LAJMI I FUNDIT:

Lufta me statistika dhe frika retrospektive

Lufta me statistika dhe frika retrospektive

Të jesh faktor demografik nuk është e thënë se je edhe faktor politik. Duke mos qenë faktor politik ndodh që mos jesh as faktor demografik.

Elitat politike të Ballkanit, nëpërmjet hartave etnografike dhe statistikave të panumërta demografike, të përpiluara nga fundi i shekullit XIX e duke vazhduar në shekullin XX, krijuan perceptimin se shqiptarët nuk ishin as faktor demografik, veçanërisht në Kosovë dhe Maqedoni. Më pas e ndryshuan pasqyrën demografike nëpërmjet dëbimeve në masë.

Shtetet e Ballkanit kanë synuar që nëpërmjet statistikave demografike dhe hartave etnografike t’i legjitimonin idetë dhe projektet e tyre kombëtare. Mjerisht, kjo tendencë shprehet edhe me regjistrimin e ri në Maqedoninë e Veriut, si inerci nga kohërat e shkuara. Në këtë regjistrim të larguarit për më tepër se një vit jashtë shtetit do të llogariten si jo rezident. Brenda RMV-së ka edhe mijëra qytetarë shqiptarë pa asnjë dokument, të cilët nuk mund shënohen si nënshtetas. Ata janë apatridë.

“Ekspertët” maqedonas thonë se “regjistrimi mund të shkaktojë ndarje në shoqëri”; se nuk është vetëm “operacion real statistikor”, ngase mund të ndikonte në ndarjen e vendeve të punës në administratën publike. Prandaj, gjithnjë sipas logjikës së tyre, shqiptarët nuk duhet të jenë më shumë se sa llogariten tani. Mundësisht më pak.

Opozita maqedonase bën presion, mbase me marrëveshje. Një lojë e luajtur shumë herë. Dhe, nëse numri i shqiptarëve është më i madh se sa tani, ajo do ta quajë regjistrimin si të falsifikuar.

Në një shtet ku shqiptarët trajtohen si numra, vështirë se mund të kryhet regjistrim i besueshëm, edhe pse ai është i domosdoshëm. Regjistrimi i njëmendtë jep pasqyrë reale për shumë sfera të shoqërisë, përfshirë numrin e vërtetë të qytetarëve, por edhe numrin e të larguarve nga vendi. Pushteti nuk dëshiron që të mësohet shkalla e shpërnguljes masive të të rinjve shqiptarë.

Përse regjistrimet zgjojnë debat dhe ngjallin frikë retrospektive?

Për ta kuptuar këtë, duhet ta kemi parasysh sfondin historik.

Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX elitat politike të shteteve ballkanike filluan një luftë me libra, harta etnografike, statistika demografike, sepse kufijtë e shteteve të reja përcaktoheshin sipas kritereve etnike.

Shtetet e Ballkanit, pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, pretendonin të shtriheshin në sa më shumë territore. Për të krijuar dominim demografik, u bënë edhe pastrime etnike. Paraprakisht propaganduan se shqiptarët ishin “ardhacakë” në Maqedoni dhe Kosovë. Pra, synohej t’u mohohej autoktonia dhe të paraqitej një imazh i rrejshëm demografik. Njëkohësisht edhe të përligjej dëbimi në masë i shqiptarëve.

“Shumica e atyre që u morën me numërimin e popullatës në Ballkan ishin të sëmurë nga sëmundja intelektuale e kohës – racizmi”, shkruan Justin McCarth në studimin “Popullata në Europën osmane para dhe pas rënies së perandorisë”. (Justin McCarthy, “Stanovništvo osmanlijske Evrope prije i posle pada carstva”, Sarajevë, 2014). Nicholas Michoffs, sipas tij, kishte krijuar pesë vëllime voluminoze me statistika vetëm për Maqedoninë, Trakinë dhe Bullgarinë. Më shumë se një mijë statistika ishin bërë për territoret e Shqipërisë së sotme, Greqisë dhe Jugosllavisë jugore, që kryesisht bazoheshin te “grupet racore vetanake”. Për këtë qëllim rritej numri i njërës racë kundrejt tjetrës. Madje, u ndryshuan edhe statistikat osmane dhe të ndryshuara u prezantuan në Konferencën e Paqes. Studiuesit europianë, sipas Justin McCarth-it, nuk i kishin konsultuar statistikat burimore osmane, edhe pse vetëm ato ishin bërë pasi ishte numëruar popullata. Në regjistrat osmanë numëroheshin vetëm burrat, pa i përfshirë gratë dhe fëmijët. Përpjekjet e para për një regjistrim gjithëpërfshirës i kishte bërë Sulltan Abdulhamiti II (1876-1909). Osmanët, shkruan ai, nuk ishin nisur nga kriteret racore, sepse vetidentifikimi bëhej nëpërmjet religjionit. Në shumicën e statistikave tjera numrat shënoheshin sipas porositësve, kurse territori i Maqedonisë ishte i papërkufizuar.

