Liderët udhëheqin nga fronti
Çka është një zjarrfikës?
Zjarrfikës mund të jetë fqinji juaj. Një njeri I thjeshtë si ju që përballet me sfida dhe ëndrra të parealizuara. Një njeri që shpëton shumë jetë dhe ka parë vdekjen me sy shumë herë.
Kur dikush vendos të bëhet luftues i zjarrit, ka arritur shkallën më të lartë te guximit. E, të kesh guxim të rrezikosh jetën tënde për të shpëtuar jetën e tjetrit, nuk do të thotë të mos kesh frikë. Përkundrazi, të kesh guxim do të thotë të jesh i frikësuar deri në eshtra, por mbi të gjitha të bësh atë që duhet bërë.
Dita më e rëndë e jetës tonë si qytetarë, për zjarrfikësit, është secila ditë e jetës së tyre. Lufta për ta nuk përfundon kurrë. Ata janë ushtarë të cilët nuk dorëzohen pranë flakëve të zjarrit dhe rrethanave tjera vdekjeprurëse dhe nuk kursejnë veten për të shpëtuar jetët dhe pasurinë e të tjerëve.
Atë që ne e quajmë heroizëm, ata e quajnë thjeshtë kryerje e detyrës në një ditë pune dhe e bëjnë ketë me gjithçka që kanë. Megjithatë, në zemrat e atyre që shpëtuan dhe në zemrat e familjarëve e miqve të tyre ata mbesin gjithmonë heronj të vërtetë.
Në punën e një zjarrfikësi testohen në baza ditore aftësitë e udhëheqjes dhe menaxhimit të emergjencave, njohuritë teknike dhe guximi I tyre. Ata nuk mund të fshihen prapa tavolinës së punës apo e-mail adresave. Ata nisen të parët atje ku të tjerët nuk guxojnë, sepse liderët e vërtetë udhëheqin nga fronti.
Të bëhesh luftues zjarri nuk të detyron dot askush. Duhet pasur brenda vetes trimërinë dhe kurajon për të jetuar çdo ditë si të ishte e fundit.
Dhe, nëse pyet një zjarrfikës sa fiton ti? Përgjigja e tij do jetë: “Unë fitoj derisa pres gjysmën e veturës tënde të shtypur, për të nxjerr nga aty trupin tënd të padëmtuar. Unë fitoj duke i bërë pesë minuta të duken si një jetë e tërë kur unë hyj në shtëpinë që po digjet nga flaket e zjarrit për të shpëtuar familjen tënde dhe gjithçka që ke të shtrenjtë. Unë fitoj duke bërë që ato sirena të bezdisshme të duken si engjëj që vijnë me shpejtësi kur juve ju duhen. Unë fitoj duke u zgjuar në orën 03:00 të mëngjesit për të rrezikuar jetën time të shpëtoj njerëzit që as nuk i njoh. Dhe, sot mund të ndodh të sakrifikohem edhe për të shpëtuar jetën tënde. Unë kaq fitoj. Ti sa fiton?”!
Dhe, nëse mendoni në fund se të jesh zjarrfikës është vështirë, duhet të provoni të jeni fëmijë i një zjarrfikësi. Për secilin baba që është luftues i zjarrit, ju duhet ta dini që fëmijët tuaj mburren me ju edhe në netët e Vitit te Ri kur ju mungoni, sepse jeni duke u shërbyer atyre që kanë nevojë. Edhe në ditëlindjet tona, dasmat dhe çdo festë tjetër që nuk jeni aty, ne ju mbështesim në veprat legjendare që bëni e që për ju janë vetë përditshmëria.
Çdo zjarrfikës është i bekuar sepse ka dy familje, atë në shtëpi dhe atë në punë.
Babi, ti je hero im.
(Ky shkrim i kushtohet shefit të ndërrimit në Brigadën e Zjarrfikësve në Prishtinë, Bajram Rexhepit)





















































