LAJMI I FUNDIT:

LISTA

Harroni premtimet melankolike të thurura nën euforinë e brohoritjeve shkumuese nga militantët partiak. Harroni premtimet garuese me numra që historia jonë modeste ekonomike nuk ka ditë asnjëherë ti prodhojë. Harroni të gjitha. Partitë e sodit, qeveritë e së nesërmes, kanë një listë të plotë sfidash ekonomike që meritojnë më shumë respekt. Për hir të vlerave shtetndërtuese dhe nevojës për rimëkëmbje ekonomike, ofroni zgjidhje që kanë sens.

Harroni listat e deputetëve dhe luftën për renditje në to. Harroni koncertet, koston e tyre, vallet e pakuptimta e lavdërimet e stërterpëruara për njëri tjetrin. Provoni diçka më të kuptimtë. Vendi ynë ka një listë tjetër, atë të sfidave ekonomike që me padurim presin vëmendjen nga Qeveria 2011. Ballafaqimi me to përmirëson kualitetin e jetës të çdo kosovari dhe me këtë perspektivën e vendit tonë të ri. Një pjesë e këtyre sfidave janë ngurtësuar nëpër vite nga injorimet e vazhdueshme, deri sa të tjerat janë të krijuara së fundmi nga vendimet e ngutshme dhe të pamatura. Nga Autostrada e deri te Privatizimi, prej CEFTA-s e deri te pagat e shërbyesve civil, nga qëndrueshmëria buxhetore e deri te projektet energjetike, të gjitha këto do të jenë pjesë thelbësore e agjendës post-zgjedhore. Mos adresimi i tyre do të rëndojë edhe më tepër zhvillimin ekonomik tonin ndërkaq rimëkëmbja ekonomike do të duket e largët.

Autostrada

Nuk jam ndier asnjëherë komfort me numrat që jepeshin si kosto e ndërtimit të një autostrade që vishej me plot arsye të kuptimta pas petkut kombëtar, por jo atij fisibël në kushtet dhe kohën e formësimit të saj karshi nevojave zhvillimore të vendit. Kam qenë edhe më dubioz kur kufijtë e kësaj kostoje silleshin nga 700 milion deri në 1.5 miliardë euro. Një mosaftësi e tillë parashikuese për një projekt sa 35% e bruto produktit vendor natyrshëm lë të dyshosh për qëllimet dhe aftësinë implementuese të projektit. Kurora e dyshimeve u vu pas hetimeve për korrupsion ndaj nismëtarëve dhe promovuesve të këtyre numrave. Pavarësisht kësaj, autostrada është nisur dhe mirë shumë që është nisur. Megjithatë ajo ka një kosto të padefinuar. Për më tepër kontrata në mes palëve mbetet e mbyllur për publik dhe rrjedhimisht parashikimi i nevojave reale do të ishte shumë suspicioz. Çdo Qeveri e ardhshme duhet të ofrojë një burim financues për autostradën domosdoshmërisht, madje me rrjedhën e punëve nga Bektel Enka kjo ofertë më mirë të vijë sa më shpejtë në të kundërtën me proklamimet e këtyre të fundit ne duhet të paguajmë një kosto marramendëse (sa të ardhurat vjetore mesatare të 40 kosovarëve) për vetëm një ditë. Çfarë u ofrua si zgjidhje nga politikëbërësit e shkuar ishte transformimi i aseteve nacionale, pra shitja e një pjese për ndërtimin e një pjese tjetër. Një qasje e tillë është tepër kufizuese në mundësitë e krijimit të alternativave financuese dhe para së gjithash në vullnetin për të gjetur burime tjera. Ndërlidhshmëria e PTK-së me Autostradë është financim i lehtë, i shpejtë dhe teknikisht i pastër, por asesi i qëlluar. Financimi nëpërmjet kredive të huaja, apo financimi nëpërmjet partneritetit publiko privat do të kërkonte angazhim, do të kërkonte fizibilitet dhe arsyeshmëri të projektit. Cili fond financues kreditor do të financonte një projekt vlera e të cilit është tmerrësisht amorfike?

