Liga Total fillon furishëm, befasohet kampioni (Foto+Video)

Siç dihet tashmë, Liga Total zhvillohet në Komunën e Lipjanit dhe vetë fakti që ekzistojnë tre liga të saj, tregon se sa e organizuar dhe e zhvilluar është ajo. E mos të harrojmë se në të luajnë lojtarë cilësorë që kanë emër në futbollin kosovar, e që ia shtojnë magjinë kësaj lige.
Në vazhdim, Telegrafi sjell për ju ekskluzivisht raportin e detajuar për të gjitha ligat me të gjitha statistikat e rëndësishme.
SUPERLIGA
Kampionet e Liga Total, Dobraja, e filluan me humbje sezonin e ri duke u befasuar nga FC Macet e Zeza, Në anën tjetër, paraqitje të mirë treguan FC Centrum dhe FC Bajrami që fituan me rezultate të lartë. FC Centrum e mposhti Tika Takan me rezultat 5-2 në krye me Bujar Sinanin, ndërsa FC Bajrami pas derbit lokal ndaj Banullës fitoi 6-4 me Ardian Kozhanin që shënoi plot 5 gola në këtë ndeshje.
Standard Benz u konfirmua në xhiron e parë si një skuadër e fortë dhe pretendente duke e mposhtur jo me lehtësi FC Termax me rezultat 2-1, teksa KF Sllovia nuk arriti më shumë se një barazim ndaj skuadrës debutuese FC Mërgimit.
FC Gadimja gjithashtu debutoi në Superligë me fitore kundër Prishtinës së Re me rezultat 4-2, duke i entuziazmuar kështu tifozët e vet, teksa FC Minatori mposhti Al Com-in me rezultat 4-3. Dream Team gjithashtu u befasua nga FC Janjeva duke pësuar disfatë me rezultat 1-3.
E krejt në fund, derbi lokal i Magurës i takoi skuadrës së Xhamisë së Magurës, të cilët e fituan këtë duel përballë rivalëve të Real Magurës, falë het-trikut të Pajtim Metës.
Tabela dhe golashënuesit më të mirë të Superligës:
LIGA E DYTË
Rezultate interesante pati edhe në Ligën e Dytë. Të shtunën, Gumnasella e hapi kampionatin me fitore të lartë ndaj Shoqërisë (7-2), ndërsa Nipat e Dajës me shumë mund e mposhtën skuadrën FC Dardanët me rezultat 2-1. Fitore bindëse shënoi edhe Restaurant Shpella që fitoi 5-1 ndaj Borussias. Ndërsa duelet e kësaj dite u mbyllën me fitoren e Mbretërve ndaj Eggermont-it (2-1).
Duelet e së dielës filluan me një fitore zyrtare (3-0) për Nivelën ndaj Avni Itas, teksa menjëherë u zhvillua një duel interesant mes Qullve dhe Teos, ndeshje kjo që përfundoi me fitoren e Qullve (3-2).Fitore të vështirë mori Mia San mia ndaj Smallushës (6-3), ndeshje kjo që pati shumë përmbysje të rezultatit. Ndërsa, shkëlqyen skuadrat e Ardeno Meshkurtit dhe FC Dostat që i shënuan hiç më pak se nga 9 gola kundërshtarëve të tyre, Trepçës (9-2), respektivisht Milanos (9-1).
Tabela dhe golashënuesit më të mirë të Ligës së Dytë:
LIGA E TRETË
Në Ligën e Tretë debutuan pothuajse të gjitha skuadrat. Rubofci e filloi me fitore ndaj Originalave(6-2), teksa edhe Shpella e mposhti me rezultat 5-3 ekipin The Blue. Bujaria ishte shumë e fortë për Ufot duke i shkaktuar humbje me rezultat 5-2, ndërsa fitoren më të madhe të javës e shënoi FC Qallapeku (7-1) ndaj Dardanëve. Në anën tjetër, Xhamia e Babushit mposhti me rezultat 6-3 Dety Likyn, teksa edhe Ismail Luma fitoi me rezultat 4-3 ndaj Mermerit. FC Flaka e tregoi veten si pretendente duke fituar me rezultat 4-2 ndaj FC Edisonit, ndërkaq e vetmja sfidë që përfundoi baras ishte ajo mes Mega Petrolit dhe Officerave që u mbyll me barazim 4-4. Ndeshja Relux vs Yjet, është shtyer për t’u zhvilluar më vonë.
Tabela dhe golashënuesit më të mirë të Ligës së Tretë:
Lojtarët më të dalluar të Xhiros së Parë:
Ardian Kozhani – Lojtari i javës
Besfort Salihu – Goli i javës
Rizvan Hoxha – Portieri i javës
Fakte interesante nga Liga Total:
- Gjygjtarë në Superligë ishin Milot Rexhepi nga Lipjani dhe Besar Beqiri nga Fushë Kosova, ky i fundit është ndër 5 gjyqtarët e licencuar për futsall në Kosovë.
- Në fushë kanë qenë të pranishëm rreth 400 tifozë këtë javë.
- Gjithsej u shënuan 167 gola me një mesatare prej 6.1 gola për ndeshje.
Për t’i ndjekur të rejat dhe zhvillimet më të fundit të Liga Total, klikoni këtu. /Telegrafi/



























































