Lisa Kudrow e “Friends” zbulon kërkesën e bezdisshme të fansave që refuzon: Vërtet nuk dua ta bëj këtë

Aktorja e njohur e serialit “Friends”, Lisa Kudrow, ka treguar kërkesën e vetme që fansat i bëjnë dhe të cilën ajo gjithmonë e refuzon, teksa ka folur në një intervistë të re për suksesin e serialit.
Aktorja 63-vjeçare, e cila u bë e famshme në rolin e Phoebe Buffay, luajti në të 10 sezonet e sitcom-it të NBC-së, i cili u transmetua nga viti 1994 deri në vitin 2004.
Krahas Kudrow, në serial luanin edhe Jennifer Aniston, Courteney Cox, Matt LeBlanc, David Schwimmer dhe i ndjeri Matthew Perry. Seriali ndiqte jetën e gjashtë miqve të ngushtë që jetonin në New York City.
Gjatë një interviste në emisionin “Fresh Air”, me prezantuesit Terry Gross dhe Tonya Mosley, Kudrow tha se nuk ka “asnjë ankesë për ‘Friends’ apo për asgjë që lidhet me të”.

Megjithatë, ajo pranoi se ka një përjashtim kur bëhet fjalë për kërkesat e fansave.
Kudrow tha se nuk e shqetëson kur fansat i kërkojnë të përsërisë disa nga batutat e famshme të Phoebe-s, madje as kur e thërrasin me emrin e personazhit.
Por ajo nuk ka dëshirë kur i kërkojnë të këndojë këngën e famshme të Phoebe-s, “Smelly Cat”.
“Herë pas here, njerëzit më ndalojnë dhe më thonë: ‘Oh, këndo “Smelly Cat”.’ Unë nuk dua ta bëj këtë. Vërtet nuk dua ta bëj”, u shpreh ajo.

Gjatë intervistës, Kudrow foli gjithashtu për kënaqësinë që përjetoi gjatë xhirimit të “Friends” dhe për lidhjet e forta që krijoi me kolegët e saj, marrëdhënie që kanë zgjatur për dekada.
“Vetëm marrëdhënia me aktorët e tjerë… kalonim shumë mirë bashkë. Kjo është diçka shumë e rrallë. Dhe kishte një respekt të vërtetë e të sinqertë, një respekt të ndërsjellë”, tha ajo.
Kudrow pranoi se ajo dhe kolegët e saj duhej të punonin vazhdimisht për t’i ruajtur dhe forcuar miqësitë e tyre gjatë viteve të xhirimeve.

“Ishte një marrëdhënie shumë e mirë, e cila kërkonte pak përpjekje, dhe ne bëmë atë përpjekje. Ishte fantastike. Gjithçka rreth saj ishte fantastike.”
Kudrow tregoi se ajo dhe kolegët e saj “siguroheshin” që të kalonin kohë së bashku dhe madje luanin poker gjatë pushimeve mes xhirimeve në sheshin e serialit.
















