Qeveria e re, dhe rrjedhimisht partitë garuese, është mirë të japin dhe të vlerësohen mbi to, të gjitha alternativat e tyre në relacion me financimin e projektit të autostradës. Është esenciale për qëndrueshmërinë buxhetore të vendit dhe natyrshëm qëndrueshmërinë ekonomike tonën të dihet më tepër mbi potencialin e ofrimit të zgjidhjeve dhe pëlqyeshmërinë tonën mbi këto alternativa. A do të ndërtojmë partneritet me biznese? A do të huazojmë? Apo ndoshta do të shesim për të blerë?

Privatizimi i PTK-së

Ndoshta dallimi më i madh ideologjik në mes të pretenduesve për qeverisje zhvillohet pikërisht nën ombrellën e temës së privatizimit. Disa e mbështesin, të tjerët e kundërshtojnë. Disa nuk japin fare mendim mbi të meqë nuk dinë si. Janë të pakta ato partitë që ofrojnë një qasje ideologjike mbi subjektin e privatizimt. Të shumta janë ato që vendosen në pozicionin kundërshtues vetëm për të bërë të kundërtin. Të tjerat ofrojnë zgjidhje ekstreme, prej shitjes së tërësishme e deri te rikthimi i pronësisë publike nga proceset e kaluara. Pavarësisht kësaj, nëse asgjë tjetër, në 100 ditëshin e parë qeverisës presionet do të jenë të padurueshme. Do të kemi një bashkësi ndërkombëtare që shtynë idenë e privatizimit fillimisht të PTK-së e më pas edhe të KEK-ut. Para së gjithash do të jetë Fondi Monetar që me ngulm do të kërkojnë procesin e privatizimit si parakusht i tranzicionit ekonomik dhe jam i bindur se këtë proces do ta kushtëzoj edhe me përfitimet e fondeve mjaft atraktive që i ka në menynë e vet. Në fund të fundit, privatizimi është një ndër pesë kriteret e FMN-së për kalimin e procesit të tranzicionit ekonomik. Njëjtë do të bëjë edhe Banka Botërore dhe një sërë organizatash e përfaqësi të huaja. Nuk them se ne duhet të bëjmë dëgjuesin dhe ekzekutuesin e çdo mendimi apo sugjerimi miqësor të huajin. Megjithatë them se ne nuk duhet të bëjmë të shurdhrin dhe të paditurin as tani kur duhet matur alternativat e as nesër kur duhet pozicionuar alternativën e zgjedhur. Pretenduesit e sodit duhet të jenë të qartë ndaj votuesve mbi praktikat që ata mbështesin në drejtim të aseteve publike të Kosovës, me theks të veçantë në telekomunikacion. Le të ofrojnë qasjen e tyre, le të japin alternativat qoftë në favor të mbajtjes apo shitjes së tyre. Le të japin storien e tyre të procesit vendimmarrës dhe rezonin prapa këtij tregimi.

CEFTA

Nuk mbaj mend të është mbajtur ndonjë mbledhje të Qeverisë për të diskutuar njërën nga shkeljet më të rënda ndërkombëtare në fushën e tregtisë, e që në mënyrë të drejtpërsëdrejtë prekë interesat tona, të bizneseve tona të qytetarëve tanë. Mbaj mend mbledhje të Qeverisë për dhënien e projekteve njëburimore për qëllime të marketingut, mbaj mend mbledhje për deklarimin e ministrave për pozita të deputetëve dhe pagat e tyre, mbaj mbledhje nga më të çuditshmet. Por që asnjëherë nuk u diskutua për një unilatiralitet agresiv nga dy vende që marrin një hise bukur të mirë të importeve tona, këtë kam vështirë ta kuptoj. Adresimi i këtij problemi është mbyllur gjithmonë prapa arsyetimit të pafuqisë politike në shtrimin e kontrollit ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare. Jam i bindur se arsyetimi i tillë është më tepër lirim nga barra e marrjes së vendimeve dhe para së gjithash nga nevoja për të prodhuar punë.

