Erërat e forta që kanë përfshirë gjatë ditës së sotme Prishtinën dhe disa zona të tjera të vendit kanë shkaktuar incidente të shumta, duke detyruar ekipet emergjente të realizojnë dhjetëra intervenime në terren.

Sipas njoftimit të Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca, Brigada Profesionale e Zjarrfikësve, ekipet emergjente, Ndërmarrja Publike Gjelbër dhe Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit kanë kryer gjithsej 17 intervenime në territorin e Prishtinës dhe Fushë Kosovë.


Intervenimet kanë qenë kryesisht për largimin e kulmeve, llamarinave, reklamave dhe tjegullave të dëmtuara nga era, prerje të drunjve, si dhe trajtim të rasteve të zjarreve.

Sipas njoftimit, intervenime janë realizuar në lagjen Dardania për largim llamarine, në rrugën “Aziz Abrashi” për largim reklame, te Trafiku Urban për prerje të një plepi, në rrugët “Mark Isaku” dhe “Muharrem Fejza” për largim llamarinash, si dhe te ish-Kino ABC për largim tjegullash.

Po ashtu, ekipe emergjente kanë intervenuar te Bosna në lagjen Kurriz, në fshatin Hajvali për probleme me tela të rrymës dhe tym në një shtëpi, në Sinidoll për zjarr në bari të thatë, si dhe në Teneshdoll dhe Mramor për raste zjarresh.

Ndërkohë, intervenime janë raportuar edhe në Bregun e Diellit për largim ulluqesh, në banesat sociale në Dardani për largim kulmi, në rrugën “Eqrem Çabej” për largim llamarine, si dhe në rrugën “Besa Besë” në Fushë Kosovë për largim kulmi të dëmtuar.

Sipas Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, dy intervenime vazhdojnë ende të jenë aktive dhe ekipet emergjente ndodhen në terren.

“Falënderojmë të gjitha ekipet operative për reagimin profesional dhe angazhimin e vazhdueshëm në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Gjatë ditës, erërat e forta kanë përfshirë jo vetëm Prishtina, por edhe pjesë të tjera të vendit, ndërsa institucionet lokale kanë qenë në gatishmëri për t’u përballur me situatat emergjente. Fatmirësisht, deri më tani nuk është raportuar për persona të lënduar apo dëme më serioze.