ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Shqipëria pritet të mbyllë sot tre kapitujt e parë të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, gjatë Konferencës së nëntë Ndërqeveritare Shqipëri-BE që do të zhvillohet në Bruksel.

Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama, do të formalizojë mbylljen e kapitullit 25 (Shkenca dhe Kërkimi), kapitullit 26 (Arsimi dhe Kultura) dhe kapitullit 30 (Marrëdhëniet me Jashtë), fusha ku Shqipëria konsiderohet e harmonizuar me standardet e BE-së, raporton Tch.


Konferenca do të nisë në orën 19:00, ndërsa një orë më vonë do të mbahet një konferencë për shtyp mbi ecurinë e procesit të integrimit.

Mbyllja e këtyre kapitujve vjen pas përmbushjes së piketave të ndërmjetme (IBAR), një etapë kyçe në negociatat me Bashkimin Evropian.

Pas këtij hapi, Shqipëria duhet të plotësojë kushtet për mbylljen e 30 kapitujve të tjerë, me synimin që procesi teknik i negociatave të përfundojë brenda vitit 2027. Vendimi për anëtarësimin e plotë do të mbetet politik dhe do të kërkojë miratimin e të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.