Nuk besoj se ka autoritet mbi atë të pranuar ndërkombtarisht, nga 75% e fuqive ekonomikedhe poltike botërore, se sa Qeveria e Kosovës. Fatin se çka do të shitet, sa do të shitet dhe pse do të shitet në oborrin tonë e përcaktojmë ne, sidomos kur kemi të bëjmë me dy vende që në vazhdimësi cenojnë integritetin tonë ekonomik dhe fyejnë çdo përpjekje tonën për bashkëpunim bilateral. Të gjithë ata që synojnë udhëheqjen e vendit le të rendisin hapat që duhet ndërmarrë ose për të zhbllokuar situatën e krijuar ose për të vendosur reciprocitetin.

Kosova e Re

Projekti më kontrovers i dhënë deri më tani në Kosovë mban firmën e fillimisht Kosovës C e më pas Kosovës së Re. Për 6 vite me radhe e gjitha çfarë ne arritëm të bëjmë është ndërrimi nga “C” në “e Re”. Konsideroj se më brengosëse është fakti se Kosova nuk ka një koncept të qartë rreth zhvillimit energjetik në vend. Ne jemi dëshmitarë të ndërrimeve rapide në planifikimet e ndërtimeve të kapaciteteve energjetike. Janë përfolur fillimisht 2100 megavat, 600 megavat dhe kohëve të fundit ndërtimi i kapaciteteve jo më shumë se 300 megavat. Duke qenë me këso hamendje, nga të gjitha alternativat e përmendura ne vazhdojmë të zgjedhim atë më të pafavorshëm, të zero megavateve dhe në veti po mbajmë një kosto të kohës. Projekti energjetik i Kosovës është dashur të jetë tashmë i përfunduar. Kosova e Re në vazhdimësi ka qenë pjesë e diskutimeve nga më të ndryshmeve, nga teoritë e konspiracionit e deri te arsyet irracionale prapa vendimeve të tilla. Qasja ndaj saj ka qenë subjekt i një sërë akuzash dhe kundërakuzash korruptive nga dhe prej atyre që synuan ose morrin pushtetin.

Pavarësisht kësaj, besoj se pretenduesit për pushtet duhet të definojnë qartë konceptet e tyre energjetike dhe qasjen që ata ofrojnë. Këtu, vendi ynë ballafaqohet me dy alternativa. Në të parën, Kosova e sheh energjetikën vetëm si përmbushës së nevojave esenciale për krijimin e një ambienti stabil energjetik për bizneset dhe qytetarët. Alternativa e dytë në vete mban idenë se energjetika duhet të jetë forcë motorike e zhvillimit ekonomik. Në të dyja rastet, energjetika duhet shihet si një fushë me plot potencial dhe me plot interes nga investitorë mjaft të fuqishëm. Të gjithë ata që pretendojnë qeverinë se së nesërmes duhet të na ofrojnë që tani alternativën e tyre ndaj kapaciteteve energjetike. Çfarë do të ndodhë me minierat tona dhe ato 14 miliard tonelata linjit? Çfarë do të ndodhë me termocentralet e stërvjetërura, dhe më e rëndësishmja çfarë do të ndodhë me kapacitetet e reja?

Prokurimi Publik

Është quajtur korrupsion, mitodhënie, keqpërdorim, hajni, vjedhje e më së shpeshti edhe 20 përqindësh. Të gjithë e kanë evidentuar, nga “Raporti i Progresit” i Komisionit Evropian e deri te “Doing Business” i Bankës Botërore. Ajo çfarë e bën të dallueshëm fenomenin korruptiv tonin është shpërndarja e tij. Deri sa në vendet tjera tërheqja korruptive është pjesë e shërbyesve civil të rangut të ulët, tek ne keqpërdorimet masive janë pjesë e një strukture mjaft mirë të organizuar e që në masë të madhe është e lidhur me prokurimin publik dhe rrjedhimisht paranë publike. Kostot monetare të mitodhonies për le të themi administratorë tatimor, punonjës dhe shërbyes civil lokal ose në fund të fundit për mjek e policë janë simbolike karshi milionave të pafund që ciklohen nga një sistem i korruptuar si ai i prokurimit publik. E gjithë paraja e buxhetit të vendit dhe e gjithë paraja e ndërmarrjeve publike kalon nëpër një rrjet të njëjtë keqpërdorues që përveç se nxjerr një output tmerrësisht të dobët e të shtyrë nga interesa të ngushta, jep gjithashtu destruktivitet dhe barriera të rënda për bizneset eficente.