Ndonëse mashtrimet me shifra ndikuan edhe në përcaktimin e kufijve të shteteve të reja në Ballkan, shqiptarët ishin jashtë loje. Ata vetëm ua panë sherrin statistikave që i bënë të tjerët, sepse ndikuan në tkurrjen e territoreve të shtetit shqiptar.

Le të japim disa shembuj për lojën me statistika, për të ta parë pse ka frikë retrospektive prej tyre. Në vjetarin Maqedonia (Sofje, 1931) kemi 23 statistika demografike për Maqedoninë, që si rajon përfshin një territor shumë më të madh se sa Maqedonia e Veriut. Aty përfshihej Selaniku dhe disa pjesë nga Greqia e sotme, por shpesh nuk përfshiheshin rajonet e Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës apo Dibrës, ku shqiptarët ishin shumicë.

Nëse i analizojmë statistikat demografike në këtë vjetar, por edhe statistikat tjera, që i kemi shtuar sa për ilustrim, shohim vetëm mospërputhje shifrash, që rriteshin e zvogëloheshin varësisht nga autori ose porositësi.

Sipas statistikës së rusit Prince Tcherkovski (Bukuresht, 1877), Maqedonia kishte 872.780 ekzarkistë (bullgarë), 872.700 patriarkistë (serbë), 124.250 grekë, 187.800 arumunë, 516.220 shqiptarë e turq, 42.850 romë dhe 27.400 të tjerë.

Sipas statistikës së rusit V. Teplof (Shën Petersburg, 1877), Maqedonia kishte 1.479.417 banorë, gjegjësisht: 1.172.136 bullgarë, 190.047 grekë, 4.281 serbë, 63.895 arumunë dhe 12.055 shqiptarë.

Sipas statistikës greke të vitit 1878 Maqedonia kishte 1.329.000 banorë, gjegjësisht: 337 mijë ekzarkistë (bullgarë), 438 mijë grekë, 70 mijë arumunë, 349 mijë turq e shqiptarë, 135 mijë të tjerë dhe 35 mijë të huaj.

Sipas statistikës zyrtare osmane të vitit 1881, Maqedonia kishte 745.353 banorë, prej të cilëve 500.554 bullgarë, 22.892 grekë, 17.260 arumunë, 185.535 turq e shqiptarë, 4196 romë, 13.994 hebrenj dhe 925 të huaj. Në këtë statistikë përfshihet një territor më i ngushtë.

Sipas statistikës së rusit Aleksandar Fedoroviq Ritih, të botuar në Slavensky mir (Shën Petersburg, 1885), në Maqedoni kishte 1.121.288 bullgarë; 59.833 grekë dhe 360.628 banorë turq.

Sipas statistikës së St. Verkoviqit (Shën Petersburg, 1889), Maqedonia kishte 1.949.043 banorë, prej të cilëve 1.317.131 bullgarë, 227.740 grekë, 74.375 arumunë, 240.254 turq, 78.790 shqiptarë, 10.568 romë, 1612 hebrenj dhe 3.484 të tjerë.

Maqedonia, sipas statistikës së serbit Spiridon Gopçeviqit (Vjenë, 1889), kishte gjithsej 2.870.630 banorë, prej të cilëve 57.600 bullgarë, 301.140 grekë, 2.048.332 serbë, 62.655 arumunë, 231.400 turq, 165.620 shqiptarë, 28.730 romë, 64.646 hebrenj dhe 350 të tjerë. Ky autor te numri i serbëve i ka përfshirë “serbët muhamedanë” dhe “serbët e shqiptarizuar” (“arnautashët”).

