LAJMI I FUNDIT:

LOTËT NË HËNË

LOTËT NË HËNË

Anonime arabe
Në shqip: Bajram Karabolli

Tregojnë se një fëmijë jetim, i vetmuar, endej gjithandej nëpër tokë. I vetmuar, i trishtuar; askush nuk kujdesej për të, askush nuk pyeste për të. Dhe, vogëlushi jetim e i braktisur, endej i vetmuar. Por, edhe pse tejet i mjeruar dhe i trishtuar, ai nuk qante. Nuk qante, sepse lotët ende nuk ekzistonin aso kohe.


Një natë plot dritë, fëmija që endej i vetmuar, ngre vështrimin nga qielli dhe shikon Hënën. Vështrimi i mbeti mbi shkëlqimin dhe bardhësinë e saj të mrekullueshme.

Edhe Hëna i kishte ngulur sytë mbi fëmijën jetim. Hëna, kur shikon vuajtjen dhe trishtimin e pamasë në sytë e vogëlushit, mallëngjehet dhe nuk duron dot. Ajo zbret sakaq në tokë dhe ulet pranë jetimit. Dhe, gjithë butësi e përgjërim, i thotë:

– Qaj, vogëlush! Qaj se do të ndihesh shumë më mirë … Por, mos i lër lotët që të bien dhe të prekin tokën. Lëri lotët të rrjedhin mbi mua dhe unë do t’i marrë me vete, kudo në qiell.

Atëherë vogëlushi bën siç i thotë Hëna: fillon të qajë. Për çudi, nisi të lehtësohej vërtet; tashmë ndjehej shumë më mirë.

Kështu pra, kanë lindur lotët e parë, të cilët ranë mbi faqen e Hënës.

Dhe ti, që e mësove këtë histori, ngrije kokën dhe shikoje Hënën e plotë! E shikon sa e bukur dhe e larë është? I shikon njollat e saj? Ta dish se ato janë shenjat e lotëve të parë në këtë tokë. Dhe ta dish se ishte hëna ajo që, një natë, arriti të qetësojë trishtimin e një fëmije jetim dhe të braktisur.