të gjatë korrupsioni në Kosovë jo që nuk është luftuar por në pjesën më të madhe është përkëdhelur me veprime të dobëta e masa të lehta të gjykatave të Republikës së Kosovës, prandaj ky veprim së fundi, të organeve të rendit për të hetuar deri në fund dhe për të nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë apo që kanë mundësuar apo që nuk kanë ndaluar keqpërdorimet e shkeljet ligjore në rastin e dhënies në shfrytëzim të përhershëm të pronës publikes të Ndërmarrjes Banesore për ndërtim privat në një zonë profitabile të kryeqytetit, duhet të përshëndetet dhe të ndihmohet nga të gjithë”, tha Rrustemi.

Reklama
Reklama

Rrustemi u shpreh se vetëm disa muaj para se të fillonte mandatin qeverisja lokale e Prishtinës, në mënyrë të kundërligjshme, të nxituar dhe jo transparente i kishte hapur rrugë investimit të kontestuar privat në pronën e paluajtshme të Ndërmarrjes Publike Banesore.

Ai tha se kontrata ishte bazuar në një rregullore të brendshme të NPB e cila, sipas tij, ishte miratuar vetëm disa ditë para shpalljes për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone dhe se ishte bërë veçanërisht për këtë projekt.

“Ndryshimet në Ndërmarrën Publike Banesore kishin shkuar deri në atë masë që pasi ishte aprovuar rregullorja ishte ndryshuar edhe statuti i NPB-së, një muaj pas, në janar të 2021, me një afat prej 3 ditësh kinse për të aplikuar për përzgjedhjen e një kompanie e cila ishte themeluar disa ditë para shpalljes, kanë qenë indice të qarta që projekti ka qenë i kurdisur dhe kjo ka qenë pikënisja e të gjithave shkeljeve të denoncuara më pas në polici. Ligji nuk lejon që prona publike të jepet në shfrytëzim të përhershëm. Fjala ‘shfrytëzim i përhershëm’ nuk ka bazë ligjore, ka shfrytëzim të përkohshëm, pra nuk ka shfrytëzim të përhershëm. Ky veprim dukshëm ka përbërë shkelje ligjore dhe vepër penale”, tha Rrustemi.

Reklama
Reklama

Ndërmarrja Publike Banesori, përmes një komunikate për media, pretendoi se policët gjatë bastisjes kishin shkelur Kodin e Procedurës Penale pasi gjatë qëndrimit në dy kate të objektit nuk kanë lejuar praninë e askujt nga zyrtarët e saj ndërsa në katin e dytë dhe të tretë i kanë ndalur të gjitha kamerat e sigurisë.

Por, për Rrustemin kjo nuk përbën shkelje të Kodit dhe të gjitha veprimet e zyrtarëve policorë gjatë bastisjes janë të parashikuara qartë dhe veprimi i djeshëm ishte në përputhje me këto rregulla.

Ish-asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Egzon Azemi, tha se për projektin më gjigant në historinë e saj NPB nuk pati asnjë diskutim paraprak, as me banorët, as me qytetarët, as me asamblistët, as me organet e tjera te komunës.

Reklama
Reklama

Sipas tij, i mjaftuan më pak se tre ditë që ta mbajë thirrjen e hapur ndërsa sipas tij, në kaq pak ditë është e vështirë të mblidhen edhe dokumentet bazike se lëre më të ofertohet ligjshëm.

“Pse kaq i ngutshëm ky veprim? Pse nuk ishte afati më i gjatë që të aplikonin edhe shumë kompani të tjera? Të gjithë këto pikëpyetje na japin vetëm një përgjigje nëse asgjë tjetër. Mjafton vetëm ky fakt që të kuptohet se këtu gjithçka po zhvillohet në mënyrë shumë të dyshimtë. Normalisht interesi i secilit që dëshiron të jap pronën për ndërtim është të marrë sa më shumë oferta dhe rrjedhimisht ta zgjedhe ofertën më të mirë, por çuditërisht kjo nuk ndodhi nga NPB sepse këtu nuk ishte interes përftimi publik por interesi ishte i një grupi të ngushtë për përfitime të ngushta private. Kështu përveç pronës NPB do të humbiste gjithashtu edhe një pjesë shumë të madhe të përqindjes të këtij ndërtimi. Sipas kontratës NPB do të menaxhonte, ose do të kishte në pronën e saj, vetëm 36% të gjithë 5 kullave të parapara që të ndërtoheshin. Kjo është një humbje jashtëzakonisht e madhe kur dihet që i gjithë projekti do të ndërtohej në pronën publike”, deklaroi Azemi.

Reklama
Reklama

Azemi tha se NPB kishte refuzuar t’u jepte qasje edhe në dokumentet zyrtare në lidhje me këtë projekt në Lakrishtë. Ndërsa shtoi se fakti që një ndërmarrje publike që ka frikë nga policia e bënë dhe më të dyshimtë rastin.

Azemi tha se ishin pikërisht organet e rendit ato që ndaluan punimet dhe vërtetuan se NPB dhe këto kompani të dyshimta po rrënonin pa asnjë kriter mbrojtës azbestin kancerogjen shumë afër gjimnazit “Xhevdet Doda” dhe ndërtesave kolektive në Lakrishtë.

Ai tha se kryeshefi ekzekutiv i NPB-së, Hajdar Hoxha, ka penguar anëtarët e bordit që ta shkarkonin, ndërsa akuzoi kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe partia tjetër në koalicion me LDK-në në qeverisjen komunale, PDK, se po heshtin për këtë rast.

Reklama
Reklama

“Pas pezullimit të projektit nga Ministria e Mjedisit kishte zhvillime të tjera në NPB, bordi i NPB i përbërë nga Lendita Mekuli, Arbënore Jashanica, Xhevdet Leci dhe Bekim Pireva më 15 tetor me vota unanime kishin vendosur ta shkarkojnë kryeshefin e ndërmarrjes publike, z. Hajdar Hoxha. Mirëpo për shkak se disa punonjës administrativë atë ditë nuk gjendeshin në zyrë u detyruan që mos ta protokollojnë atë ditë vendimin dhe këtë protokollim tentuan ta bëjnë me datë 18 të po atij muaji, mirëpo nuk u lejua nga kryeshefi Hajdar Hoxha dhe vartësja e tij e cila e ka mbajtur vulën e protokollit, sipas vet anëtarëve të bordit, në mënyrë të paligjshme. Të gjitha këto veprime të paligjshme dhe e gjithë kjo heshtje e kryetarit të Komunës, Përparim Ramës dhe degës së Partisë Demokratike në Prishtinë”, vijoi Azemi.

Reklama
Reklama

Projekti i ndërtimit në lagjen Lakrishtë, për NPB-në përbën rritjen më të madhe të një prone publike ndonjëherë nga paslufta e tash. Sipas kësaj ndërmarrje, ky projekt ka qenë cak i sulmeve të orkestruara tash e sa kohë. NPB thotë se ligjshmëria e këtij projekti është vërtetuar pasi qeveria e humbi rastin për anulimin e këtij projekti në dy instanca gjyqësore.