Luis Enrique: Është ndeshja më e mirë ndonjëherë si trajner

Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique e ka vlerësuar lartë ndeshjen e parë gjysmëfinale dhe fitoren ndaj Bayern Munichut me rezultat 5-4.
PSG dhe Bayern Munich dhanë një performancë që, me shumë mundësi, ishte finalja e hershme e Ligës së Kampionëve të këtij sezoni. Ndeshja e parë shkoi në favor të ekipit parisien, por lojtarët e Vincent Kompany refuzuan të 'vdisnin' në Paris.
“Ne kemi treguar se çfarë lloj skuadre jemi. Nuk kam parë kurrë një ndeshje me këtë intensitet dhe këtë dëshirë për të fituar. Tifozët e të dyja skuadrave duhet të jenë të lumtur me këtë spektakël", ka thënë fillimisht Enrique, i cili gjithashtu dukej i entuziazmuar pas ndeshjes.
“Fizikisht, ritmi i tyre nuk ka rënë dhe për këtë, lojtarët meritojnë urime", shtoi ai.
Megjithatë, ai u ankua që skuadra e tij shpërdoroi një epërsi prej tre golash të ndërtuar midis fundit të pjesës së parë dhe fazave të hershme të pjesës së dytë.
"Ata morën shumë rreziqe dhe treguan se mund të performojnë në një nivel shumë të lartë."
Ajo për të cilën trajneri asturian është i sigurt është se "ishte ndeshja më e mirë që kam luajtur ndonjëherë si trajner, pa dyshim".
"Nuk kam parë kurrë një intensitet dhe nivel të tillë fizik. Duhet t'i përgëzojmë të gjithë. Ne meritonim të fitonim, të barazonim dhe të humbisnim. Ishte një ndeshje fantastike", përfundoi Enrique, i cili tani ka arritur pesëdhjetë fitore në Ligën e Kampionëve.
Rekordi për kohën më të shpejtë për të arritur këtë sukses mbahej nga Guardiola me 80 ndeshje dhe Luis Enrique e ka ulur atë në 77 ndeshje. /Telegrafi/
























