Maqedonia, sipas statistikës së profesorit gjerman Gustav Weigandit (Leipzig, 1892), kishte 2.275.000 banorë, prej të cilëve ishin 1.200.000 bullgarë, 220 mijë grekë, 70 mijë arumunë, 695 mijë shqiptarë dhe 90 mijë hebrenj.

Autori kroat Dr. Ivan Hoiqi (1894) shkruan se katër kombet më të rëndësishëm të Turqisë Europiane, ishin: osmanlinjtë, bullgarët, grekët dhe shqiptarët, “pothuajse të barabartë në numër”.

Sipas statistikës së revistës “Albania” të Faik Konicës, të botuar në vitin 1898, disa nga qytetet shqiptare paraqiten si vijon: Shkupi me 35 mijë banorë, Tetova me 14 mijë, Gostivari 5 mijë, Kumanova 5 mijë, Struga 5 mijë, Veleshta 1 mijë, Ohri 25 mijë, Dibra 30 mijë, Kërçova 6 mijë, Koçani 4 mijë, Egri Pallanka 15 mijë, Kratova 7 mijë etj.

Sipas grekut Dr. Cleanthes Nicolaides (Berlin, 1899), Maqedonia kishte 1.820.500 banorë, prej të cilëve 454.700 bullgarë, 656.300 grekë, 41.200 arumunë, 576.600 turq dhe 91.700 të tjerë.

Sipas Vasil Kënçovit (Sofje, 1900), Maqedonia kishte 2.268.224 banorë, prej të cilëve 1.181.935 bullgarë, 228.702 grekë, 700 serbë, 80.767 arumunë, 499.204 turq, 128.711 shqiptarë (autori e thekson se shumica e të deklaruarve si turq ishin shqiptarë), 54.557 romë, 67.840 hebrenj dhe 16.407 të tjerë.

Në statistikën e Peucker-it (viti 1902), Vilajeti i Selanikut kishte 1.170.000 banorë, prej të cilëve 550 mijë bullgarë, 170 mijë grekë, 330 mijë turq, 3 mijë shqiptarë dhe 118 mijë të tjerë. Sipas të njëjtit autor, në vilajetet e Selanikut, Shkupit dhe Manastirit kishte 3 milionë banorë, prej të cilëve 1.350.000 bullgarë, 240 mijë grekë, 210 mijë serbë, 550 mijë turq, 677 mijë shqiptarë dhe 218 mijë të tjerë.

Diplomati bullgar, Dr. Marenini (pseudonimi i Nedelko Kolushevit), në librin Shqipëria dhe shqiptarët (1902), shkruan se disa pohonin se në Ballkan kishte gjithsej 800 mijë, kurse të tjerët se kishte 2.5 milionë shqiptarë. Ai mendonte se kishte 1.215.000 shqiptarë, 745 mijë gegë dhe 470 mijë toskë, por pa i përfshirë shqiptarët e Epirit dhe Thesalisë, që sipas tij e kishin humbur gjuhën dhe identitetin shqiptar, duke u shkrirë në grekë. Nuk i përfshin as shqiptarët e Maqedonisë, të provincave osmane, Egjiptit, Tunisit etj.

Polaku Wlodzimierz Trampczynski, në librin Shqipëria dhe Maqedonia – vendi dhe njerëzit (1903), i shumëfishon statistikat e Gopçeviqit. Numri i përgjithshëm i shqiptarëve (Iliryzycy), sipas tij, ishte 1.123.000 shqiptarë në Turqinë Evropiane, 28 mijë në Malin e Zi, 2.2 mijë në Serbi, 10 mijë në provincat e Austro-Hungarisë. Më pas bie në kontradiktë – shkruan se Shqipëria, që shtrihej në 91.400 kilometra katrorë, kishte 2.5 milionë banorë.

