LAJMI I FUNDIT:

Lojërat karshi shqiptarëve, nuk janë befasuese

Lojërat karshi shqiptarëve, nuk janë befasuese

Për të moshuarit shqiptarë të Kosovës, lojërat politike të Evropës karshi shqiptarëve nuk janë befasuese. Ata gjatë historisë ishin të mashtruar, të manipuluar, por edhe të detyruar që më komshinjtë e dhunshëm të pranojnë marrëveshje, shpesh edhe të padëshirueshme.

Kjo lojë më shqiptarët e Kosovës, vazhdon edhe tani në shekullin XXI, kur “demokracia” po avancon. Është për të ardhur keq se si fqinjëve që na vranë e prenë, po ua mbajnë krahun edhe tani marrin vendime për Kosovën, kundër dëshirës së shumicës së shqiptarëve. Për fat të keq kësaj po i ndihmojnë edhe disa nga përfaqësuesit institucionalë që kanë marrë mandatin nga populli, të bindur se Evropa i ka kuptuar gabimet dhe mashtrimet politike të regjimeve serbe ndër shekuj.


Është e pakuptimtë se si ata vihen në lajthitje të atyre që edhe në këtë shekull masakruan, vranë përdhunuan dhe dëbuan më dhunë nga trojet shekullore mbi një milion shqiptarë. Më këtë fitohet përshtypja së agresori ka qenë i prirë që të zhbëjë popullin shqiptar në Kosovë. Kjo dëshmohet me shumë shembuj, sidomos tri të fundit: asfaltimi i rrugës mbi viktimat shqiptare në afërsi të Rashkës, rrefimi i anëtarit të formacionit “Çakalli” për masakrën në fshatrat Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Lybeniq, si dhe hapja e ekspozitës së viktimave të luftës nga të mbijetuarit të masakrës së familjes Bogujevci në Beograd, hapjen e së cilës u munduan që ta pengojnë më çdo kusht.

Janë këto dëshmitë më të freskëta të dhunës serbe në fundvitet e shekullit të kaluar, kunder shqiptarëve duarthatë dhe të pafajshëm. Kësaj, kur t’i shtohet edhe dështimi i raundit të bisedimeve të fundit në Bruksel – të cilat shpallen të pasuksesshme, e pas dy ditësh "të suksesshme" – shihet se evropianët, kur është fjala për shqiptarët, nuk matin më të njëjtën "kuti" .

Zyrtarët evropianë, në vend të ndëshkimit, deklarohen haptas se Serbia duhet të shpërblehet. Përfaqësuesit e institucioneve tona, herët apo vonë do të kuptojnë se janë të lajthitur, nëse kanë lexuar ndonjëherë për marrjen e vendimeve për trojet shqiptare që nga viti 1912 e deri sot. Ata do të kuptojnë, nëse duan dhe dinë, se me ta është luajtur sikur ne të ishim agresorë, kurse veriun e "integruar" po ua lënë gjeneratave që do vinë pas nesh, barrë të pazgjedhur (për të mos thënë të humbur njëherë e përgjithmonë).