LAJMI I FUNDIT:

Loja me portretin e Shaban Polluzhës

Loja me portretin e Shaban Polluzhës

Nga: Bajram Mjeku

Në tre vitet e fundit në rrjetet sociale, është publikuar një fotografi me një person të panjohur, i ngjeshur me armë të gjatë dhe xherdanë fishekësh! Kjo fotografi është prezentuar se kinse është portreti autentik i tribunit popullor, Shaban Polluzha.


E njëjta fotografi qarkulloi në rrjetet sociale edhe gjatë 21 shkurtit të këtij viti, derisa u përkujtua vetëm sa për të thënë 77 vjetori i rënies heroike të Shaban Polluzhës.

Publikimi i kësaj fotografie nuk është e rastësishme. Ka ndodhur nga persona të caktuar, me qëllim të përdhosjes së personalitetit të Shaban Polluzhës.

Familja e Shaban Polluzhës e kishte vetëm një fotografi të heroit kombëtar dhe djali i tij Ramadan Polluzha në vitin 1945 e kishte fshehur nën direkun e hambarit. Fotografia është nxjerrë nga aty në vitin 1990, për t’ia dhënë gazetarit dhe publicistit Muhamet Mjeku, derisa ky i fundit ishte duke shkruar librin “Lufta e Drenicës, Shaban Polluzha”.

Mbasi fotografia kishte qëndruar plot 45 vjet nën direkun e hambarit, ishte dëmtuar rëndë nga lagështia, por meqë ishte fotoja e vetme, e njëjta është publikuar në ballinën e librit.

Fotografia e heroit Shaban Polluzha, të cilën e shihni në ballinën e librit “Kosova në dimrin e vitit 1945” i botuar në vitin 2002, është në fakt ribotim i librit “Shaban Polluzha, Lufta e Drenicës”, me disa plotësime nga drama e vitit 1945.

Portreti autentik i tribunit popullor Shaban Polluzha, është ky i ballinës së librit dhe jo i “ushtarit të panjohur” me pushkë në krah e xherdanë fishekësh!

“Fotografi” të rralla të Shaban Polluzhës!?
Lexo po ashtu “Fotografi” të rralla të Shaban Polluzhës!?