Sipas francezit Gaston Routier (Paris, 1904), Maqedonia kishte 3.148.000 banorë, prej të cilëve 1.136.000 bullgarë, 332 mijë grekë, 210 mijë serbë, 183 mijë arumunë, 474 mijë turq, 661 mijë shqiptarë, 89 mijë romë dhe 93 mijë hebrenj.

Sipas statistikës greke të Delyanit të vitit 1904, Maqedonia kishte 1.724.818 banorë, prej të cilëve 332.142 bullgarë, 653.795 grekë, 25.101 arumunë, 634.017 turq, 8911 romë dhe 53.147 hebrenj.

Sipas statistikës zyrtare osmane të vitit 1904, që i përfshinte vilajetet e Selanikut, Manastirit dhe Kosovës, e botuar në “Asr” (Nr. 994), ky rajon kishte 2.911.720 banorë, prej të cilëve 836.496 bullgarë, 307.000 grekë, 199.717 serbë e arumunë dhe 1.508.507 turq e shqiptarë.

Sipas statistikës zyrtare osmane të vitit 1905, rajoni kishte 2.903.930 banorë, prej të cilëve 1.203.695 bullgarë, 199.717 serbë e arumunë dhe 1.500.507 turq e shqiptarë.

Sipas gazetës “Le Temps” të Parisit (nr. 15950, shkurt 1905), Maqedonia kishte 2.782.000 banorë, prej të cilëve 1.300.000 bullgarë, 270 mijë grekë, 150 mijë serbë, 72 mijë arumunë, 410 mijë turq, 600 mijë shqiptarë dhe 80 mijë hebrenj.

Sipas statistikës së bullgarit D. M. Brankoff (Paris, 1905), Maqedonia kishte 2.291.121 banorë, prej të cilëve 1.172.136 bullgarë, 190.017 grekë, 63.895 arumunë, 340.433 turq, 12.006 shqiptarë dhe 12.604 romë.

Maqedonia, sipas rumunit Noe Constandis (Bukuresht, 1905), kishte 2.200.527 banorë, prej të cilëve 512 mijë bullgarë, 123 mijë grekë, 21.700 serbë, 350 mijë arumunë, 1.030.430 shqiptarë dhe turq, 65 mijë hebrenj dhe 2.830 të tjerë.

Sipas T. D. Florynskit (Kiev, 1905) Maqedonia prej 1.556.000 banorëve sllavë, kishte 1.132.000 bullgarë dhe 424 mijë serbë.

Sipas francezit Robert Pelletier (Francë, 1905), Maqedonia kishte 1.437.000 banorë, prej të cilëve 1.132.000 bullgarë, 190 mijë grekë, 63 mijë arumunë dhe 12 mijë shqiptarë.

Sipas statistikës së Latin-it (Paris 1905), Maqedonia kishte 1.325.000 banorë, prej të cilëve 450 mijë bullgarë, 250 mijë grekë, 50 mijë serbë, 300 mijë turq, 300 mijë shqiptarë, 475 mijë të tjerë.

Sipas gjermanit Richard von Mach (Leipzig, 1906), Maqedonia kishte 1.334.827 banorë, prej të cilëve 1.166.000 bullgarë, 95.003 grekë, 56.118 arumunë, 6.035 romë, 43.100 hebrenj, 9.500 shqiptarë të krishterë, 119.201 shqiptarë myslimanë dhe 106.380 të tjerë.

Sipas statistikës së çekut V. Sis, të vitit 1912, Maqedonia kishte 2.173.894 banorë, prej të cilëve 1.017.012 bullgarë, 204.367 grekë, 67.865 arumunë, 520.845 turq, 184.300 shqiptarë, 43.370 romë dhe 106.360 të tjerë.

Sipas statistikës së bullgarit Jordan Ivanov (Sofje, 1912), Maqedonia kishte 2.342.524 banorë, prej të cilëve 1.103.111 bullgarë, 267.862 grekë, 79.401 arumunë, 548.845 turq, 194.195 shqiptarë, 43.370 romë dhe 105,630 të tjerë.

Sipas grekut A. Haikiopulos (Athinë, 1913), Maqedonia kishte 1.704.899 banorë, prej të cilëve 313.270 bullgarë, 650.915 grekë, 4.000 serbë, 8.500 arumunë, 618.147 shqiptarë e turq, 88 mijë hebrenj dhe 12.057 të tjerë.

