LAJMI I FUNDIT:

LEXOJE, JA LISTA E…

LEXOJE, JA LISTA E…

Poezi nga: Maria do Rosario Pedreira
Përktheu: Maksim Rakipaj

Lexoje, ja lista e sendeve që
ke lënë: unë, librat, kundërmimi yt
gjithandej nëpër dhomë; një gjysëm ëndrre,
dyfish dhimbje dhe puthje
në të gjithë trupin si prerje të thella
që kurrë nuk do të shërohen; dhe libra, mall,
çelsi i një shtëpie që nuk u bë dot
jona, një robdëshambër fanellate që
kam veshur kur po bëj këtë listë:


libra, të qeshurat që me zor po i vej nëpër vende
dhe zemërim – një vazo me një orkide që
aq shumë e doje dhe unë s’e dija përse
dhe prandaj nuk je kthyer ta ujitësh; prapë
libra, shtrati rrëmujë gjithë këto ditë,

një letër mbi nënkrejsen tënde dhe plot
brenga dhe vetmi; në një sirtar
dy bileta për një film me dashuri që
nuk e ke parë me mua, prapë libra, është
dhe një këmishë e zbardhur që unë
e vesh kur fle për të qënë pranë teje;

dhe gjithandej libra, ngado që hedh sytë,
dhe gjithato fjalë që nuk m’i pate thënë
para se të shkruaje letrën atë mëngjez dhe unë
që ende besoj se do të kthehesh, që të
kthehesh, qoftë edhe për librat e tu të paktën.