LAJMI I FUNDIT:

Luftimi i korrupsionit zhvillon ekonominë

Luftimi i korrupsionit zhvillon ekonominë

Ambasadori i SHBA-së, Greg Delawie, ka bërë thirrje për bashkëpunimin e të gjithëve në Kosovë për ta luftuar korrupsionin për të pasur një ekonomi të shëndoshë dhe investime të huaja. “E pa investime nuk ka punësim”, tha ambasadori amerikan në tryezën me temën “Rëndësia e parandalimit të korrupsionit në zhvillimin ekonomik”.

“Prej se e kam marrë pozitën e kam pas mision luftimin e korrupsionit. Ne vazhdimisht po mundohemi përmes mekanizmave tonë t’i vetëdijesojmë qytetarët dhe bizneset të bashkëpunojnë më shumë në këtë drejtim për të pasur një ekonomi të shëndoshë, investime të huaja sepse pa investime nuk ka as punësim”, tha Delawie.


Ndërsa, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, theksoi se duhet guxim për të raportuar dhe guxim për të gjykuar përderisa prokurimin publik e sheh si vatër të korrupsionit.

“Fatkeqësisht termi korrupsion është bërë term kyç kur përmendet Kosova. Korrupsioni në shkallë kaq të lartë lëi imazh të keq për Kosovën. Korrupsioni zbeh besimin e publikut në Qeveri. Neve na duhet të marrim masa në rregullimin e prokurimit publik. Kemi të dhëna alarmante për parregullsitë në prokurimin publik. Është një rreth vicioz nga i cili nuk po mund të dalim për luftimin e korrupsionit sepse nuk ka vullnet politik. Na duhet guxim për të raportuar, na duhet guxim për të hetuar”, tha Jahjaga.

Ndërsa, Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane theksoi se ne vend ekzistojnë shumë mekanizma për luftimin e korrupsionit dhe se dhjetëra arrestimet e zyrtarëve nga ATK dhe Dogana dëshmojnë se korrupsioni po luftohet.

“Oda Ekonomike Amerikane në vazhdimësi bën përpjekje për luftimin e korrupsionit. Në vend ekzistojnë shumë mekanizma që mund të ndalim hovin e korrupsionit. Dhjetëra inspektorë të ATK-së dhe të Doganës janë arrestuar, gjë që tregon më së miri se korrupsioni po luftohet dhe ata që thonë se korrupsioni nuk ka nevojë të luftohet është për të ardhur keq. Ne duhet të ngritemi kundër atyre që me veprime korruptive ndalojnë një funksionim të shëndoshë të biznesit”, tha Zeka në këtë tryezë.

Kurse, Andrew Russell, koordinator për Zhvillimin i Kombeve të Bashkuara në Kosovë theksoi se agjenda e OKB-së në nivel lokal është luftimi i marrjes së mitës.

“Korrupsioni është sistem. Ne së bashku si shoqëri, si familje, mund ta ndërrojmë këtë sistem. Ne në OKB kemi punuar një agjendë për zhvillim për të gjitha vendet, duke u bazuar në atë se se 1.3 trilion dollarë është mitmarrja në vit në të gjitha vendet e botës, qe i bie të jetë 3% e GDP në nivel global”, theksoi Russell, duke shtuar duhet luftuar kjo gjë që nxit frustrim dhe pesimizëm te qytetarët. /Telegrafi/