LAJMI I FUNDIT:

Lumturia gjendet te qetësia e gjërave të zakonshme

Lumturia gjendet te qetësia e gjërave të zakonshme

Thënie nga: Virginia Woolf

– Do të doja të shkruaja një roman për heshtjen; për gjërat që njerëzit nuk i thonë.


– Me kalimin e muajve gjërat po e humbin ashpërsinë e tyre. Madje edhe trupi im e lejon dritën të hyjë brenda.

– Shpeshherë do të doja t’i shënoja fjalët e njerëzve dhe jo vetëm t’i përshkruaja, por për fat të keq njerëzit thonë aq pak.

– Me ç’emër duhet ta thërrasim vdekjen?! Dhe cila është fjalia e duhur për dashurinë?! Nuk e di. Kam nevojë për një gjuhë të thjeshtë si ajo e të dashuruarve, fjalë si ato të fëmijëve.

– Çdo dallgë deti ka një dritë të përveçme ashtu si drita e dikujt që duam.

– “ Unë” është vetëm një term i volitshëm për të përshkruar dikë që nuk ekziston me të vërtetë. Nga buzët e mia mund të dalin trillime, por ndoshta me to mund të jenë përzier edhe disa të vërteta; është detyra juaj të përpiqeni të gjeni të vërtetën dhe të vendosni nëse ia vlen të mbani ndonjë pjesë të saj. Në rast se jo, me siguri do t’i flakni të gjitha në koshin e plehrave dhe do ta harroni të gjithë këtë bisedë.

– Nuk është nevoja të nxitohesh. Nuk është nevoja të shkëlqesh. S’është nevoja të jesh askush tjetër përveç atij që je. Me fjalë të tjera, jeta duket e bukur, shpërblimet e saj të ëmbla kurse mëritë apo pakënaqësitë shumë të parëndësishme; miqësia dhe shoqëria e rrethit tënd fort e admirueshme; teksa fillon e të lodh gjumi midis jastëqeve në pezulin e dritares duke pirë një cigare të mirë.

– Poetët që janë gjallë sot shprehin ndjenja që sapo krijohen brenda nesh, po ashtu edhe njëherazi shuhen. Janë ndjenja që nuk i dallon në vështrim të parë; shpesh edhe u trembesh; i vështron me vëmendje e krahason ato me xhelozi e dyshim me ndjenjat e vjetra që i njeh më mire. Këtej rrjedh edhe vështirësia e poezisë moderne; dhe pikërisht për shkak të kësaj vështirësie nuk mban mend dot as dy rreshta me radhë të ndonjë poeti të mirë modern ….

– Lumturia gjendet te qetësia e gjërave të zakonshme. Një tavolinë, një karrige, një libër, një shenjë mes faqeve. Petali që bie nga trëndafili, drita që regëtin kur rrimë në heshtje.

– Meqenëse qenia njerëzore është ajo që është, e përbërë nga zemra, trupi dhe truri, të gjitha të futura në një kafaz dhe jo në dhoma të veçanta, siç kanë për të qenë me siguri pas një milion vjetësh, një darkë e mirë ka shumë rëndësi për të ngarë bisedën e këndshme. Njeriu nuk mund të mendojë mirë, të dashurojë mirë, të flejë mirë, kur nuk ka ngrënë mirë.