LAJMI I FUNDIT:

Lufta hibride dhe propaganda ruse në Ballkan, situata në veri dhe çështja e targave – analizë e njohësit të sigurisë, Agim Musliu

Lufta hibride dhe propaganda ruse në Ballkan, situata në veri dhe çështja e targave – analizë e njohësit të sigurisë, Agim Musliu

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu ka thënë se situata aktuale në veri të Kosovës është e brishtë dhe kjo është si pasojë e luftës hibride ruse.

Musliu në një intervistë për “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu theksoi se lufta në Ukrainë ka impakt në tërë botën dhe po ashtu edhe në Ballkan, derisa shtoi se Serbia “është patericë e Rusisë dhe influencës së saj në Ballkan”.


“Serbia është patericë e Rusisë dhe influencës së saj në Ballkan përmes kishës ortodokse, bizneseve, luftës hibride, nëpërmjet bandave kriminale, përmes politikanëve të korruptuar etj. Në Ballkan shtrihet lufta hibride ruse në mënyrë permanente në më shumë se një dekadë në mënyrë efektive. Jemi dëshmitarë të asaj që quhet influenca ruse në Serbi dhe krahas kësaj, mund të konstatojmë që në Beograd sot krahas gjuhës serbe flitet edhe gjuha ruse…”, ka thënë Musliu, duke shtuar se pas situatës në Rusi me agresionin në Ukrainë shumë rusë kanë shkuar në Serbi ku kanë hapur më shumë se 10 mijë biznese.

Njohësi i çështjeve të sigurisë ka folur edhe për propagandën e Rusisë përmes hapjes së televizionit “Russia Today”.

“Me propagandë merret Rusia. Nuk i ka mjaftuar ‘Sputniku’ po hapi edhe tjetër media…. çuditërisht është vajza e drejtoreshës së ‘Sputinkut’ e cila udhëheq këtë media, lidhja shumë e drejtpërdrejtë… njerëzit e besueshëm të shërbimit sekret rus…”, tha Musliu.

Agim Musliu, njohës i çështjeve të sigurisë /Foto: Ridvan Slivova

Ai tha se është parë vitet e kaluara çfarë ndodhi në Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi nga ndikimi dhe lufta hibride ruse, madje përgatitej edhe atentati ndaj Milo Gjukanoviqit, kaosi në Parlamentin e Maqedonisë dhe e tëra kjo nga ndikimi i luftës hibride ruse që ndikon në situatën e sigurisë në Ballkan.

Sipas tij, edhe Bosnja është e kapur hekurt nga ndikimi rus, ndërsa Serbia edhe deklarativisht është me Rusinë aleate.

“…Dhe e tërë kjo ndikon që situata në Kosovë të jetë rigjide”, tha Musliu.

Duke komentuar luftën Ukrainë-Rusi, Musliu tha se shteti rus qysh nga fillimi ka qenë e vetëdijshme që nuk mund të luftoj në mënyrë klasike me NATO-n apo SHBA-të me të cilin e ka tërë këtë “mesele” sepse dëshiron që të shtyjë kufijtë e NATO-s që janë në Ballkan, përmes Serbisë.

“Lufta hibride e Rusisë ndikon në situatën e sigurisë në Ballkan, dhe kjo bënë që situata në Kosovë është më e brishtë”, tha ai.

Musliu duke folur për situatën në veri, tha se kësaj i parapriu zbatimi i vendimit të Qeverisë për targat.

“Çështja e targave ka qenë pretekst për të braktisur institucionet e Kosovës nga ana e zyrtarëve serbë. Ky presion që i bëhet Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare i shërben Vuçiqit, sepse është mjeshtër në blerje të kohës për devijim të procesit të negociatave”, tha Musliu.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu, gjatë intervistës në “Përballje”/ Foto: Ridvan Slivova

Ai theksoi se kjo po ndodh për blerje të kohës, devijim të procesit të negociatave dhe për të përfituar në tavolinën e bisedimeve për çështjen e Asociacionit.

Pavarësisht kësaj, Musliu shtoi se deri më tani nuk është se ka pasur indikacione se po përgatitet ndonjë plan nga bandat kriminale në veri për eskalim të situatës.

Njohësi i sigurisë më tej theksoi se bandat kriminale në veri kontrollohen nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe se të njëjtat punojnë për të.

“Duke marrë parasysh influencën e Rusisë te presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i cili i kontrollon këto bandat kriminale në veri, e të cilët janë në listë të zezë të SHBA-ve, janë të targetuar si kriminel dhe si të tillë i kontrollojnë të gjitha bandat kriminale që janë më shumë se një që bëjnë biznese të pista e që përfitojnë për partinë e Vuçiqit. Veselenoviq dhe Radoiçiq i cili akuzohet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, janë udhëheqësit e bandave kriminale të cilët punojnë për presidentin e serb jo vetëm në Kosovë por edhe në Serbi. Ata punojnë së bashku me Vuçiqin për çështjen e Kosovës”, tha Musliu.

Ai mes tjerash tha se populli serb në veri është i tmerruar dhe terrorizuar nga bandat kriminale që veprojnë në atë pjesë.

Megjithatë, sipas tij, Kosova duhet të krijojmë mbrojtje për ta – ligjore dhe fizike nëse duhet.

Por, eksperti i sigurisë, Agim Musliu tha se pavarësisht situatës Kosova nuk duhet të bie pre e provokimeve të Serbisë dhe të mos jetë ajo e cila shkakton incidente në pjesën veriore.

“Bandat kriminale mund të shfrytëzojnë mjegullën sepse ato gjithmonë veprojnë në aspektin e sigurisë kur ka turbulenca. Mund ta shfrytëzojnë edhe situatën në Poloni, kur tërë bota tashmë është e trazuar dhe të shfrytëzojnë momentin për ndonjë incident i cili do të duket sporadik, por do të bëjë jehonë të madhe. Ne nuk guxojmë të biem pre e këtyre provokimeve pasi askush në botë nuk e di më mirë se Kosova mënyrën e veprimit të luftës hibride ruse dhe serbe”, tha ai.

“Sa i përket marrëveshjes për targa mendoj se është shumë afër ose veçse është finalizuar dhe sigurisht do të dalë në media. Por, duhet të kemi kujdes që të mos jemi ne ata që e shkaktojmë incidentin pasi gjithmonë e prezantojnë sikur ne kemi faj”, deklaroi Musliu. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Arsim
Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Arsim
A do t'i

A do t'i "shpëtojë" Albin Kurti Asociacionit të komunave me shumicë serbe, flasin analistët

Lajme
​Kurti: Anëtarësimi në KiE, hapi i parë drejt bashkimit me familjen evropiane

​Kurti: Anëtarësimi në KiE, hapi i parë drejt bashkimit me familjen evropiane

Lajme
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Inspektorati i Prishtinës në aksion, shqipton gjoba e konfiskon targa

Inspektorati i Prishtinës në aksion, shqipton gjoba e konfiskon targa

Prishtina
Kalo në kategori