Xhelal Neziri në PodGo: Nëse BDI-ja pa zgjedhje futet në Qeveri, do të jetë fundi i saj

Analisti politik Xhelal Neziri është i ftuari i radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilin kemi diskutuar për skenën politike në vend, Qeverinë, si dhe ekonominë e vendit.
Neziri theksoi se skena politike tani është më e qartë se në të kaluarën. Ai gjithashtu tregoi për vështirësitë që kanë pasur gazetarët me zyrtarët politik vitet e mëparshme.
"Skena politike është më e qartë sesa ka qenë përpara. Më herët kishim 5-6 parti ose më shumë, nuk merrej vesh kush për çfarë angazhohej. Tani e shoh se ka dy grupime politike. Dalin parti futen tjera, por prapë ka 2 boshte. Në të kaluarën ka qenë shumë e vështirë të marrësh deklaratë nga zyrtarët politik, ndërsa sot është më e lehtë. Edhe vetë partitë përdorin rrjetet sociale. Është pejzash tjetër nga jo që ka qenë në të kaluarën", tha Neziri.
Sa i përket Qeverisë aktuale, ai tha se partnerët shqiptarë nuk kanë pozitë të favorshme, për shkak të numrave.
"Qeveria e tanishme është stabile dhe nuk rrezikohet nga numrat. Gjithashtu OBRM-PDUKM-ja është e fuqishme me 59 deputetë dhe kjo situatë është e rëndë për partnerin shqiptar. Çdo parti që do të ishte në koalicion me këtë OBRM-PDUKM, do të ishte në situatën e njëjtë si VLEN-i. Nëse BDI-ja pa zgjedhje futet në Qeveri do të jetë fundi i saj dhe zgjedhjet e radhës ka gjasa të jetë parti minore. Atë gabim e bëri PDSH-ja në vitin 2008 dhe e pagoi. Nëse VLEN-i do të ishte marrë vesh me BDI-në për së paku një mandat, që BDI-ja t'ia ruante shpinën, pozita e shqiptarëve do të ishte më e favorshme. Partitë shqiptare më shumë komunikojnë me të tjerët se sa në mes vete", tha Neziri.
Sa i përket zgjedhjeve në Komunën e Bërvenicës, ai tha se shqiptarët nuk kanë interesim për të shkuar me një kandidat.
"Shqiptarët e shoh se nuk kanë interes të bashkohen për të votuar kandidat shqiptar në Bërvenicë. Edhe në Kërçovë u pa se nuk kishte mobilizim të strukturave që të fitohet ajo komunë. Edhe në Bërvenicë e patëm rastin e kandidatit që kishte ambicie të fitojë komunën, por u braktis nga partitë politike", tha Neziri.
Ndërsa sa i përket ekonomisë, ai theksoi se shteti ballafaqohet me shumë probleme.
"Ka shumë probleme ekonomia e shtetit. Jo që është mungesë e mbledhjes së tatimit, por çështja është te projektet infrastrukturore dhe buxheti që në start alokon deri 600 milion euro në projektet infrastrukturore. Nëse vazhdohet kështu nuk do të ketë para për pagesën e arsimtarëve, gjyqtarëve, policëve, administratorëve. Mendoj se duhet të ketë kompromis me Bullgarinë, pasi kemi nevojë për mjetet e BE-së", tha Neziri.
E pyetëm që ta bëjë një parashikim për të ardhmen e RMV-së, ai tha se në vend ka zhvillim të vazhdueshëm, edhe pse nuk është i hovshëm dhe u shpreh optimist për pozitën e vendit drejt BE-së.
"Edhe pse ka shumë pengesa, deri në vitin 2030 mendoj që Maqedonia e Veriut do të jetë shumë afër integrimit në BE. Versioni më i mirë është të jemi pjesë e BE-së, por edhe nëse nuk do të jemi pjesë e BE-së plotësisht, do të jemi pjesërisht si pjesë e planit të BE-së për zgjerim", tha Neziri./Telegrafi/






































