LAJMI I FUNDIT:

Limaj: Reçaku, dëshmia që lirinë e kemi paguar shtrenjtë

Limaj: Reçaku, dëshmia që lirinë e kemi paguar shtrenjtë

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në 22 vjetorin e masakrës nga forcat serbe, tha se Reçaku është dëshmia që lirinë e kemi paguar shtrenjtë.

Limaj në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se derisa në Beograd vazhdon të mohohet gjenocidi dhe masakrat që janë bërë anekënd Kosovës e posaçërisht këtu në Reçak, është sinjal i mjaftueshëm për botën e qytetëruar për të treguar se në Serbi ata të cilët kanë masakruar e terrorizuar një komb, vazhdojnë ta drejtojnë vendin e tyre.


Lexoni të plotë postimin:

Sot, si çdo vitë tjetër në Reçakun e lavdisë nderuam dhe përkujtuam shumë burra e gra, djem të ri e vajza të reja, të cilët janë dëshmia e gjallë e terrorit serb, i cili nuk kurseu asgjë e askënd për t’i arritur objektivat e veta kriminale.

Reçaku është dëshmia më e mirë për ne të gjallët e brezat që do vijnë, se lirinë të cilën e gëzojmë është e paguar thellë me gjakë e sakrificë, dhe nuk e kemi të falur, por e kemi të paguar shtrenjtë.

Reçaku vazhdon të jetë fytyra e turpit të Serbisë dhe ky vend vazhdon të jetë njolla e cila përcjelle dhe është njollë në ballin e drejtuesve të Serbisë, të cilët vazhdojnë ta mohojnë këtë masakër.

Derisa në Beograd vazhdon të mohohet gjenocidi dhe masakrat që janë bërë anekënd Kosovës e posaçërisht këtu në Reçak, është sinjal i mjaftueshëm për botën e qytetëruar për të treguar se në Serbi ata të cilët kanë masakruar e terrorizuar një komb, vazhdojnë ta drejtojnë vendin e tyre.

Sot për herë të parë ishim në Reçak pa ish zëdhënësin e UÇK -së, pa kryetarin e Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqin, njeriu i cili i dha zë luftës sonë çlirimtare dhe i cili ishte vizitor i rregullt, dhe me përkulje e respekt, këtu e në çdo vend, në përmendoret memoriale të vendit tonë përkulej me nderim, për ata të cilët dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

Ftoj gjeneratën e re të mos harrojë, se atë që sot e gëzojmë, nuk ishte as e lehtë e as nuk erdhi shpejt, por me shumë gjakë dhe sakrificë.

Lavdi dëshmorëve të kombit!. /Telegrafi/