Studiuesi bullgar, Dimitar Gadzhanov, në studimin “Popullata myslimane në vende e sapoçliruara” (1916) jep një statistikë për numrin e banorëve të disa viseve shqiptare. Ai e pranon vlerësimin e Sami Frashërit se në Ballkan jetonin 2 milionë shqiptarë, pa i përfshirë shqiptarët e Greqisë dhe 250 mijë shqiptarët e Italisë, sa i vlerëson ai. Gadzhanovi thekson se shumë shqiptarë të Maqedonisë deklaroheshin si turq.

Sipas amerikanit Leon Dominian (Nju Jork, 1917), Maqedonia kishte 1.438.084 banorë, prej të cilëve 1.172.136 bullgarë, 190.047 grekë, 63.895 arumunë dhe 12.006 shqiptarë.

Srebren Poppetrovi, një zyrtar bullgar, shkruante në vitin 1932 se kishte 300 mijë shqiptarë në Epir dhe 700 mijë në Kosovë, “që është nën robërimin serb”.

Loja me statistika vazhdoi edhe gjatë kohës së Mbretërisë SKS (më pas Jugosllave). Sipas statistikës zyrtare të vitit 1921, në këtë mbretëri kishte: 9.547.000 jugosllavë, 191 mijë sllavë të tjerë, 508 mijë gjermanë, 494 mijë hungarezë, 479 mijë shqiptarë, 175 mijë rumunë, 10 mijë italianë dhe 187 mijë të tjerë. Shkupi dhe Manastiri hynin në qytetet me mbi 50 mijë banorë, kurse Tetova, Shtipi, Velesi, Mitrovica, Prilepi, Kumanova dhe Prishtina me mbi 25 mijë banorë. Vetëm Tetova kishte 15.119 banorë, prej të cilëve 7.119 sllavë, 1.298 shqiptarë, 6.432 turq dhe 269 të tjerë. Po sipas kësaj statistike, numri i përgjithshëm i shqiptarëve në Maqedoni, në vitin 1921, ishte 110.669 banorë ose 13.86 për qind, kurse në vitin 1931 ishte 129.640 ose 13.81 për qind. Numri i përgjithshëm i turqve në Maqedoni në vitin 1921 ishte 118.758 banorë ose 14.87 për qind, kurse në vitin 1931 ishte 105.407 ose 11.22 për qind.

Për t’iu kundërvënë propagandës serbe, Hamit Kokalari, konsull i shtetit shqiptar në Shkup, në vitin 1942 e botoi librin Shkupi – Konsiderata etnografike, historike, ekonomike. Ai shkruan se popullsia shqiptare, prej rreth 160 mijë banorësh, frymonte rreth Shkupit, si “qendra natyrale e gjithë zonavet shqiptare të Kosovës, Tetovës, Gostivarit etj.” Kokalari jep një pasqyrë të shkurtër demografike të Shkupit nëpër vite, duke u bazuar tek autorët e huaj, si: Hahn, Jaray, që e theksonin se elementi shqiptar aty ishte shumicë.

Edhe regjistrimet në Jugosllavinë e Titos ishin manipuluar. Sipas regjistrimit të parë, në vitin 1948, në Republikën e Maqedonisë kishte 1.152.986 banorë. Prej tyre: 789.389 ose 68,4 për qind maqedonas; 197.389 ose 17,1 për qind shqiptarë dhe 95.940 ose 8,3 për qind turq. E njëjta gjë ndodhi edhe me regjistrimet tjera.

Ky avaz mund të vazhdojë nëse ata që merren me numërimin e popullatës “janë të sëmurë nga racizmi”.

Shqiptarët, me këtë regjistrim, nuk mund t’i humbin të drejtat e fituara, por frika e nacionalistëve maqedonas është të mos kërkojnë të drejta të tjera, duke u bazuar në përqindjen demografike.

Regjistrimi si statistikë është i dobishëm. Por, kur politika i manipulon statistikat, atëherë bëhet i dëmshëm.

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Përfaqësuesja e Kosovës
Kalo në kategori