LAJMI I FUNDIT:

Lluka: Nga 2021-ta qytetarët do të kenë tarifa zero të roamingut në Ballkan (Video)

Lluka: Nga 2021-ta qytetarët do të kenë tarifa zero të roamingut në Ballkan (Video)
Valdrin Lluka, ministër i Zhvillimit Ekonomik | Foto: Telegrafi

Në Samitin e dytë Dixhital, që po mbahet në Beograd, përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshjen për heqjen e çmimeve të shërbimeve roaming, që zbatohet në kuadër të telekomunikimit.

Pjesë e marrëveshjes është edhe Kosova, që është nënshkruar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.


Lluka në një intervistë për Telegrafi.com me gazetarin Albert Spahiu, ka thënë se kjo marrëveshje pritet të zbatohet tërësisht në dy vite, ndërsa nga viti 2021 do të largohet në tërësi.

“Është një marrëveshje që pritet të zbatohet tërësisht në dy vite në vitin 2019 dhe 2020, ndërsa në vitin 2021 të zbatohet si tërësi. Do të filloj në muajin korrik të këtij viti, ku do të filloj vetëm reduktimi i tarifave, që do të vendoset një çmim tavan i tarifave, pra që të mos ngarkohen qytetarët për internet për shuma të mëdha. Në korrik të vitit 2021 do të aplikohen tërësisht tarifat e roamingut sikurse në shtëpi dhe tarifat që i kem i në Kosovë do të aplikohen kudo që shkojmë ne vendet e Ballkanit Perëndimor”, shpjegon Lluka.

Nënshkruhet marrëveshja për heqjen e roamingut në Ballkan (Foto)
Lexo po ashtu Nënshkruhet marrëveshja për heqjen e roamingut në Ballkan (Foto)

Po ashtu, ai ka treguar se marrëveshja e heqjes së roamingut ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, pritet të zbatohet nga 1 korriku 2019.

Koordinatori Kombëtar i Ballkanit Perëndimor dhe këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Gazmend Abrash, në profilin e tij në Facebook ka shkruar se “qytetarët e Kosovës nga Korriku i këtij viti suksesivisht do të paguajnë më pak llogaritë e telefonit në drejtim të këtyre shteteve. Urime Kosovë!”.

Në samit, delegacioni kosovar është i përfaqësuar nga institucione të ndryshme shtetërore, organizata joqeveritare dhe kompani vendore në fushën e teknologjisë informative. /Telegrafi/