LAJMI I FUNDIT:

Live apo playback?

Live apo playback? Janë plotësisht përvoja të ndryshme dhe nuk ka kuptim ti krahasosh. Vetëm nëse vizitojmë cilindo kanal të këngëtarit apo këngëtares tonë të preferuar, në kuadër të performancave të tyre live, do të jemi në gjendje të dallojmë shprehjet e tyre të fytyrës, lëvizjet, gjestet, çirrjet… sepse interpretimi është “Ligj i skenës”. Nuk do të ishte e njëjta gjë po të shikonim performancat e tyre playback. Edhe regjistrimet, incizimet të cilat bëhen që i ndajnë këto kategori, janë dy gjëra ndryshe.

Muzika playback është për tru e vesh, kurse muzika live është muzikë për shpirt! Muzika ka të njëjtin efekte si tek të rinjtë, edhe tek të moshuarit. mirëpo ajo që i dallon është mënyra e të përjetuarit. Shpesh na ndodh të jemi prezent në koncerte e manifestime të ndryshme dhe kënaqësia është e madhe deri në momentin kur muzikanti ndalon. Atëherë ndalon gjithçka dhe thua me vete: sa keq që nuk e kam të regjistruar në CD që ta dëgjoj përsëri e përsëri.


Nga ana tjetër, muzika e incizuar të jep mundësi të njohësh këngëtarë të vjetër të cilët tashmë në një formë ose tjetrën e kanë lënë këtë botë, por që këngët e tyre jetojnë me ne.
Të këndosh live është një eksperiencë shumë emocionuese. Pikërisht për shkak të këtij emocioni shumë këngëtarë japin gjithçka nga vetja në mënyrë që ta kënaqin sa më shumë publikun duke harruar kështu perceptimin që kanë menaxherët e tyre se muzika është biznes dhe konkurrencë. Por, besoj se për “të mirët” ka vend gjithmonë.

Interpretimi live dita ditës po shtohet, por prapë me ritëm të ngadalshëm. Mirëpo, ai nuk tradhton, pavarësisht nga problemet e mundshme teknike, të cilat në vendin tonë janë të dukshme, por edhe të kuptueshme për një transmetim drejtpërdrejt.

Interpretimi i gjallë të jep mundësinë të shijosh jo vetëm tingujt e pianos, harqeve, instrumenteve frymore dhe aftësinë e këngëtarëve për të përballuar një skenë çfarëdo çoftë ajo: festivali apo ndonjë lloji tjetër.

Sigurisht që interpretimi live në skenë është më me vlera, ai duhet të jetë më shumë prezent.

Të dëgjuarit e muzikës live pa diskutim është njëra ndër mënyrat më të mira për ta kaluar kohën e lirë, kur jemi pa disponim dhe nuk ndihemi në humor. Performanca live sjellë një përvojë të paharrueshme kur krahasohet me videoklipin e xhiruar, aq më tepër kur na mundëson edhe ne në një formë të jemi pjesë duke kënduar, sepse shpesh herë kemi hasur raste kur këngëtari udhëheqë turmën qoftë duke kënduar, duartrokitur ose vallëzuar.

Në vendet e Evropës e Amerikës, zakonisht në kohën kur organizohen koncerte të mëdha, që tërheqin vëmendje e të rinjve, bënë që ata të udhëtojnë me kilometra larg për të marr pjesë. Në këtë mënyrë, duke shëtitur ata njohin kultura të reja për muzikën.

Bota sot është e përfaqësuar nga teknologjia. Pothuajse në çdo aspekt të jetës. Interneti është vendi që tërheqë pas vetes një varg liste të muzikës; kuptojmë cilat janë koncertet e radhës përmes rrjeteve sociale; rezervojmë bileta… Pra, internet teknologjia është pikërisht çelësi, e veçmas për këngët të cilat kanë ide dhe përcjellin mesazhe domethënëse e pozitive.

Shumica e restoranteve dhe lokaleve, pa diskutuar shijet të cilat janë bindje personale, kanë muzikë live së paku dy herë në javë. Kini pak vëmendjen dhe kërkoni t’i prenotoni. Besoni, do të jetë tepër argëtuese!