Lufta ndaj korrupsionit do të thotë luftë ndaj prokurimit publik. Aty fillon dhe aty mbaron çdo tendencë për të shuar çfarëdo përfitimi personal në kurriz të interesave nacionale. Qeveria e ardhshme do të ketë sfidë të pashoq nevojën për reformim të sistemit prokurues dhe mbytjen e elementeve virusore në këtë sistem. Këto “ushunjëza” që nuk u ngopën asnjëherë, e që po tu jepet mundësia do të vazhdojnë të bëjnë një gjë të tillë në pafundësi, duhet adresuar pa humbur kohë meqë kostot e tyre janë shkatërruese për ekonominë tonë, bizneset tona dhe investitorët potencial. Dhe kjo shuarje në asnjë mënyrë nuk mund të bëhet në mënyrë deklarative. Do të isha shumë i lumtur sikur të gjithë pretenduesit të jepnin hapat e tyre të prekshëm dhe të matshëm në luftën kundër korrupsionit.

Pagat dhe Protestat

E fundit, por po aq e rëndësishme sa të tjerat, është edhe stabiliteti e kohezioni shoqëror. Një ekuilibër i tillë vështirë mund të arrihet nëse barra e tranzicionit vendoset disproporcionalisht me pjesëmarrësit e saj. Në dy vitet e fundit patëm një sërë pakënaqësish të shfaqura kryesisht nga grupet e shërbyesve civil. Zgjidhjet e ofruara ishin ad-hoc, të pamatura, dhe pa ndonjë mbështetje të qëndrueshme buxhetore. Nuk do të habitesha nëse durimit të mjekëve, mësuesve, policëve madje pse jo edhe zjarrfikësve, t’ju vjen fundi. Në të njëjtën kohë jam shumë kureshtarë të kuptoj alternativat e pretenduesve mbi zgjidhjet që këta do të ofronin në këtë drejtim. Çfarë do të ndodhë nëse 2011-ta do të jetë vit i protestave? Do të kemi rritje të njëjtë si në vitet paraprake, ad-hock dhe pa ndonjë planifikim të mirëfilltë? Ku do të merren paratë për këto rritje? Si do të shpërndahet buxheti dhe çfarë do të jenë prioritetet buxhetore?

Besoj se lista e sfidave dhe problemeve ekonomike që na presin neve, partitë garuese dhe Qeverinë tonë të re janë të shumta dhe të pafunda. Fatkeqësisht nga praktikat e fushatave të deritanishme, nuk mund të them të njëjtën gjë për alternativat, idetë dhe kreativitetin e ofruar për ti zgjedhur ato. Në një vend normal, ofrimi i zgjidhjeve ndaj këtyre problemeve do të përcaktonte fituesin dhe humbësit. Dua të besoj se votuesit kosovar do të merren më seriozisht nga pretenduesit për pushtet dhe kërkuesit e votës. Nëse ka një besim në reciprocitet të mirëkuptimit dhe respektit atëherë partitë duhet të dinë më mirë se kushdo tjetër për nevojën e trajtimit më serioz të problemeve tona ekonomike. Kosova nuk ka nevojë për këngëtarë në podiumet partiake, as për valle as për brohoritje “rrnoftënuese”. Kosova ka nevojë për alternativa dhe zgjidhje, për shkrirje mendsh dhe idesh, për matje dhe peshim të tyre. Kosova ka një listë ndryshe dhe kjo listë pret vëmendjen tuaj.
(Botuar në Koha Ditore, 19.11.2010)