Përplasjet opozitë, qeveri kanë vazhduar edhe në seancën e sotme të Kuvendit. Pas fjalës së ministrit të Financave dhe Transferve, Hekuran Murati i cili u tha opozitës se fjalët për mbështetjen e qytetarëve i keni për poenë politikë, kanë reaguar deputetët e opozitës.

Ishte shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili kundërshtoi ministrin Murati duke thënë se “një ministër i papërgjegjshëm si ti, nuk duhet t’ia lejojë vetës të marrë vendim për rritje të pagës minimale pa përfshirje dhe pëlqim të partnerëve socialë”.

Sa i përket energjisë elektrike, Tahiri i tha Muratit se nuk është e vërtetë që opozita ka kërkuar rritje të çmimit.

“Nuk është e vërtetë që kemi kërkuar rritje të energjisë për të gjithë, mos u mërzit ta ka pezulluar gjykata vendimin, qytetarët kanë me paguar me tarifa të vjetra energjinë. Fatmirësisht gjykata ka vendos me pezullua një vendim shumë të dëmshëm të qeverisë tuaj për qytetarët”, u shpreh Tahiri.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se ministri i Financave duhet të ishte ministër që jep zgjidhje e jo ministër që shkon për të vajtuar në Kuvend.

“Keni problem me paaftësi, nuk mund t’i kaloni ligjet. Si ke fytyrë me ardhë me thanë nuk po na e votoni një ligj që është diskriminues”, ka thënë ai.

Reagim pati edhe nga deputeti i LDK-së, Armend Zemaj. Ai tha se në shikim të parë duket pozitive që një ministër gjithmonë luan rol kundërshtues.

“Është në kundërshtim të plotë me atë që ju po e pretendoni. Ne e kemi për obligim që marrëveshjet e këqija t’i ndalim. Sa i përket energjisë deklaroni se ku kanë shkuar 120 milionë dhe si do të rikthehen paratë që qytetarët kanë paguar edhe është pezulluar vendimi”, u shpreh Zemaj.

Pas kësaj ka reaguar ministri Hekuran Murati. Ai kërkoi nga deputetët e LDK-së që të diskutojnë mes vete sa i përket çështjes së marrëveshjes për skemat e asistencës sociale me Bankën Botërore.

“Është mirë që ju të diskutoni në mes vete sepse në njërën anë Hoti thotë se nuk miratojnë marrëveshje për t’i mbështet skemat sociale, e në anën tjetër Zemaj thotë se kjo nuk është marrëveshje për transfere sociale por për shpenzime tjera. Tahiri thotë se kjo marrëveshje nuk kanë mbështetur asnjëherë dhe nuk do të mbështesin. Më 12 korrik 2020 kemi miratuar një marrëveshje të njëjtë me Bankën Botërore, vetëm se ajo marrëveshje ka 1 milion euro më pak, dhe ka qenë dyfishim i skemave sociale për tre muaj”, tha Murati.

Sipas tij, marrëveshja parasheh pilotim për zgjerim në skemën sociale për 10 mijë familje tjera që të përfshihen në këtë skemë.

“Ju po parandaloni këtë. Ju po thoni Trusti, sa ka Trust një familje në skemën sociale, sa ka Trust një student…? Më tregoni z.Tahiri se a është anuluar apo pezulluar vendimi si jurist tregoni që e keni merituar titullin, tregoni”, ka thënë ai.

Shefi i GP i PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se nuk është jurist duke shtuar se çka është e rëndësishme, qytetarët nuk do t’i paguajnë tarifat e shtrenjta.

“Keni tendencën me u qit haraç në formë ligjore 450 mijë familjeve në Kosovë sot i nderuar ministër. Gjykata e Apelit e ka vërtetu vendimin e Themelores për mosimplementim. Është pezulluar dhe do të anulohet”, ka thënë ai.

Ndërkaq, deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, ka thënë se “është hipokrizi që eksponenti i aferës së noterëve të na flasë për vendime që nuk janë marrë ende nga Gjykata. Nuk ka ende vendim, po flet për një masë të përkohshme. Po tenton të shantazhojë me greva e protesta, ka tentuar edhe më herët, por nuk ka pasur sukses. Ka kaluar koha e ndikimit në sistemin e drejtësisë”.

Deputetja Blerta Deliu ka thënë se ka pritur nga Murati të tregojë se si do t’i rimbursojë qytetarët për tre muajt që kanë paguar faturat e energjisë me rritje.

“Kjo Qeveri që është mbi Ligjin dhe që nuk i njeh vendimet e gjyqësorit, sot ministër deklarohu se si keni me i rimbursu. Mendoj që është obligim moral i juaji”, ka thënë ajo. /Telegrafi/